Wednesday, April 3, 2024
AktualeLajme

Komuna heq shpenzimet mortore për familjet në asistencë sociale

Kuvendi-i-Komunes-GjakovePas një diskutimi shumë të gjatë nga kuvendarët komunal, në  mbledhjen e tetë me radhë që u mbajt të merkuren,  është miratuar Buxheti i Komunës së Gjakovës për vitin 2016. Teki Shala, drejtor i drejtorisë së financave në komunën e Gjakovës ka prezantuar një analizë për vijat buxhetore, projektet dhe mundësit financiare për investime në vitin 2016. Komuna e Gjakovës në vitin 2016 do të ketë 19 milion e 895 euro buxhet komunal, ku nga granti i përgjithshëm do të jetë afro 7 milion euro, granti specifik i arsimit do të jetë 7 milion e 710 mijë euro, ose 400 mijë euro më pak se vitin e kaluar. Sipas tij në vitin e ardhshëm do të ketë shkurtim buxhetor që bazohet në zvogëlimin e numrit të nxënësve dhe faktorëve të tjerë relevant që ka paraparë Ministria e Financave të Kosovës.

Asambleistët kanë aprovuar edhe propozimin e asambleistit Bahri Bokshi që komuna nga buxheti i saj të mbështesë familjet në asistencë sociale, në raste të shpenzimeve për nevojat e ceremonive të varrimit.

Po ashtu, asambleistët kanë aprovuar edhe Draft Rregulloren për tatimin mbi Pronën e Paluajtshme për vitin 2016. Nga zyra e projekteve, në kuadër të kabinetit të kryetares, janë prezantuar dy pika për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike. Burim Meqa, përfaqësues i zyrës së projekteve, ka prezantuar shqyrtimin për propozim vendimin për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim afatshkurtër, për ndërtimin dhe menaxhimin e impiantit për riciklim të mbeturinave si dhe për menaxhimin e ‘Qendrës Ekologjike” në hapësirën e Çabratit. Të dy këto projekte kanë dalë si rezultat i Konferencës së Investitorëve 2015, ku investitorë të ndryshëm kanë shprehur interesimin për të investuar në këto projekte.

Në kuadër të implementimit të zgjidhjes urbanistike për Komunën e Gjakovës, janë prezantuar edhe dy pika që kishin të bëjnë me shpronësim të pronave të cilat përfshihen në zgjerimin e rrugës “Bardhyl Çaushi” dhe rrugës “Gjergj Sokoli” dalja veriore e Qytetit- dalja për Pejë, si dhe revidimi i planit zhvillimor për rrugën unazore në pjesën veriore të qytetit. Të dy këto pika janë aprovuar nga asambleistët duke vënë në theks rëndësinë për qarkullimin e lirshëm dhe shkarkimin e lëvizjes së madhe të automjeteve në këtë zonë. Vazhdimi për diskutimin e pikave tjera të rendit të ditës do të bëhet në ditën e Hëne, me datën 28 Shtator 2015.