Friday, March 29, 2024
AktualeLajme

Mijëra qytetarë në varrimin e Zarushit

 varrimiVeprat e nderojnë njeriun.  Në prezencën e mijera qytetarëve, personaliteve dhe figurave publike, të hënen pasdite me nderime të larta qytetare u varros Gjylgjyzare Karraxhia Xharavina, këshilltare e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, njiherit edhe shefe e grupit të këshilltarëve në Kuvendin Komunal të partisë politike AKR. E ndjera , pas një aksidenti të ndodhur me biçilketën e saj derisa po shkonte në vendpunim në spitalin rajonal “Isa Grezda”, ka ndërruar jetë me datë 25 janar, të shtunën. Përkundër përpjekjeve maksimale, për shkak të lëndimeve të rënda të pësuara, këshilltarja më e votuar e në zgjedhjet e fundit në Komunën e Gjakovës, nuk u rezistoi plagëve. Në nderim të figurës së saj gjatë ditës janë mbajtur mbledhje komemorative, tri sosh, nga Komuna, AKR-ja dh spitali “Isa Grezda” si dhe janë bërë homazhe ku kanë marrur pjesë me mijëra e mijëra qytetarë. Në varrim, pos kryetares së Komunës, Mimoza Kusari Lila me bashkëpunëtorë kanë marrur pjesë edhe zv.kryeministri dhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, si dhe përfaqësues të shumtë të subjekteve politike dhe të jetës
Gjylgjyzare-Keraxhija-Xharavina-1
Në ditën e varrimit të këshilltares së Kuvendit të Komunës, Gjylgjyzare Karagjia Xharavina (1967), Komuna e Gjakovës ka organizuar agjendën e ceremonisë së varrimit, të cilës i ka paraprirë mbledhja komemorative.
Në fjalën e saj ngushëlluese, kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila ka folur me dhimbje të thellë dhe pietet për bashkëpunëtorën e saj, njiherit edhe kryetare e grupit të këshilltarëve komunal të AKR-së.
Fjalën  prekëse të kryetares Mimoza Kusari Lila Mimoza Kusari Lila po e botojmë në tërësi. Në mbledhje komemorative kanë folur edhe zv.kryeministri dhe president i AKR-së, Behgjet Pacolli, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Luan Gola dhe Fehmi Xharavina, bashkëshorti i së ndjeres, fjalët e të cilëve janë të postuara pas fjalës së kryetares Mimoza Kusari Lila.
mimozaTë nderuara familje Karaxhia dhe Xharavina!Lajmi për humbjen e Zarushit na tronditi të gjithëve pa masë!Nuk e kam aspak të lehtë sot të flas për një mike, një nënë, grua dhe motër,  një  bashkëpartiake, e të them se veprimtaria e saj u shua. Shuarjen e veprimtarisë së çmuar të znj.Gjylgjyzare Karaxhia Xharavina nuk mund ta ndiejmë sot, as nesër, e as ditëve në vijim. Zarushi në mënyrën e saj u sigurua që edhe për këtë ditë, të gjithë ne të jemi të angazhuar. Zarushi nuk lejonte diçka të dështonte, e bënte në mënyrën e saj më të mirë dhe puna jonë kishte sukses. Këtë e pamë edhe sot, dje dhe që nga dita kur ndodhi aksidenti tragjik. Zarushi la aq shumë pas vetes, sa do të shkojnë javë, muaj e vite e nuk do të mund të konsumohen veprat dhe puna e saj.Më e vështira është të flas për miken e cila më qëndroi pranë para pak ditësh, dhuroi  buzëqeshje, mirësi dhe përkushtim për të ndritur të ardhmen e vajzës së saj, Natyrës, dhe shumë të rinjëve e të rejave të Komunës së Gjakovës.E dashura Natyra! Ti humbe mamin, por dije se sot nuk je vetëm. Rreth vetes ke shumë miq , të cilëve mami yt u la gjurmë në jetën e tyre. Mami ndau një buzëqeshje, mori mbi vete një hall të tyrin, u mundua të zgjidh problemet, e nëse jo më shumë, ajo u ul për kafe dhe ndau çokolata për ta. Dhembjes tënde i janë bashkuar me qindra vëllezër dhe motra, të cilët erdhën në jetë falë humanizmit dhe profesionit të shenjtë të Zarushit. Mami jot edhe pse të kishte TY, si të vetmen vajzë të veten, në duar mbajti shume djem e vajza të cilët e patën Zarushin, njeriun e parë që i priti në këtë botë.  Zarushit, për ty nganjëherë  i shpëtonte pika e lotit se ti i shkove në Prishtinë dhe ajo ndjehej paksa e vetmuar pa vajzën e saj. Por, siç dinte vetëm ajo, me mjeshtëri do të gjente të tjerët për të biseduar, buzëqeshur dhe për të ndihmuar. Të rinjët tanë të AKR-së do e mbajnë mend si njeriun që me besnikëri ju qëndroi afër, i mbajti me shpresë dhe optimizëm dhe kur në ditët më të vështira tonat, kur filluan të humbin shpresat, Zarushi ndezi prapë zjarrin e aktivizmit.

