Wednesday, April 10, 2024
Kulturë

Letërsi : Viron KONA “Nëndetësja”

Viron Kona  nendetesja 2Viron Kona mes lexuesve durrsakë

Në vitin 1981, shkova në bazën ushtarake të  Pashalimanit. Do të zhvilloja një bisede me oficerë të  flotës dhe ata të bazës së nëndetëseve. Ishte një bisedë, në stilin e bashkëbisedimeve që zhvilloheshin në atë kohë, ku flitej për vigjilencë, për të ruajtur të pacenuar kufirin detar të ujërave territoriale shqiptare….Nuk isha ushtarak, kështu që biseda u zhvillua më shumë në këndin kulturor e  letrar…

Kur pas bisedës po pinim kafe me  drejtuesit e bazës së nëndetëseve, komisar dhe komandanti i  bazës, më bënë një ftesë disi të veçantë, që më befasoi, por edhe më emocionoi së tepërmi. Më thanë:

-Njëra nga nëndetëset ka qenë në remont. Sot kemi planifikuar që të zhytemi në poligon dhe do të kontrollojmë  funksionimin e  motorëve të saj.

-Në poligon ? –  pyeta, ngaqë nuk e kuptova se për çfarë lloji poligoni bëhej fjalë.

-Kështu quajmë zonën nënujëse, ku bëjmë kontrollin e nëndetëseve pas remontit, – më shpjegoi komisari. – Kjo zonë ndodhet në territorin ujor të bazës, në thellësinë rreth 30 metra. Pas përfundimit të manovrave të nevojshme, do të lundrojmë për rreth 15 – 20 minuta nën ujë, pastaj do të dalim në sipërfaqe dhe do të kthehemi në bazë. Zhytjen do ta bëjmë pas disa minutash. Nëse dëshiron, eja edhe ti me ne.

-E lejojnë rregullat që unë, të lundroj me nëndetëse ? – pyeta

-Lejen e kemi marrë, – m`u përgjigj komisari.

-E kam pasur gjithnjë ëndërr lundrimin me nëndetëse, – iu përgjigja komisarit dhe komandantit të bazës dhe, ndërkaq po më përfshinin emocionet. Fëmijërinë e kisha kaluar në bregun e detit, në Skelë të Vlorës, pasi aty kisha edhe shtëpinë. Sapo ngrihesha në mëngjes dhe dilja në oborr, vështrimi më shkonte te sipërfaqja  e ndritshme e detit të Gjirit të Vlorës, te gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit. Por, sidomos, tek anijet dhe vaporët që hynin dhe dilnin në port. Më kujtohet, se kur rastiste të dallonim nga larg ndonjë nga nëndetëset e bazës së Pashalimanit, që lundronte mbi ujë, të gjithë ne fëmijët, duke përqendruar vështrimet dhe duke bërë me dorë në atë drejtim, thërrisnim me ngazëllim: “Nëndetësja !” “Nëndetësja !” – dhe e shoqëronim me sy dhe me kërshëri të madhe lundrimin e saj.

Sa qejf kishim të lundronim, qoftë edhe një herë të vetme me të ! Ajo na krijonte idenë dhe përfytyrimin e një peshku të  çeliktë  gjigant, që notonte  rëndë – rëndë në punën e tij,  pa u trembur dhe pa u shqetësuar nga asgjë. Prandaj, nëndetësja, në gjuhën e detarëve quhet ndryshe  “mbretëreshë e  deteve”…  Më pas, si të gjithë të rinjtë, edhe unë kisha lexuar librin e famshëm të Zhyl Vernit “20. 000 lega nën det” dhe kisha mbetur i mahnitur nga aventurat nën ujë të nëndetëses “Nautilus”, kapitenit Nemo dhe të ekuipazhit misterioz.

Kisha lexuar edhe se, nëndetësja e parë, me emrin”Breshka amerikane”, e cila quhej kështu për shkak të formës, u ndërtua në vitin 1775, kurse, në vitin 1800, një amerikan tjetër ndërtoi në Francë “Nautilusin”, të gjatë 6 metra dhe të gjerë afro 2 metra.

