Thursday, March 28, 2024
Lajme

KRU Gjakova shndërrohet në gjigand të ujit të pijes

Gjakova është kthyer në lider në betejën për ujë, ka deklaruar kryeministri Kosovës Ramush Haradinaj në ceremoninë inauguruese të Fabrikës së re të KRU Gjakova ku ishin shumë mysafir vendor e ndërkombëtarë si dhe qytetarë .

Ai ka theksuar rëndësinë e madhe që ka uji për vendin dhe se për të trajtimi i ujit mbetet një betejë.

Duke falënderuar qeverinë gjermane dhe atë zvicerane për kujdesin e madh dhe përkrahjen që kanë bërë për këtë investim në ujë të pijshëm, kryeministri Haradinaj tha se është me rëndësi për vendin që të krijojë alternativa të tjera të ujëmbledhësve në vend, pasi që Kosova është burim i ujit.

“Këto janë investimet më strategjike që duhet t’i bëjmë dhe të krijojmë rezerva të ujit dhe me qenë bankë e vetvetes që të mos varemi nga askush për ujin e pijes. Por jo vetëm kaq, uji është i nevojshëm edhe për të gjitha segmentet e ekonomisë”, deklaroi Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se “KRU”, përveç që është një kompani profitabile, ajo ofron edhe shërbime të mira.

Kryetari Gjini falënderoi për përkrahjen e parezervë që po i jep Qeveria e Kosovës dhe tha se nga këto investime po përfiton shumë Komuna e Gjakovës por edhe Kosova.

Ismet Ahmeti, kryeshef ekzekutiv i “KRU Gjakova”, theksoi se me ndërtimin e kësaj fabrike do të rritet kapaciteti nga 500 litra në 1000 litra në sekondë dhe kjo ëndërr po bëhet realitet falë Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komunës së Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit, si dhe konsumatorëve tanë.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajti edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, i cili tha se sfida e ujit është sfida më e madhe që kanë shoqëritë tona.

“Ne jemi vende të pasura me ujë, por kemi vuajtur nga investimet dhe menaxhimi”, tha ministri Gjiknuri, duke shtuar se sfidat ekzistojnë, por nga kjo që shihet sot, nga gjërat e bëra mirë, mësohet shumë dhe përfitojnë të gjithë.

“Ka qenë e paraparë të përfundohet në vitin 1995, por nuk është realizuar deri më tani. Finalizimi i këtij projekti i fazës së dytë dhe renovimi i objektit të vjetër ka kushtuar 7 milionë euro. Me ndërtimin e kësaj fabrike do të rritet kapaciteti nga 500 litra për sekondë në 1000 litra për sekondë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *