Tuesday, March 26, 2024
Aktuale

Lekaj: AKR-ja po bën spektakle

Pal Lekaj

Në takimin e mbajtur të martën Dega e AKR-së në Gjakovë  bëri publike iniciativën për ngritje aktpadisë penale  për shkelje ligjore në rastin e Çarshisë së vjetër, ndërkaq të mërkurën ka reaguar kryetari  i komunës së Gjakovës Pal Lekaj duke thënë se iniciativa e AKR-së për të ngritur padi kundër Komunës së Gjakovës, nuk është asgjë më shumë sesa tentim për të krijuar huti tek qytetarët dhe politizim i çështjes nga ky subjekt.

“Ne jemi në përfundim të projektimit të tri propozimeve me të cilat tentohet të mbrohet trashëgimia kulturore, ashtu siç edhe është kërkesa e Ministrisë. Besoj se punimet do të rifillojnë menjëherë me përmirësimin e motit, prandaj çdo zë i shtuar në këtë drejtim nuk ka vend dhe lë hapësirë për huti tek qytetarët”, ka thënë Lekaj, teksa e ka akuzuar subjektin politik të AKR-së për tentim përbaltje të qeverisë lokale dhe punës së vet në komunën e Gjakovës.

“AKR-ja ka të drejtë ta ketë qëndrimin e vet, por në rastin konkret mendoj se duke e parë veten që po fundoset çdo ditë e më tepër ky subjekt po tenton të bej spektakle të tilla që nuk shkojnë në favor të qytetarëve dhe zhvillimit të komunës së Gjakovës. Ky nuk është rasti i parë që AKR bën këso spektaklesh, por unë si kryetar nuk e kam ndërmend të shqetësohem, sepse jam i angazhuar që për çdo ditë të punoj për qytetarët dhe të jem një shërbyes i mirë për ta”, ka thënë në fund Lekaj.