Ky tip nëndetëse, mund të mbante deri në 8 persona dhe mund të lundronte deri në 8 orë nën ujë. Dija gjithashtu se, nëndetëset përdoreshin suksesshëm për zbulime në thellësitë e deteve dhe oqeaneve, kurse në raste lufte, ato kryenin misione sekrete, vendosnin bomba ose sulmonin tinëz anijet kundërshtare. Atëherë na dukeshin tërheqës  filmat me ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore, që tregonin luftimet e nëndetëseve me njëra-tjetrën në ujërat e deteve dhe oqeaneve. Kështu, që, ftesa e drejtuesve më të lartë të bazës së Pashalimanit, krahas anës emocionale, po më çonte drejt realizimit të asaj ëndrre dhe dëshire, të cilën e kisha që kur isha fëmijë, por, edhe po më dukej një aventurë e bukur që do të linte tek unë mbresa të thella.

U afruam tek njëra nga nëndetëset. Nuk ia mbaj mend numrin. Komandanti dhe oficerë të nëndetëses dolën në bord, u rreshtuan dhe paraqitën gatishmërinë dhe detyrën që do të kryenin. Në raportim u përmend edhe emri im, që, sipas rregullores, u regjistrua në librin e nëndetëses. U futëm brenda mjetit lundrues nëpërmjet shkallëve të ngushta të saj dhe shpejt u gjendëm  në lokalin  e komandës, ku ndodheshin shumë aparatura dhe  periskopi.

Komandanti u këshillua për diçka me komisarin e bazës, pastaj, dha urdhër për mbylljen e kapakut të jashtëm. Nisi kryerja e manovrave  dhe nëndetësja po zhytej. Mjediset e brendshme dhe hapësirat për të lëvizur  ishin tepër të ngushta,  ndërkohë që zhurma që bënin motorët e fuqishëm ishte e madhe. Isha përfshirë i tëri në ngjarjen që po përjetoja. Oficerët dhe komisari që rrinin pranë meje, herë-herë shihnin nga unë dhe  bënin buzën në gaz.

-Të gjithë kemi pasur emocione, kur jemi zhytur për herë të parë, – më tha komisar Kujtimi.

-Eh, emocione, po ! Por, edhe pakëz frikë,  –  u thashë.

Ata qeshën.

Viron Kona  nendetesja 1Në foto Viron Kona

Marinarët dhe oficerët kryenin detyrat, duke lëvizur në lokalet dhe mjediset e ngushta të atij trupi gjigant  75 metra të gjatë, 6.3 metra të gjerë dhe 14 metra të lartë. Ndiqja me kureshtje  veprimet e  marinarëve dhe oficerëve, të përqendruar në postet e tyre në të shtatë lokalet e nëndetëses: në atë të silurëve, të baterive e radiove, në postin qendror të drejtimit, tek timoni vertikal e horizontal, te periskopi, te matësi i shpejtësisë, te lokali i motorëve me naftë dhe i karrikimit të ajrit, te lokali që pompon vaj në të gjithë mekanizmat e saj dhe që konsiderohet më i rëndësishmi, ose “zemra e nëndetëses”…

-Tani, në këto çaste, – tha komisar Kujtimi, – jemi krejt të vetmuar. Thellësia po shkon 25 – 30 metra, ndodhemi, thuajse në rrafshin e sipërfaqes së nën-detit. Kemi mbërritur në poligon. Do dëgjosh ca  zhurma të veçanta, që kanë të bëjnë me provat që bën ekuipazhi, për të parë funksionimin e motorëve. Pastaj do të kontrollojmë motorët në një lundrim të shkurtër brenda hapësirës së Gjirit të Pashalimanit.

-Gjithçka do të shkoj mirë, –  tha njëri nga oficerët, si të donte të më jepte kurajë që të mos shqetësohesha.

