Monday, November 4, 2024
Gjakova Presss

Meja zona e Kufirit me Atdhe – Zonë Martire

Shkruan: Engjëll Berisha

 

14 vjet nga shfrenimi më jonjerëzor i një regjimi

Një nga çmenduritë e mizorisë serbe,  mbush 14 vjet. Kaq vite trishtimi dhe dhembje e pandërprerë për mijëra të prekur nga vrasja më masive e kryer nga policia dhe ushtria serbe më 1999, gjatë së cilës u përpoqën që të zhdukin gjurmët e krimit me çdo kusht, qoftë edhe duke djegur trupat e të vrarëve, në afërsi të kryeqytetit serb, Beogradit. Kjo ishte masakra e Mejës, dhe këto ishin viktimat e para të një strategjie të spastrimit të zonës së kufirit me Shqipërinë.

Emri

Sipas strategjisë shtetërore të regjimit të atëhershëm serb, kjo zonë deri në 20 kilometra ishte e caktuar të konsiderohet zonë e kufirit. Më vonë u caktua të jetë si e tillë 40 kilometra. Kjo nënkuptonte të boshatiset nga banimi dhe të zhduket çdo gjurmë e trashëgimisë e banuar me shqiptarë. Ky elaborat është hasur edhe në projektin e më hershëm të Akademisë së Shkencave kriminale të Serbisë më herët. Këtë fakt e kanë dëshmuar edhe me djegien e banimeve dhe rrënimet totale, ngase banorët edhe sot pyesin po shtëpitë pse i dogjën? I dogjën të zhduken gjurmët e banimit, sipas tyre.

Masakra e njohur me emërtimin “Masakra e Mejes e Korenicës”, është bërë me 27 prill të vitit 1999, në fshatin Korenicë e në Meje të Gjakovës.

Këtë emërtim e merr ngase e tërë vrasja e njerëzve të gjithë Shqiptarë, dhe zhdukja e tyre duke i ndarë nga familjet bëhet në Korenicë dhe në Meje. Ata që u masakruan në këto dy fshatra ishin banorë të Zonës Reka e Keqe, banorë të fshatrave nga Juniku, Batusha, Molliqi, Brovina, Ponosheci, Smolica, Babaj Bokës, Shishmani, Duzhnja, Guska, Nivokazi, Dobroshi, Shishmani, Rracaj, Pacaj, Rripaj, Madanaj, Ramoci, Meja e Korenica.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitet 1998/ 99, shfrenimi jonjerëzor i regjimit të egër Serbë, nga forcat të cilat bënin luftë të pabarabartë mbi civil të pambrojtur, kudo në Rekën e Keqe dhe më gjerë, intensifikuan tortura mbi popullatë si dhe dogjën çdo gjë si në kohën e mesjetës. Tokë e djegur, pa asnjë banor dhe e braktisur nga frymëmarrja shqiptare, ishte synimi i inskenuar nga strukturat më të larta të shtetit të Serbisë.

Nuk e kishte të rastit Serbia hakmarrjen në popullatë shqiptare, kinse reagonte ndaj Forcave Aleate të Botës, ku nën Forcat ajrore të NATO-s bombardoheshin mekanizmat shtetëror të Serbisë dhe kishte ardhur deri te një shkallëzim drastik në Kosovë, me një luftë jashtë të gjitha normave njerëzore.

Zona e Kufirit me Atdhe, Reka e Keqe, është zona prej nga u furnizua me armatim një pjesë e mirë e ushtrisë për Çlirimin e Atdheut.

Pas shumë vrasjeve, torturave dhe futjes së popullatës në izolim total duke e ndjekur nga vendi në vend u mbyllën kufijtë, pikërisht në këtë zonë të kufirit. Izolimi u bë me qëllim të mbahej popullata peng për masakrat e mundshme, natyrisht për tu shfryrë mbi popullatë. Këtë e dëshmon e dhëna ngase nuk e lënin popullin të lirë të lëvizte, por e mbanin në karantinë për veprime.

Rrëfimi

Masakra fillon në Korenicë kah ora 6-të e mëngjesit më 27 prill 1999, me strategji të lartë shtetërore me veprime ushtarake, policore dhe formacioneve tjera, e inskenuar, që do të thotë ishte e përgatitur të mos i lehej asgjë rastësisë. Nga ky skenar kishte qëllim të dëbohet popullata nga banimet, të digjen shtëpitë, të vriten sa më shumë shqiptarë dhe të zhduken kufomat duke i lënë në enigmë për të fshehur krimin dhe për të mbajtur popullin në ankth të dërmohej edhe psikikisht pas torturave fizike dhe shpirtërore. Dhe e tëra ndodhi pikërisht këtë ditë dhe vetëm për disa orë. Këtij skenari iu bashkuan edhe serbët e malaziasit, banorë përreth, fqinjë tanë.

