Kryetarët e Bashkësive Lokale prezantojnë hallet e banorëve
Konstituimi i organeve dhe zgjedhja e kryetarëve të Bashkësive lokale me mbështetjen edhe të Shoqatës së Gruas Iniciativa e Femrës Kosovare ka afruar zinxhirin komunikues mes qytetarit dhe zyrtarëve të administratës komunale. Tash qytetarët kanë edhe një derë tjetër të shfaqjes së kërkesave dhe ideve për ta bërë ambientin ku jeton , banon e punon më të mirë. Hallet e banorëve të lagjeve në qytet e fshatra të organizuar në Bashkësitë Lokale, kryetarët e të cilëve janë zgjedhur gjatë vitit të kaluar, janë shprehur në një takim të mbajtur të enjten, me kryetaren e komunës Mimoza Kusari Lila dhe drejtorët e disa Drejtorive Komunale. Ka shumë e shumë vite që një organizim dhe takim I tillë ka munguar. I pari bashkëveprim i KK me BL-të ishte aksioni i pastrimit të Gjakovës dhe ky ishte takimi i dytë. Këtë e shprehën edhe vet kryetarët e BL-ve, të cilët shkurtimisht bënë të ditura preokupimet e banorëve që përfaqësojnë që kishin të bënin me infrastrukturën, rrugët, kanalizimin, ujin e pijes, shtëpitë e shëndetit, ndriçimi e tj. Ata nga kryetarja kërkuan mbështetje institucionale, duke iu siguruar kushte pune: Çdo BL të ketë vulën e vet, Zyrën e vet ku banorët do të kenë qasje në prezantimin e halleve të veta, mbështetje profesionale për hartimin e projekteve, takime të çdo muajshme me kryetaren dhe sa herë bëhen vizita nëpër BL- të bëhen në koordinim me kryetarët e atyre zonave. Komuna do të caktojë një person që do të merret me koordinimin e punëve rreth projekteve të BL-ve, çdo muaj do të mbahen takime me kryetaren dhe bashkëpunimi do të jetë akoma më i madh.