Natyra, mami të ka lënë shumë shoqe dhe motra të cilat do të qëndrojnë afër, edhe pse do të jetë e vështirë për  ta zëvëndësuar atë grua të çmuar.

I nderuari Qaqi! Të falënderojmë nga thellësia e zemrës për gjithë përkrahjen dhe motivimin që la ofrove Zarushit. Ajo të kishte shtyllë të fortë, por ishte grua që gjithmonë rrezatonte siguri dhe vendosmëri. Ju na dhatë shembullin e bashkëjetësës dhe barabarësisë së mirëfilltë.

Përkundrejt faktit se Zarushi kishte mbështetje të madhe nga bashkëshorti i saj, ajo gjithmonë mendonte për ata të cilët kanë nevojë për mbështetje. Sa herë diskutonim për projekte në kuadër të Forumit të Gruas, Zarushi përmendte nënat vetë-ushqyese. Komuna jonë ka shumë prej tyre. Zarushi bashkëndjente me secilën dhimbje dhe secilin rast. Zarushi, ashtu sikur disa prej ne këtu, refuzonte të ndjehej në shoqërinë tonë, qytetare e rendit të dytë. Ajo luftonte edhe për tjerat, ajo besonte në barazi, ajo e ushtronte barazinë.

Zarushi ishte e bukur në mënyrën e saj. Zarushi ishte e bukur se ishte vetvetja. Ajo nuk punonte të pranohej nga të tjerët, ajo e kishte pranuar veten e saj dhe reflektonte siguri për këtë.

Përvoja e saj në sektorin e shëndetësisë e bëntë shumë herë më vigjilente për sëmundjet e ndryshme të cilat mbizotërojnë tek ne. Na la shumë ide dhe projekte të cilat me fanatizëm do ti vazhdojmë për të treguar se vepra e saj do të mbetet gjithmonë e gjallë.

Zarushi ishte grua krenare. Nëse dikush i merr femrat e sjellshme si naive apo të lehta për të përfituar diçka padrejtësisht, sikur të kishin provuar një skenar të tillë me Zarushin, do ta kuptonin se kanë gabuar rëndë. Zarushi, dinte edhe të kthehej në një grua luftarake, këmbëngulëse dhe e përcaktuar ta çojë deri në fund drejtësinë për të cilën ajo luftonte. Zarushi në fushatën e fundit i përcaktoi qartë vijat e teritorrit të saj. Ajo ishte punëtore e palodhur, njeri i dedikuar të marrë informatat për krejt situatën në terren, por edhe kolege e sinqertë dhe e sigurt në qëllimin e saj.  Zarushi ishte afër grave, afër të rinjëve dhe grupeve të margjinalizuara. Zarushi ishte e veçantë.

Zarushi nuk i gjykonte njerëzit, ajo i donte ata. Ashtu sikur ka thënë nëna jonë e madhe, Nënë Tereza: “Nëse i gjykon njerëzit, nuk ke kohë ti duash ata”. Zaruashi i donte njerëzit pa dallim dhe pa interes.

Zarushi, kishte shumë specifika. Mirësjellja ishte karakteristikë e karakterit të saj. Në mënyrën më unike të mundshme Zarushi thoshte: “Faleminderit”! Ajo falënderohej për shumcka, për jetën, për buzëqeshjen, për respektin. Shpesh kemi qeshur me të, shpesh e kanë imituar, Ajo ka qeshur bashkë me ne, qoftë edhe në sallën e mbushur përplot me njerëz. Buzëqeshte nga zemra, e dinte se kjo ishte çfarë lidhë miqtë dhe mbanë gjallë shpirtin.

Të dashur miq!

Zarushin do e mbaj mend gjithmonë si një grua e cila arrinte kudo. Mirësia dhe buzëqeshja e saj reflektonte në çdo takim, mbledhje, bisedë por edhe në çastet kur ndjeheshim më të pasigurtë.

