Kremtohet festa e Çlirimit të Gjakoves
Gjakova sot po shënon festën e lirisë. 14 Qershori i vitit 1999, i dhe fund vuajtjeve, persekutimeve, vrasjeve dhe përndjekjeve që ushtroi regjimi serb ndaj popullatës shqiptare për shumë dekada. Kjo u arrit në saje të trimërisë dhe guximit të bijve dhe bijave tona më të mira, të cilët luftuan në radhët e UÇK-së pa e kursyer gjakun e tyre, duke u flijuar në altarin e lirisë. Në përkrahje të luftës së tyre të drejtë u vuan edhe forcat veri-atlantike të NATO-s, aleancës më e fuqishme ushtarake në botë. Sot, 15 vjet më pas kur po e gëzojmë lirinë dhe po ndërtojmë demokracinë e re në shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës, me krenari dhe pietet kujtojmë dëshmorët dhe të gjithë martirët e rënë për lirinë e vendit. Duke mos i harruar për asnjë çast më të dashurit tanë që u flijuan për lirinë që po e gëzojmë, sot do të festojmë dhe do ti gëzohemi me gjithë zemër realizimit të idealit të tyre dhe perspektives më të ndritur të Gjakovës dhe Kosovës.
14 Qershori – dita e çlirimit të Gjakovës po shënohet me një varg manifestimesh . Aktivitetet e kësaj kremte kanë nisur me homazhet dhe vendosjen e kurorave me lule në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të komunës sonë, ndërkohë që në Parkun Qendror të Qytetit është organizuar ceremonia e vendosjes së gurit themeltar për ndërtimin e lapidarit “Shokët e Lirisë”, që i dedikohet dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke ju drejtuar të pranishmëve me këtë rast, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ndër të tjera ka thënë se “ky gur-themel simbolizon një shenjë për komunën e Gjakovës, se jo kot Gjakova dhe Kosova është e lirë, për arsye se në nëntokën e komunës sonë, ende vazhdon rrjedha e atyre që u flijuan për këtë liri, duke na rikujtuar se gjaku i tyre nuk tretët dhe se të gjithë ne kemi obligim për gjakun e tyre”.
Në emër të ish luftëtarëve të UÇK-së ka falënderuar Shpend Lleshi, ndërkohë që në fjalën e tij, ish komandanti i Zonës Operative të Rrafshit të
Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se pjesëmarrja e tij në këtë manifestim paraqet një nderë për te sepse një lapidar i tillë është përjetësim i kujtimit dhe flijimit të dëshmorëve të shumtë.
Aktin solemne të venies së gur themelit e bënë se bashku, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, krye-prokuroja Shjpresa Bakija si dhe ish luftëtarë tjerë të UÇK-së. Ndryshe, manifestimet në ditën e çlirimit të Gjakovës, do të vazhdojnë në orën 18 kur në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” hapet ekspozita personale e piktorit akademik, Nevruz Musa. Një orë më vonë, në Pallatin e Kulturës do të mbahet Koncerti Festiv, ku para artdashësve gjakovar do të prezantohet Orkestra Frymore e Forcave të Sigurisë së Kosovës me solistë përkatës. Pas kësaj atmosfera festive do të bartët në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë, ku në skenë të hapur do të performon grupi i njohur “Jerico” si dhe DJ të njohur nga Kosova dhe Shqipëria. Manifestimet kulturore me rastin e ditës së çlirimit do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme.
Nderkaq per nder te kësaj feste te shtunën u be edhe përurimi solemn i rrugëve të përfunduara “Tomë Gjoka”, “Abdurrahman Buza” dhe “Lidhja e Prizrenit”. Këto rrugë gjenden në “Bllokun e Ri”, në afërsi të spitalit “Isa Grezda”.