Thursday, April 25, 2024
Aktuale

Kthehet tregu i gjelbër në vendin e vet?

tregu

Qytetit të Gjakovës planifikohet që  ti kthehet tregu i gjelbër, aty ku  ishte për shumë dekada. Edhe qytetarët e qendrës së qytetit e konsiderojnë këtë si një domosdo për faktin se tregjet aktuale janë larg tyre.  Zyrtarët komunal kanë thënë se kanë në plan  që skaj Ndërmarrjes komunale “Çabrati”, aty ku ishte dikur, të vejnë në funksion një treg me kushte bashkëkohore pune. Synojnë që,   duke siguruar infrastrukturën e nevojshme për ekspozimin e pemëve, perimeve dhe të bulmetit t’ ju krijohen kushte të favorshme prodhuesve, ekspozuesve dhe blerësve.

Ndryshe largësia e madhe e tregut kryesor, tek Ura e Tabakut, shpesh ka qenë pengesë për qytetarët e qendrës së qytetit për tu furnizuar me pemë e perime të freskëta. Në anën tjetër dihet se komuna e Gjakovës nuk ka ndonjë treg bulmeti që I plotëson kriteret higjienike, ndërsa produktet e qumështit ekspozohen në ambiente të papërshtatshme. Tregu I ri në qendër të qytetit sigurisht se do të mundësonte që edhe prodhuesit e produkteve të qumështit të kenë ambiente të përshtatshme.

Interesimin për ta sjellë tregun e gjelbër aty ku ishte para disa vjetesh e ka treguar edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila e cila gjatë vizitës që i kishte bërë kompanisë Çabrati, kishte vizituar ambientet e tregut të dikurshëm që aktualisht është i zbrazët ndërsa edhe lokalet e shitjes përreth janë pothuajse të pashfrytëzuara.