Mbahet manifestimi “ Në rrugëtim me Yllka Domi”
Prof. Myrvete Dula është fituese e çmimit tradicional Yllka Domi që iu nda në manifestimin e mbajtur të premten “ Në rrugëtim me Yllka Domi”. Në kuadër të javës së aktiviteteve kulturore të cilat po organizohen për nder të 14 Qershorit-Ditës së Çlirimit të Gjakovës, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova” organizoi manifestimin tradicional “ Në rrugëtim me Yllka Domi”, poeten e re dhe të talentuar gjakovare e cila me armë në dorë ra heroikisht gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ne ceremoninë e organizuar me këtë rast në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” u nda edhe çmimi tradicional “Yllka Domi”. Këtë vit ky çmim shkoi në duar të veteranes së arsimit Myrvete Dula, për kontributin e saj të çmuar në zhvillimin e arsimit shqip dhe përkrahjen e nxënësve në zhvillimin e krijimtarisë letrare.
Ky manifestim kulturor u përshkruar edhe me recitimin e poezive nga autorë të ndryshëm.
Juria e krijuar enkas për këtë qëllim, çmimin e parë për poezinë më të mirë ia ndau poeteshes Shkëndije Hoda. U shpërblyen edhe Tahir Bezhani, Lan Çyqalla, Flora Peci e të tjerë.
Yllka Domi u vra më 7 maj 1999, në Gjakovë, nga forcat serbe. Thuhet se trupi i Yllka Domit u mbajt peng në gropat e shtetit serb, ndërsa u rivarros me ceremoni më 23 dhjetor 2003, në kodrën e Çabratit të Gjakovës.