Manovra vazhdonte. Shihja  herë aparaturat dhe herë oficerët dhe marinarët, që ishin bërë njësh me trupin e nëndetëses dhe vepronin me siguri e shkathtësi në dhomëzat e ngushta të atij mjeti luftarak gjigant. Bënte shumë nxehtë. Marinarët dhe oficerët ishin me veshje tepër të lehta.

-Ky tip nëndetëse, -tha komisar Kujtimi, – mund të qëndrojë deri në 30 ditë nën ujë. Veç kësaj, nëndetësja ka pajisje dyfishe. Nëse prishet njëra  ose bllokohet, vihej në funksionim pajisja tjetër.

Gjatë kohës që kryhej manovra, herë – herë dëgjoheshin gumëzhima dhe vibrime. Ndonjëherë trupi i nëndetëses  dridhej, duke shkaktuar një panik të fshehtë brenda meje. Por, kur shihja natyrshmërinë  dhe qetësinë në fytyrat dhe lëvizjet e  detarëve që kryenin detyrat e tyre, ndihesha më i qetë.

I vura veshin bisedës që bënin komisari me dy oficerët. Ata po  përmendnin me respekt kolegët e tyre; tregonin ndonjë ngjarje interesante që u kishte mbetur në mendje, sidomos për kohën kur rusët tentuan të rrëmbenin anijet dhe nëndetëset nga Baza Ushtarake e Vlorës; komentonin shprehjen e Hurshovit se,   “tani që u shkëputën nga ne, ata ( shqiptarët ), do të zhyten në ujë  dhe nuk do të munden të dalin më”.  Përmendën me respekt Abdi Matin, Dashamir Ohrin, Skënder Doçin, Petrit Myftiun, Beqir Gërbin, Kujtim Peçi, Fitim Halili… Në bisedën me ta, mësova se,  nëndetësja kishte 2 motor të fuqishëm diezel, shpejtësia arrinte 18 milje në orë, ishte e armatosur me 12 silurë dhe një sasi minash që vendoseshin në fundin e detit…

Në vazhdim ata folën më gjatë për Aleko Pojanin, që  arriti të bëhej komandant nëndetëseje,  kur ishte vetëm 21 vjeç. Ai dhe ekuipazhi që drejtonte, kishin arritur të lundronin në thellësitë e detit Mesdhe, për 21 ditë rresht (1971), pa dalë fare në sipërfaqe, pasi në atë kohë nëndetësja e tyre ndiqej nga anijet luftarake të një flote të NATOS, që edhe ajo lundronte në ujërat e Mesdheut. Më mbeti në mendje historia që më tregonin oficerët për shokun e tyre. Unë e njihja Aleko Pojanin, e përshëndesja me respekt si dhe shumë detarë të  Bazës së Pashalimanit, por tani që dëgjoja kolegët e tij tek flisnin me aq dashuri për të, respekti po shndërrohej në një ndjenjë admirimi dhe nderimi të thellë. Po mësoja se ai njeri i thjeshtë,  mbante brenda vetes një karakter të vendosur, të  guximshëm dhe heroik. Por, të them të drejtën, atë ndjenjë respekti krijova edhe për cilindo nga oficerët, nënoficerët dhe marinarët e asaj nëndetëse, ku ndodhesha në ato çaste…

Biseda e oficerëve që qëndronin me mua, shkoi te avaritë e mundshme dhe situatat e vështira që krijoheshin ndonjëherë gjatë lundrimit me nëndetëse.

-Ndodhin defekte? – pyeta.

-Sigurisht që ndodhin. Defektet më të shpeshta janë në sistemin hidraulik dhe, sidomos kur bie zjarr. Por, nëndetësja i ka specialistët e duhur dhe defektet eliminohen. Edhe kur ndodh që bie zjarr, zona izolohet dhe, për shkak të mungesës së oksigjenit, flakët e zjarrit shuhen.