Epiqendra ishte në fshatin Meje, tek shkolla fillore, prej nga koordinoheshin dy akset rrugore: në drejtim të pikës kufitare kah Korenica dhe në drejtim të Lugut të Çarragojës. Në njërën anë, Korenica, ishte fshati i fundit i banuar në Zonën e Rekës së Keqe, dhe ishte i mbushur me të strehuar. Në anën tjetër kishte po ashtu edhe pakë banorë të strehuar pas dëbimeve nga vendet e veta në fshatrat e Lugut të Çarragojës si në Dobrosh, Sheremt, Rracaj, Rripaj, Ramoc, Madanaj dhe në Meje.

Një tjetër plan ishte të zhduken kufomat për të mos e pranuar fajin. Kështu edhe ndodhi, krejt e inskenuar, vrasje pa asnjë gjykim, pa asnjë faj, pa zgjedhur mosha, as gjini, vetëm pse ishin shqiptar, vetëm pse qëndronin edhe më tej në Kosovë, duke i dhënë kuptimin tokë e banuar me shqiptarë.

Veprimin e bënë forcat e formacioneve ushtarake duke mbajtur sigurinë, ndërsa paramilitarët kryenin veprat. Policët shtetëror po ashtu kryenin vrasje dhe dëbime si dhe mbanin raporte dhe programime në përmbushje të skenarit.

Strategjia e veprimit

Edhe këtu bëhej taktikë veprimi. Disa i vrasin aty për aty sipas skenarit nëpër shtëpi madje edhe duke i djegur, disa i dëbojnë dhunshëm nga shtëpitë ku një tjetër grup policësh dhe paramilitarësh i ndalon në fshatin Meje te shkolla. I plaçkitin familjarët, ua marrin të gjitha dokumentet dhe sillen egërsisht duke i deportuar përtej kufirit, shumicën në Shqipëri.

Nga ai moment nuk u panë më kurrë, statusi i të cilëve quhej, – të zhdukur, – deri në majin e vitit 2003, kur edhe identifikohen dhe riatdhesohen 43 kufomat e para.

Ky ishte kontingjenti i parë që riatdhesohen me kufomat e gjetura nga varrezat masive në Batajnicën famëkeqe afër Beogradit. Më shumë se 500 kilometra ishin dërguar kufomat larg vendit të ngjarjes, për ta fshehur krimin.

Ky është rasti më i rrallë në botë, të dërgohen aq larg kufomat për zhdukje të krimit në një poligon ushtarak.

Një tjetër veprim taktik ishte edhe grumbullimi i një grupi tek pika e karburantit “Duzhmani petrol” në Korenicë, të cilët sigurisht janë përdorur për ndonjë strategji apo veprim dhe janë parë të gjallë deri në mesin e ditës, me tyta pushkësh mbi kokë. Më vonë ata janë gjetur të fshehur në Batajnicë.

Sipas dëshmitarëve, disa prej të vrarëve nëpër shtëpitë e tyre, 25 – 30 veta, janë bartur dhe futur në një gropë masive në varrezat afër rrugës në mes të fshatit Korenicë. Më vonë kufomat janë nxjerrë nga aty dhe janë dërguar në Batajnicën famëkeqe, ku janë hapur 8 varreza masive me shqiptarë që quheshin të zhdukur.

Deri në mbarimin e luftës fshati i është rrëfyer Zotit në Vetminë e Madhe si dhe e tërë Reka e Keqe, pa asnjë banor deri në çlirim. Banorët të plaçkitur ishin dërguar në drejtime të ndryshme. Edhe pas kaq vitesh , kriminelët enden të lirë, qoftë ata që e kryen krimin, bashkëpunuan apo e fshehën… ndoshta, mos ndëshkimit të tij po i ndihmon edhe mos interesimi i Kosovës.

Kufomat u bartën 500 kilometra larg për ta fshehur krimin. Por, si çdo krim tjetër, pavarësisht kryerjes me sofistikim të lart, ai u zbulua…bashkë me dhembjen që nuk do të shuhet.