Me nderime të larta të dielen në Gjakovë i është dhënë lamtumira e fundit, sportistit dhe kampionit të shumëfishtë në sportin e kërcimeve në ujë, të ndjerit Sali Riza Gërqina.
Me këtë rast, nën patronatin e Komunës së Gjakovës është organizuar mbledhje komemorative, me ç’rast për jetën e Saliut kanë folur bashkëpuntor, sportist dhe familjarë.
Mesazhin ngushëllues në emër të Kryetares Mimoza Kusari Lila, familjes dhe miqëve ju ka përcjellur nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Armend Vokshi.
Në fjalën e tij, Vokshi vlerësoj lartë angazhimin dhe kontributin e Sali Riza Gërqines dhenë për sportin e kërcimeve në ujë.
“Saliu tërë jetën e tij ia kushtoi Drinit, aq shumë e deshti, saqë këtij lumi ia fali edhe përjetësinë e vet. Sa herë që Saliun e kemi parë në Dri, e kemi parë nga poshtë – lartë, duke fluturuar si dallëndyshe. Edhe pse fluturimet e tij nuk do t’i shohim më, ato do të mbeten në mendjet tona sa herë që do të kalojmë nga Drini. Fluturimet e kampionit nuk do të harrohen asnjë herë”, ka thënë ndër të tjera nënkryetari i Komunës Armend Vokshi. Më pas qytetarë të shumtë kanë vijuar homazhet dhe gjithashtu kanë marrë pjesë në ceremonin e varrimit të ikonës së kërcimeve në ujë, Sali Riza Gërqina, i cili u varros në varrezat e qytetit të Gjakovës.
Kampioni i shumëfishtë, Sali Riza Gërqina, ishte zhdukur pas hedhjes së tij nga bregu tek Ura e Fshejtë në Gjakovë, më 27 qershor të këtij viti. Gërqina, i cili me kërcimet e shpeshta në stilin ‘dallëndyshe’ mori vëmendjen e të gjitha mediave botërore vitin e kaluar, u gjet i vdekur disa ditë më vonë, më 1 korrik 2017.