Mbi 250 biznese marrin pjesë në Konferencën e Investitorëve
Gjakova të mërkuren ishte nikoqire edhe një veprimtarie me interes të zhvillimit të përgjithshëm. Me organizim të Komunës së Gjakovës, më 29 korrik është mbajtur konferenca e investitorëve, si e para e këtij lloji në nivel lokal në Republikën e Kosovës, e cila vie pas konferencës së donatorëve të mbajtur vitin e kaluar, po në të njëjtin nivel.
Në konferencë kanë marrë pjesë mbi 250 investitorë, ndërkaq gjatë ditëve në vazhdim Komuna e Gjakovës do mbetet në kontakt të vazhdueshëm për të proceduar më tutje me konkretizimin e projekteve në bazë të interesimit që kanë shfaqur investitorët.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila në hapje të kësaj konference, bëri një prezantim të përgjithshëm të projekteve, që kishin për qëllim promovimin e tyre dhe të vet komunës së Gjakovës, si një destinacion me potenciale për investitorë të jashtëm dhe lokal. Kryetarja Mimoza Kusari Lila tregoi për objektivat e kësaj konference siç janë: krijimi i një platforme prezantuese për qytetin e Gjakovës dhe regjionin e saj, prezantimin e mundësive për investime në zonat kryesore aktuale, prezantimin e zonave atraktive të qytetit të Gjakovës, prezantimin e projekteve dhe materialeve promovuese për zonat me potencial investimi, si dhe shkëmbimin e ideve ndërmjet bizneseve, investitorëve, Komunës dhe qytetarëve. Këto projekte janë konkrete dhe ofertuese që disponon Komuna e Gjakovës, si një vend i zhvilluar, i edukimit dhe i kulturës, ka theksuar kryetarja Mimoza Kusari Lila, e cila në këtë kontest ka potencuar edhe disa vonesa për shkak të mos kompletimit të bordeve adekuate që po bëhen nga qeveria qendrore për Zonën e Lirë Ekonomike, Zonën Industriale, si dhe aeroportin e Gjakovës.