Oficerët, herë njëri dhe herë tjetri, më shpjegonin se sa e rrezikshme ishte kur nëndetësja merr diferent, domethënë nga lundrimi horizontal, për shkak të ndonjë veprimi të gabuar, kalonte papritmas  në një pozicion pjerrësie, që e shpie nëndetësen  me shpejtësi drejt fundit të detit. Raste të përafërta, ata i kishin përballuar  me guxim e gjakftohtësi, duke shpëtuar ekuipazhin me mbi 80 marinarë e oficerë, por edhe mjetin  luftarak, i cili konsiderohej tepër i rëndësishëm. Aso kohe Shqipëria kishte  vetëm 4 nëndetëse, nga 12, që ishin të gjitha, kur Baza ushtarake e  Vlorës, funksiononte si bazë ushtarake e Traktatit të Varshavës. Në situatat kur nëndetësja merrte diferent, një komandant i zoti dhe i përgatitur mirë profesionalisht, me gjakftohtësi e guxim, me mënyrën e drejtimit e manovrimit, arrin të realizoj drejtpeshimin e nëndetëses dhe ajo vijon normalisht lundrimin.

Janë shumë heronj të Brigadës së Nëndetëseve, të Flotës Luftarake Detare. Shumë heronj të Aviacionit dhe të Ushtrisë Shqiptare, për të cilët do të duhej të shkruheshin libra të tërë, sepse, kanë qenë ushtarë besnik për  mbrojtjen  detare, ajrore dhe tokësore të  atdheut… Kur i takon këta njerëz, në pamjen e parë, nuk kanë asgjë të jashtëzakonshme. Ajo që mbetet e jashtëzakonshme, ka qenë vetë jeta e tyre, përballimi i vështirësive; privacionet që  kanë  provuar në  jetë …Gjithnjë, vetëm me një lajtmotiv madhor: kurdoherë ushtarë dhe bijë të denjë të atdheut, të Shqipërisë.

x             x            x

 

Kontrolli i diezelëve përfundoi. U dhanë komanda të tjera dhe  nëndetësja nisi të lëviz nën ujë.

-Për pak çaste do të lundrojmë në thellësinë e periskopit, – tha komandanti i nëndetëses dhe, ndërkaq u afruam te periskopi.

Komandanti më ftoi që të shihja nëpërmjet periskopit sipërfaqen e detit të Gjirit të Vlorës. Ishte një çast  mbresëlënës vështrimi i sipërfaqes së detit nga thellësia prej 9 metër  nën ujë. Për të më respektuar, ata më lanë kohë më të gjatë, duke e lëvizur e rrotulluar  periskopin nga të gjitha anët. Nëndetësja vijoi të lundronte edhe disa qindra metra nën ujë pastaj u dhanë komanda të tjera dhe gjiganti u ngrit në sipërfaqe.

-Tani do të lundrojmë si një anije mbiujëse,  – tha komandanti, – si thoni dalim sipër ?

-Me kënaqësi, – thashë unë, – madje sa më shpejt.

Oficerët qeshën.

Kapaku u hap dhe shpejt u gjendëm në kullën e nëndetëses. Një rrymë ajri i freskët na rrahu fytyrat.

Kur nëndetësja lundron mbi ujë të shkakton kënaqësi  të veçantë.

Ajo ngjason me një peshk  gjigant të zhytur pjesërisht nën ujë. Në të vërtetë, me madhësinë dhe gjatësinë që ka, nëndetësja ngjason më shumë me një përbindësh të çeliktë. Një dinozaur, përpara saj, do të ishte si një lodër fëmijësh. Gjithsesi, të lundrosh me nëndetëse në sipërfaqen e detit,  është këndshëm dhe bukur.

