Saturday, August 31, 2024
AktualeKulturë

Mitingu i Poezisë2015 në shenjë të Teki Dervishit

Teki_DervishiKanë filluar kohë më parë përgatitjet për manifestimin unik letrar dhe më me traditë, Mitingut të poezisë. Pas Din Mehmeti e Ali Podrimes, Mitingu i Poezisë, i 51-ti me radhë, do t’i kushtohet një tjetër figure emblematike të letrave shqipe.

Ky edicion i manifestimit më të madh letrar në vend, që pritet të mbahet në ditët e para të muajit maj në Gjakovë, do t’i kushtohet poetit e dramaturgut Teki Dervishi, me idenë për të vazhduar me dedikime të tilla edhe në edicionet e ardhme, për figura tjera, siç janë Enver Gjerqeku, Besim Bokshi e të tjerë. Këtë e ka konfirmuar Gentiana Muhaxhiri, kryetare e Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, organizator i këtij aktiviteti kulturor.

Ajo ka bërë të ditur se kryesia e Klubit e ka mbajtur mbledhjen e vet, në të cilën kanë marrë disa vendime që lidhen me organizimin e Mitingut, e me të cilët shpresojnë ta ketë edhe një tjetër edicion të suksesshëm.

“Ky edicion do t’i kushtohet Teki Dervishit, një personalitet që i ka dhënë shumë jo vetëm Gjakovës e Kosovës por tërë shqiptarisë. Për këtë, si temë të Tribunës tradicionale Letrare e kemi përzgjedhur ‘Veprimtaria letrare e Teki Dervishit’, ku pritet të referojnë emra të njohur dhe njohës të mirë të veprës së Dervishit. Gjithashtu e kemi hapur konkursin për veprën më të mirë të botuar mes dy mitingjesh, vepër e cila nderohet me çmimin tradicional ‘Din Mehmeti’”, ka thënë Muhaxhiri, teksa ka njoftuar se ky konkurs është hapur më 18 mars dhe do të mbyllet më 15 prill të këtij viti.

E ashtu sikurse edhe në vitet e fundit, edicioni i 51-të i Mitingut të Poezisë do të ketë formatin pothuajse të njëjtë të organizimit, duke përfshirë promovimin e titujve të ndryshëm në kuadër të javës së Mitingut, për të vazhduar me orë letrare për fëmijë, e gjithashtu edhe orë letrare për të rritur, në ndonjërin prej qyteteve jashtë Gjakovës, siç ka ndodhur në të kaluarën kur orë të tilla janë mbajtur në Bajram Curr të Shqipërisë ose në Junik.

Tribuna letrare kushtuar Teki Dervishit si zakonisht mbahet në ditën finale për të kulmuar gjithçka në të njëjtën mbrëmje me orën e madhe letrare apo aktivitetin qendror të këtij evenimenti.

Në këtë mbrëmje ndahen disa çmime, në mesin e tyre edhe çmimi “Yllka Domi” për debutanten e Mitingut, çmimi “Din Mehmeti” për veprën më të mirë të botuar në mes të dy mitingjeve, dhe çmimi “Ali Podrimja” për poezinë më të mirë të lexuar në këtë mbrëmje.

gentianamuhaxheri inernet
Gentiana Muhaxheri, kryetare e KL Gjon Nikollë Kazazi

“Kemi paraparë disa befasi dhe disa risi për këtë edicion, por kryesisht kemi vendosur ta ruajmë bërthamën tradicionale të Mitingut”, ka thënë Muhaxhiri, duke insistuar që këto risi t’i lërë surprizë për ditët në vazhdim.

Muhaxhiri ka disa muaj  që është zgjedhur në krye të Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, dhe detyra e parë i ka takuar të jetë pikërisht organizimi i Mitingut.

“Të jesh në krye të Klubit Letrar ‘Gjon Nikollë Kazazi’ është një detyrë dhe një përgjegjësi e madhe për të gjithë sepse ky klub mbart mbi supe 6 dekada veprimtari letrare e kulturore. Megjithatë, është pikërisht kjo traditë e fuqishme e Klubit që po më nxit të punoj shumë dhe ta mbaj cilësinë me të cilën është identifikuar ky klub”, ka thënë Muhaxhiri, teksa ka shtuar se përpos organizimit të Mitingut, ajo është duke punuar edhe për organizimin e aktiviteteve tjera letrare, me të cilat pritet të ngjallet edhe më tej ky segment i kulturës.

“Viteve të fundit sikur është harruar apo po punohet më pak me krijuesit e rinj, prandaj ne si klub kemi marrë iniciativë që në bashkëpunim me shkollat të nxisim më shumë aktivitet me gjeneratat e reja. Në bashkëpunim me Drejtorinë komunale të Kulturës të shtunën, me rastin e 21 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Poezisë, kemi organizuar një orë të madhe letrare, me pjesëmarrjen e nxënësve nga të gjitha shkollat e komunës sonë. Jemi të vendosur të organizojmë aktivitete të tilla edhe në të ardhmen, në mënyrë që ta mbjellim dashurinë për poezinë që në atë moshë, dhe të piketojmë talentët e rinj që do të jenë e ardhmja e poezisë”, ka përfunduar kryetarja e re e Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, poetesha Gentiana Muhaxhiri.