Wednesday, April 10, 2024
AktualeGjakova Presss

Medica Gjakova ndihmon gratë dhe vajzat e traumatizuara nga lufta

Intervista: Selamete Peni, udhëheqëse e Medica Gjakova

Selamete Peni
Selamete Peni

Ka përfunduar projekti “Fuqizimi i Grave dhe Vajzave përmes sensibilizimit për çështjet specifike gjinore të shëndetit seksual për të rimarrë kontrollin mbi veten dhe jetën e tyre” financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë

Lufta e fundit në Kosovë ka lënë gjurmë me pasoja  të mëdha. Organizata të shumta vendore e ndërkombëtare që nga viti 1999 kanë shtrirë veprimtarinë e vet për të realizuar projekte që ndihmojnë popullatën në zbutjen e këtyre  pasojave. Shoqata Medica Gjakova po jep një kontribut të madh në këtë aspekt. Lidhur me aktivitetin e kësaj shoqate biseduam me Selamete Penin, udhëheqëse e Shoqatës së Grave “Medica Gjakova”

Fillimisht na thuani  çfarë përkrahje ofron Medica Gjakova?

 Me qëllim te përmirësimit të  gjendjes shëndetësore  mentale dhe fizike, si dhe  të integrimit të tyre në shoqëri, “Shoqata e Grave Medica Gjakova” ofron këshillime psikosociale individuale dhe grupore, këshilla shëndetësore gjinekologjike dhe përkrahje juridike për gratë dhe vajzat e traumatizuara gjatë luftës në Kosovë dhe pas saj. Kjo organizate ka një personel me një përvojë të gjatë profesionale të grave, të cilat përkrahin gratë dhe vajzat – të mbijetuara të formave të ndryshme të dhunës.

Organizata  jonë vepron në Rajonin e Dukagjinit. Ne gjithashtu, që një kohë të gjatë bashkëpunojmë me organizatën Medica Mondiale e.V, me seli në Këln / Gjermani.

Selamete Peni tryeza 1
Tryeza

–      Keni përfunduar projektin “Fuqizimi i Grave dhe Vajzave përmes sensibilizimit për çështjet specifike gjinore të shëndetit seksual për të rimarrë kontrollin mbi veten dhe jetën e tyre” – Cili ka qenë qëllimi i këtij projekti?

Në radhë të parë duhet të theksojë se ky projekt është financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, dhe qëllimi i tij kuptohet dhe nga vet titulli i projektit.

Ne shoqërinë tonë, përkundër faktit se në aspektin ligjor të drejtat e grave janë të parapara në bazë të standardeve Evropiane, prapëseprapë mungon gatishmëria e vet femrave që t’i shfrytëzojnë këto të drejta të parapara me ligj. Kjo vjen si rezultat i mungesës së ngritjes së vetëdijes në mesin e një numri të konsiderueshëm të gjinisë femërore në shoqërinë tonë, prandaj qëllimi ka qenë që gratë të fuqizohen dhe të vet angazhohen për realizimin e drejtave te tyre.  Shoqëria ne përgjithësi duhet të kupton se barazia gjinore është një force gjithëpërfshirëse e shoqërisë, dhe ky është një element mjaft i fuqishëm i cili ndikon në ndryshimin e shoqërisë në përgjithësi. Femrat nuk duhet të konsiderohen si “objekt” por duhet të shikohen si “subjekt”, ashtu që të përfshihen në të gjitha rrjedhat e shoqërisë Kosovare.

Cilat janë aktivitetet që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe të implementimit të projektit?

Gjatë kësaj periudhe 6 mujore të implementimit të këtij projekti janë realizuar aktivitete avokuese, lobizuese dhe te përkrahjes psikosociale dhe shëndetësore për grupet e margjinalizuara të grave dhe vajzave në zonat rurale, kryesisht fshatrat e komunës së Gjakovës, si dhe të grave dhe vajzave të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas të përqendruara në lagjen KOLONIJA të qytetit tonë.

Ne kuadër të aktiviteteve avokuese janë realizuar dy tryeza të rrumbullakëta mbi çështjet e Dhunës në Baza Gjinore, me theks të posaçëm Dhunën Familjare. Tryezat kanë pas për qëllim sensibilizimin e kësaj kategorie të grave me të drejtat e tyre, si dhe njohjen e tyre me format dhe metodat të cilat ato mund ti shfrytëzojnë për ti realizuar këto të drejta. Me pjesëmarrjen direkte të disa grave dhe vajzave në të dy tryezat, ato janë njoftuar nga vet përfaqësuesit e institucioneve relevante se si dhe ku mund të drejtohen për të kërkuar ndihmë në raste se përjetojnë çfarëdo forme te dhunës. Në mesin e rekomandimeve që kanë dalë nga vet gratë, përkundër mundësive që ato mund të shfrytëzojnë nga institucionet relevante, problem kyq paraqet edhe gjendja jo e mirë ekonomike e tyre, e cila në shumë raste i frenon dhe i detyron të heqin dorë nga realizimi i të drejtave të tyre. Pengesa kryesore është siç thonë ato: “Si të vazhdojnë pas prononcimit të dhunës në organet përgjegjëse, pasi që ato në të shumtën e rasteve detyrohen të kthehen në “rrethin vicioz të dhunës”- pasi që kanë mundësi të vazhdojnë të jetojnë me forcat e veta.