Në  kullën  e saj, ndjen ajrin e shëndetshëm të detit, sheh peizazhe të mrekullueshëm sidomos kur ajo lundron pranë brigjeve. Kurse, në det të hapur dhe, aq më tepër në thellësitë e oqeaneve, nuk është kaq bukur sa po shprehem unë. Prandaj, detarët kanë një fjalë të mençur: “Deti është i bukur, por nga bregu”. E, megjithatë, – po thosha me vete, – gjithkujt që i jepet mundësia, duhet të përjetoj ndonjëherë përvoja të tilla, sepse kështu arrin të vlerësojë më mirë edhe njerëzit rreth e përqark, detyrat që ata kryejnë, rreziqet që përballojnë. Ata detarë, oficerë të flotës dhe të mjeteve nënujëse e mbiujëse, jetonin dhe përballeshin përditë me rrezikun. Madje, nëndetësja fantastike e Zhyl Vernit ishte tepër komode. Ajo të lejonte të shikoje se çfarë bëhej nën ujë nga xhamat e mëdhenj, edhe kur zhytej në thellësi të mëdha. Ajo ngjasonte me një batiskaf të stërmadh, kurse, në nëndetëset  e sotme, sipërfaqen e ujit mund ta shohësh vetëm kur del në thellësinë e periskopit.

Gjatë atij lundrimi mësova se, nëndetëset lundrojnë dhe shmangin pengesat duke përdorur sistemin sonar, i cili përhap valë që përplasen me objektet përreth dhe kthehen mbrapsht, duke treguar vendndodhjen e objekteve që shfaqen në ekran. Prandaj, drejtimi i nëndetëseve kërkon specialistë të përgatitur mirë dhe të vëmendshëm në çdo sekondë. Përndryshe, një lëvizje  gabuar, qoftë edhe e një prej detarëve të nëndetëses, krijon probleme ose defekte të jashtëzakonshme, nganjëherë edhe të pariparueshme. Në ujërat e kthjellëta, kur nëndetësja ndodhet e zhytur deri në 30 metra thellësi, ajo mund të dallohet nga lart. Nga leximet, mbaj mend se gjatë Luftës së Dytë Botërore, tmerri i nëndetëseve gjermane u bën aeroplanët anglez, që përdornin suksesshëm lokacionin. Ata i dallonin nëndetëset nga ajri dhe i bombardonin fort, duke shkaktuar shkatërrimin dhe mbytjen  e tyre…

x                 x                 x

 

Atëherë, kisha njohje për disa nga ushtarakët e flotës dhe të bazës së nëndetëseve. I shikoja mëngjeseve, veshur me uniformat e veçanta të flotës, kur niseshin për në bazën e Pashalimanit, të Sazanit apo në bazat e tjera ushtarake të Gjirit të Vlorës. Por, tjetër gjë është t`i shihje ata, atje, në krye të detyrave luftarake, në anijet mbiujëse: kryqëzorë, torpediniera, katër siluruese ose në anijet nënujëse siç janë nëndetëset…

x                  x                 x

 

I shoh sot nëndetëset e ish bazës së Pashalimanit, të fotografuara ose të filmuara në faqet e internetit. Janë plakur e ndryshkur dhe qëndrojnë të zhytura, dukshëm mbi ujë, pranë njëra – tjetrës, si relikte të një kohe të shkuar, madje nganjëherë më ngjasojnë me “balena” me lëkurë të çeliktë që nuk marrin më frymë, se, e kanë mbaruar jetën e tyre. Por, secila nga ato nëndetëse, përmban brenda saj vlera të objekteve muze, sepse, ato të kujtojnë sakrifica të panumërta të detarëve që i kanë drejtuar dhe komanduar me guxim, siguri, emocion dhe luftë nervash. Ato objekte metalike tashmë të ftohta dhe disi të frikshme, përcjellin tek brezat historinë dhe misterin e kohës së tyre…

x                 x                 x

 

Disa prej oficerëve të nëndetëseve ose edhe oficerë të tjerë të flotës, të aviacionit, detarisë dhe ushtrisë, ndodh që i takoj edhe sot në rrugë dhe në mjedise të ndryshme, në punët dhe hallet e tyre. Koha ka bërë të vetën. Dikush prej tyre mbahet mirë, dikush edhe shkruan kujtimet e jetës dhe të sakrificave që ka  kaluar së bashku me kolegët.