Zarushi e kishte planifikuar të ardhmen ndryshe. Atë e bisedonte me ne. Të gjithë e dinim se cili do jetë angazhimi i saj i radhës, por fatkeqësisht nuk e ditëm se i madhërishmi kishte një plan tjetër për të. Zarushi ka dalë fituese në të gjitha betejat e saj.

Mahatma Gandhi ka thënë: Në fillim të injorojnë, pastaj të përqeshin, pastaj të luftojnë dhe në fund ti fiton. Në mënyren e saj ajo fitoi, por le të shërbejë si inspirim për ne dhe të tjerët kjo thënie të mos dorëzohemi. Shëmbëlltyra e saj le të na bind se çdo gjë është e mundur.

Vepra  e  Zarushit ishte shumë më e madhe se sa fjalët që unë po flas. Dashurinë dhe mirësjelljen e saj e kemi ndjerë të gjithë në shpirt, andaj më duhet të them se çdo ditë ajo do zë një vend në angazhimet tona, sepse mjafton ta kujtojmë vetëm buzëqeshjen e saj dhe patjetër që do motivohemi më shumë për të plotësuar edhe dëshirën e madhe që kishte për një Gjakovë të zhvilluar me mirëqenie për të gjithë.

Krejt në fund dua të përkujtoj nënën e Natyrës, me fjalët e Nënës tone Tereze:

Jeta është mundësi, shfrytëzoje

Jeta është bukuri, admiroje

Jeta është lumturi, shijoje

Jeta është endërr, realizoje

Jeta është sfidë, takoje

Jeta është detyrë, përmbushe

Jeta është një ndeshje, luaje

Jeta është premtim, mbaje

Jeta është pikëllim, tejkaloje

Jeta është këngë, këndoje

Jeta është betejë, pranoje

Jeta është tragjedi, përballoje

Jeta është avanturë, sfidoje

Jeta është fat, bëje

Jeta është tepër e çmuar, mos e shkatërro

Jeta është jetë, lufto për të

Pse u dorëzove Zarush???

Të dashur familjarë! Uroj të gjeni forcë për të zbutur dhembjen e madhe, por njëkohësisht ju them se duhet të jeni shumë krenarë për një nënë, grua, motër dhe shoqe që kishit. Zarush e dashur, pusho e qetë në parajsë! Jemi krenarë që të patëm!

Të pikëlluar që të humbëm! Do na mungosh shumë! Le të prehet shpirti yt i bardhë në paqe në parajasë!

Në emër të subjekteve politike në Kuvendin e Komunës ka ngushëlluar Luan Gola, kryesues i Kuvendit.  Zarushi ka qenë aktiviste, veprimtare, punëtore dhe edukatore e palodhshme.. Sidomos e palodhshme ka qenë në realizimin e detyrave të parashtruara dhe me titullin e saj master të Infermierisë  ka qenë e afërt dhe e dashur me pacientë. Gjithashtu, Zarushi ka qenë iniciatore e parë për themelimin e një subjekti të ri politik, AKR dhe ishte asambleistja më e votuar në Komunë dhe ndër më të votuarat në vend, dhe ishte për përmirësimin e rolit të gruas në shoqëri.

Në emër të qeverisë së Kosovës dhe të subjektit partiak AKR, ka ngushëlluar Behgjet Pacolli, i cili ka kujtuar se Zarushin e ka njohur që në vitin 2006, në atë vit ku z.Pacolli kishte themeluar subjektin e tij partiak. “Gjyjgjyzare Karagjia Xharavina-Zarushi, ka qenë një mike ime e madhe, porse njiherit ajo kishe edhe miq të shumtë në Kosovë. Vepra dhe puna e saj do të jetojnë gjithnjë me ne. Zarushi, ishte bashkëpunëtorja ime e parë nga Gjakova dhe gjithnjë ka qenë besnike dhe e tillë mbeti në zemrat dhe mendjet tona” është shprehur zv.kryeministri Pacolli në fjalën e tija ngushëlluese.

Në emër të familjes për ngushëllime dhe kohën që u gjendën pranë të ndjesrës që nga momenti i aksidentit e deri në shprehjen e ngushëllimeve dhe organizimeve tjera, ka falënderuar bashkëshorti i së ndjerës, Fehmi Xharavina.

Mbledhje kommeative janë mbajtur edhe  nga spitali rajonal “Isa Grezda” ku punonte e ndjera si dhe nga subjekti politik AKR-, Dega në Gjakovë, anëtare e së cilës ka qenë që nga themelimi. Gjithashtu, para varrimit janë mbajtur edhe homazhe publike.