Friday, April 5, 2024
LajmeSporti

Kuqezinjtë e Jakovës të zhgënjyer me rezultatet e Vëllaznimit

Të zhgënjyer me rezultatet e KF “Vëllaznimi” tifo  grupi më aktiv në futbollin kosovar iu ka drejtuar mediave kosovare një komunikatë përmes të cilës shprehin indinjatën për rezultatet e dobëta dhe fundosjen e klubit futbollistik Vëllaznimi duke  kërkuar llogari nga ana e Kryesisë së klubit.


“Kuqezinjtë e Jakovës jemi krijuar dhe qëndrojmë me një motiv: “Përkrahje Vëllaznimit gjithmonë, kudo!”, dhe sot jemi dëshmitar që dështimet vijnë nga brenda klubit!
Paaftësia e Kryesisë së klubit për të mbajtur Vëllaznimin konkurrent dhe dominant në futbollin e Kosovës është zhgënjyese, shembull i keq dhe dekurajues për gjithë banorët e Gjakovës, ”thuhet mes tjerash në këtë kumtesë duke shtuar se  tifozët e klubit Vëllaznimi i kanë qëndruar gjithmonë pranë klubit  dhe nuk do të lejojnë të luhet  me fatin e klubit për llogari e pazare .

Kuqezinjtë e Jakovës thonë se “Të njëjtin fat të fundosjes po e përjetojnë edhe klubet tjera sportive në Gjakovë, ato që arritën ti shpëtojnë shuarjes!”
“Ne i ftojmë të gjithë adhuruesit e klubit Vëllaznimi dhe të gjitha klubeve sportive të Gjakovës të na bashkëngjitën në protestat tona “Kundër shkatërrimit të sporteve të Gjakovës”, thuhet në fund të komunikatës së tifo grupit “Kuqezinjtë e Jakovës.