Friday, June 7, 2024
AktualeLajme

Kryeparlamentari Veseli viziton Gjakovën

Kadei VeseliKryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli gjatë vizitës në Gjakovë u takua me kryetaren e Komunës Mimoza Kusari-Lila dhe biseduan për miratimin e ligjeve që ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe përkrahjen e kërkesave komunale për krijimin e një fushe sa më të volitshme për bizneset dhe për investitorët e jashtëm, duke dhënë përkrahje funksionimit sa më të shpejtë të Parkut Industrial dhe zonës së lirë ekonomike në Gjakovë.
Me këtë rast u organizua një takim me përfaqësuesit e sektorit të bizneseve të komunës së Gjakovës.
Veseli tha se obligimet e Kuvendit janë të orientuara për nxjerrjen e ligjeve të reja që do të lehtësojnë hapësirën e veprimit të bizneseve dhe se komunat do të kenë përkrahje të veçantë, por kërkoj nga përfaqësuesit e bizneseve dhe të institucioneve komunale që të kërkojnë sa më shumë punë dhe aktivitet nga Parlamenti i Kosovës, për të vepruar në interes të zhvillimit të bizneseve dhe të zhvillimit të gjithanshëm ekonomik të vendit.
Sipas Zyres per Informim te KK të Gjakoves, Veseli ka premtuar përkrahje të fuqishme për biznese, ai ka thënë se “Ne do të përpiqemi që të nxjerrim dhe të aprovojmë ligje që do të jenë në shërbimin tuaj”, duke kërkuar nga bizneset iniciativa të reja të zhvillimit. Ndërkohë, kryetarja Kusari-Lila, ka shtuar se institucionet e komunës kanë filluar hapat e parë të veprimit për zhvillimin ekonomik për të krijuar kushte sa më të volitshme për biznese. Një prej përparësive që do të ketë fusha e biznesit është Zona e Lirë Ekonomike e Gjakovës, heqja e taksës e tjera.
Përfaqësuesit e bizneseve gjakovare kanë shprehur pengesat kryesore që përballet sektori privat duke kërkuar lehtësira doganore, heqjen e TVSH-së për mall të importuar pastaj investime nga qeveria qendrore për biznese dhe prodhimet vendore, si dhe lehtësira tjera që ekzistojnë në vendet e rajonit dhe në shtetet fqinje të Kosovës.