I shoh dhe ndjej dëshirën t`i ftoj për kafe, të bisedoj me ta, t`i dëgjoj me vëmendje tregimet e tyre. Disa, flasin e tregojnë me pasion për detyrat që kryenin, për sakrificat që u janë dashur të bënin dikur. Ka edhe nga ata që i mbulon tisi i heshtjes. Mbase, sepse ato sakrifica të mëdha dhe ai tensionim i jetës së tyre, atëherë nuk ishte  gjithnjë i  nevojshëm, mbase..

Gjithsesi, ata njerëz meritojnë respektin e shoqërisë dhe vlerësim. Ata ishin heronj të deteve dhe mbeten ushtarë besnikë të Shqipërisë …

 

x                 x                 x

 

Kam lexuar këto kohë shkrime dhe kujtime të mrekullueshme për sakrificat e panumërta të detarëve, oficerëve, nënoficerëve dhe të të gjithë ushtarakëve, që në krye të detyrave, deri edhe kanë dhënë jetën në shërbim të interesave të atdheut…

Por, kam dëgjuar e lexuar lajme se nëndetëset  e bazës së Pashalimanit i kanë çuar ose do t`i çojnë si skrap në uzinën e shkrirjes në Elbasan, me një fjalë “të zhduket çdo gjurmë e tyre”.

Kjo mund të jetë një dëshirë e disa mijëra njerëzve, sikurse,  mund të jetë dëshirë e mijëra të tjerëve, që, ato, ose qoftë njëra, të mbahet si një muze, që tregon një kohë të caktuar. Bota na jep mësime të shumta në këtë drejtim. Përderisa bota ruan Mathuazenin, ajo u thotë njerëzve që të mos harrojmë të keqen. Përderisa në Shqipëri, kemi edhe Bulevardin “Zogu i Parë”, edhe  qytetin  me emrin  e “Bajram Curi”, si dhe monumentin  e Avni Rustemit, besoj se veprojmë drejt që i mbajmë, të dyja këto anë të medaljes. Dikush mund të thotë: “Ato nëndetëse na kujtojnë luftën e ftohtë. Ç`i duam!” Edhe ky është një arsyetim, që nuk duhet shpërfillur. Por, luftën, ne  e shohim shpesh herë në faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve, ndërkohë që dëgjojmë lajme për prodhimin e avionëve luftarakë gjuajtës e bombardues,  ndërtimin e nëndetëseve të tipit “Tajfun”, më të mëdhatë  e kohës, me ekuipazh deri në 260 vetë; për prodhimin e raketave shkatërruese; ndonjë shtet tenton të prodhojë bomba të fuqishme,  deri atomike…Këto, “motivohen” me nevojën e armatimeve mbrojtëse, dhe ato shtohen e shtohen pareshtur. Por, siç dihet, armatimet luftarake, nuk prodhohen për të gjuajtur zogj !

Sikur, “qoftë larg”, edhe një përqindje fare e vogël e tyre të hyjë në përdorim, në rruzullin tonë tokësor, domethënë në “shtëpinë tonë të njerëzimit”, do të niste dimri nuklear, që do të thotë të zhduket çdo gjë e gjallë dhe, më pas, gjithçka  të nis nga fillimi, nga mikroorganizmat…Madje – madje, nuk e dimë më, a do të niste përsëri lindja dhe zhvillimi i njeriut ? A do të shfaqeshin më në skenë “Adami dhe Eva..” Me të drejtë ruhemi dhe marrim masa mbrojtëse nga ndonjë goditje e mundshme e meteoritëve të hapësirës kozmike. Por, në radhë të parë, njerëzimi  duhet të ruhet nga vetvetja…