Selamete Peni tryeza
Nga punimet e tryezes

Janë realizuar dhe:  një SPOT TV mbi dhunën, i cili është shfaqur në nivel rajonal dhe ka zgjatur 2 javë, si dhe dy emisione në Radio në nivel lokal ku në të dyjat kanë folur edhe vet gratë dhe vajzat por që akoma nuk ndjehen mjaftueshëm të fuqishme të prononcohen. Kjo len për të kuptuar se sensibilizimi si metodë e vetëdijesimit duhet të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Një nga çështjet problematike, që në të njëjtën kohë ka dale edhe si rekomandim nga vetë femrat është edhe shkollimi i tyre. Çka mendoni ju për këtë fenomen?

Po, këtij problemi i kontribuojnë edhe shumë faktor të tjerë, e posaçërisht niveli i ulët i shkollimit të vajzave si në zonat rurale, po ashtu dhe në mesin e vajzave të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas. Përderisa në mesin e vajzave Rome, Ashkali dhe Egjipatase, shkaktare kryesore për ndërprerjen e shkollimit që në klasat e ulëta të shkollës fillore janë mungesa e kushteve ekonomike, dhe martesat e hershme; për vajzat në fshatra ndikon shumë edhe mentaliteti tradicional në bazë të të cilit ju jepet gjithmonë përparësi shkollimit të djemve në radhë të parë e pastaj mund të vijnë në shprehje edhe vajzat. Ky është një diskriminim gjinor, i cili duhet të luftohet me çdo mjet. Edhe më tragjik është fakti se…botkuptimet e vjetra  i “dënojnë” vajzat me mosvijim të shkollimit pas përfundimit të shkollimit fillor duke aluduar se: “vajzat që vazhdojnë të shkollohen dhe të jetojnë larg familjes, mund të mbesin pa u martuar…., dhe mbetja e vajzës në shtëpi është jo vetëm barrë për familjen por në një masë edhe “turpi i familjes”. Ky fenomen i pengon femrat në realizimin e të drejtave të tyre në përgjithësi pasi që ato mbesin gjithmonë të “varura nga familja – konkretisht nga meshkujt që konsiderohen si mbajtës të familjes”.

Selamete Peni tryeza mjekja gjinekologe
Mjekja gjinekologe ne Séance shendetesore

Përkrahja shëndetësore psikosociale dhe gjinekologjike e ofruar për gratë gjatë seancave grupore apo edhe këshillimeve individuale kane ndikuar dukshëm në përmirësimin e gjendjes së tyre emocionale. Ato përpos që kanë fituar sigurinë në vetvete, është ndërtuar dhe besimi i ndërsjellët që ka ndikuar në përmirësimin e lidhjeve të tyre me anëtarët tjerë të familjes, farefisin dhe shoqërinë, dmth, ato tani janë në gjendje të socializohen shumë më lehtë. Te gratë është forcuar vetëbesimi dhe ato janë në gjendje të konfrontohen me situata të ndryshme dhe të ballafaqohen me problemin.

Disa kanë filluar të integrohen në shoqëri, si p.sh duke marrë pjesë dhe duke u aktivizuar edhe vet në dhënien e rekomandimeve për përgatitjen e materialit promovues për avokimin e të drejtave të tyre. Disa prej tyre, përpos dhënies se propozimeve konkrete për material promovues janë aktivizuar edhe vet gjatë shpërndarjes së po të njëjtit material kur është organizuar fushata “Derë me Derë”. Disa prej tyre dijnë se kujt dhe ku duhet të qasen për ndihmë nëse përjetojnë diskriminim në baza gjinore, kryesisht dhunë familjare. Ato kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e këshillimeve psikosociale, pasi që si e dimë në shoqërinë Kosovare kjo është një fushë e re dhe për një kohë të gjatë është konsideruar tabu teme, duke menduar se po të shfrytëzojmë këtë formë të përkrahjes, rrethi do të mendon se jemi të sëmura mentalisht. Kjo bile ka ndikuar që pas një kohe numri i pjesëmarrëseve në grupe te rritet, pasi që një numër i grave dhe vajzave janë rekomanduar nga vet anëtaret e grupit.

Sa i përket ofrimit të seancave grupore shëndetësore gjinekologjike dhe të mjekësisë primare, si dhe konsultave individuale, nëpërmjet tyre gratë kanë arritur që të vetëdijesohen për rëndësinë e vizitave rregullta gjinekologjike; ato e kuptojnë rëndësinë e “screeningut” dhe janë këshilluar që po të kanë mundësi të bëjnë screeningun e rregullt të qafës së mitrës dhe të gjirit. Ka pas raste kur gjatë seancave shëndetësore, e posaçërisht konsultimeve individuale ato kanë filluar të flasin edhe për gjendjen e tyre emocionale, me ç’rast janë rekomanduar te sektori psikosocial për përkrahje psikosociale.

Vajzat kanë mësuar ta njohin trupin e tyre, dhe kane fituar njohuri bazike për sëmundjet transitive, dhe pasojat e martesave të hershme.(Gjakovapress.info)

.