KRU Gjakova: Ujë pandërprerë por duhet kursyer, projektet madhore vazhdojnë
Në KRU Gjakova thonë se furnizimi me ujë të pijes po realizohet pandërprerë. Mobilizimi, realizimi i detyrave dhe gatishmëria e punëtorëve edhe në këto rrethana të mbrojtjes nga koronovirusi, është për çdo lëvdatë. Është bërë dezinfektimi i të gjitha hapësirave punuese dhe janë marrë masat tjera të nevojshme.
“ Në fokus kemi konsumatorin dhe furnizimin pandërprerë me ujë të pijes. Shërbimet tona cilësore nuk po mungojnë në asnjë moment. Kemi pas një vit të thatë, megjithatë ne kemi ujë të mjaftueshëm dhe liqeni gradualisht po mbushet në kuotat maksimale, por që uji për pije duhet kursyer”, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv i KRU Gjakova Ismet Ahmeti.
Bazuar në ndryshimin e Vendimit të Qeverisë së Kosovës sa i përket orarit të lëvizjes së lirë, është bërë me dije se të gjitha pikat e shitjes së KRU “Gjakova” sh.a, do jenë të hapura me orar të rregullt nga ora 08:00-16:00, e njejta vlenë për gjithë zonën operative, në Gjakovë, Rahovec dhe Prizren.
“Nga konsumatorët kërkojmë që të kryejnë pagesat obligative kundrejtë ujit të shpenzuar. Ftojmë të bëni pagesat për arsyje të mos grumbullimit të borxhit, si dhe stabilitetit financiar të kompanisë duke qenë se operojmë si kompani vetëfinancuese dhe pagesat e juaja kontribuojnë drejtë për drejtë në shërbime të cilat ofrojmë dhe efikasitetin e prodhimit”, ka thënë Ahmeti.
Në anën tjetër po vazhdojnë me intensitet të shtuar punimet në Impiantin për Trajtimin e Ujërave të Ndotura.
“Edhe në këto ditë kur po ballafaqohemi me pandeminë Covid-19, përkushtimi i kompanisë KRU “Gjakova”sh.a ndaj projekteve madhore nuk ndalet. Falënderoi punëtorët për punën e bërë, gjithashtu po bëjmë përpjekje që ky projekt të finalizohet sa më parë, meqenëse është një ndër projektet më të rëndësishme për Komunën e Gjakovës” ka thënë Ahmeti.