x                 x                 x

Më ka mbetur gjithashtu në kujtesë, një rastësi tepër interesante dhe enigmatike. Nuk e mbaj mend saktësisht kohën, por, pas tri apo katër ditësh që pata rastin të zhytem me nëndetësen e bazës së Pashalimanit, fillimisht në poligon e, pastaj në lundrimin  nën dhe mbi ujë në hapësirën ujore të Gjirit të Vlorës, pikërisht në atë zonë, u diktua futja fshehurazi e një nëndetëseje të huaj. Atëherë, u dha alarmi luftarak dhe u vunë në gatishmëri numër 1 të gjitha llojet e aparaturave përgjuese e zbuluese, si dhe të gjitha llojet e armëve që dispononin repartet e ushtrisë dhe të flotës luftarake detare të Gjirit të Vlorës. Po ashtu, në gatishmëri numër 1, u vunë  bazat luftarake të Karaburunit, të ishullit të Sazanit dhe të bregdetit të Gjirit të Vlorës.

Nëndetësja e huaj, identiteti i së cilës mbeti misterioz, pasi zhvilloi disa lëvizje manovruese nën ujë, në hundën e nëndetëseve dhe anijeve luftarake shqiptare, mes atij muri ushtarak rrethues të Gjirit të Vlorës, doli qetësisht si nga porta e shtëpisë së saj nëpërmjet  ngushticës jugore midis Sazanit dhe Karaburunit dhe lundroi në Jug, në drejtim të Mesdheut…U tha, që ajo nëndetëse u diktua, por nuk u godit për shkak se, mendohej, mos ishte nëndetëse atomike. Goditja ose shpërthimi i saj, do të ishte vetë – shkatërrim i zonës së Gjirit të Vlorës dhe i vet Vlorës. Nën zë, u tha gjithashtu se, kur anijet luftarake shqiptare e diktuan dhe nisën ta ndiqnin me të gjithë fuqinë e motorëve të tyre, ajo, nëndetësja misterioze, lundronte nën ujë me një shpejtësi më të madhe sesa anijet luftarake mbiujëse dhe u largohej gjithnjë e më shumë. Mos vallë ajo nëndetëse “misterioze” ishte një “Nautilus” modern ? Ndoshta !!!

Gjithsesi, për t`iu rikthyer mendimit të diskutueshëm. Kam dëgjuar se nëndetëset i kanë çuar për skrap në kombinatin e Elbasanit!? Duket absurde dhe e habitshme  kjo, kur mendon se eksploratorët kërkojnë në thellësitë e deteve dhe oqeaneve për të zbuluar anije të vjetra një mijë – dy mijë dhe tri mijë vjeçare. Zbulimi i tyre konsiderohet sukses i madh i arkeologjisë. Mbase edhe pas qindra vitesh do të kërkohej më kot ndonjëra prej këtyre nëndetëseve, që koha i përfshiu në një ngjarje të rëndësishme, e cila, më pas, u bë një nga shkaqet që vendi ynë të shkëputej nga kthetrat e Traktatit të Varshavës. Arsyetime të tilla mund të kenë edhe kundërshtitë e tyre, por, si qytetar i këtij vendi, do të thosha se nuk i prish apo nuk do t`i prishte  punë askujt që, sikur edhe njëra nga  nëndetëset të mbahej në muze, si kujtesë dhe relikë  e një të kaluare, qoftë edhe të …“dështuar”…

 

Shënim i autorit: Kërkoj ndjesë, nëse,  në përdorimin e ndonjë termi teknik e shkencor, nuk jam shprehur siç duhet,  pasi njohja ime për nëndetësen është e kufizuar. Ndërkaq, kërkoj ndjesë edhe sepse nuk kam përmendur shumë emra detarësh të shquar të detit, por profesioni im nuk ma mundësonte këtë privilegj. Gjithsesi, si edhe shumë të tjerë, ata janë të nderuar në kujtesën time, ata mbeten heronj të deteve.  Prej kohësh e kam pasur merak ta rrëfej këtë ngjarje, dhe, tani që shkrova çfarë mendova, shpirtin e ndjej më të qetë.