Wednesday, April 3, 2024
Intervista

Myrvete Dula: Dashuria për arsimin e brezave

Intervista: Myrvete Dula, fituese e mirënjohjes së Ministrisë së Arsimit për kontribut të veçantë në fushën e arsimit dhe edukimit

 7 Marsi –Dita e Mësuesit dhe  8 Marsi-Dita Ndërkombëtare  e gruas,  që njihet si  Dita e Nënës, janë festa kur nderohet sakrifica dhe përkushtimi për  dije si dhe i gjitha grave në botë, në familje, në shoqëri, në punë e kudo. Këto data janë edhe një   rast për të rikujtuar  se gruaja shqiptare është themeli familjes dhe bazament i shëndosh i shoqërisë demokratike.  Femra gjakovare, në gjitha periudhat,  është dëshmuar si e zonja në çdo fushë të jetës e punës. Ajo përkrah meshkujve u radhit edhe në frontet e luftës për çlirim e pavarësi të Kosovës. Arsimi dhe edukimi i brezave të rinj, në shoqërinë kosovare gjithmonë ka qenë preokupim i dorës së parë, sepse me dije fitohen betejat e zhvillimit të përgjithshëm. Pjesa dërmuese e mësimdhënësve janë femra. Ato tashmë janë dëshmuar si eksperte të kësaj fushe. Janë pikërisht këto data një rast për të vënë në pah shembuj të femrave të suksesshme gjakovare. Mësimdhënësja Myrvete Dula, u nderua me mirënjohjen për kontribut të veçantë në fushën e arsimit dhe edukimit, që e ndau Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, si mësuesja më e dalluar e komunës së Gjakovës. Ky ishte shkas për të bërë një intervistë të shkurtër.

Si ndjehet një mësimdhënëse kur nderohet mundi dhe sakrifica për punën e bërë me dekada?

Natyrisht se ndjesia është e veçante dhe domosdo të sjellë emocione duke reflektuar punën time dyzet vite të të qenit edukatore dhe mësimdhënëse në një vatër arsimi. Është më tepër se si një letër, më shumë se një kompensim material. Është pranim i shoqërisë, i institucioneve për punën që ke bërë. Kjo është vlerë.

Sa janë të rëndësishme organizimet e institucioneve arsimore për të nderuar punën e pedagogëve?

Organizimi i institucioneve arsimore për të nderuar dhe vlerësuar punën e pedagogeve është shumë i rëndësishëm sepse shtohet motivimi dhe elani për te ecur me tej dhe për të arrit sukses në këtë fushë.

Kemi kremtuar 7 dhe 8 Marsin. të dyja festa të lidhura me femrën, sepse në arsimin tonë më tepër ka mësimdhënëse femra. Sa janë të zonja femrat për tu ballafaquar me detyrë të rëndësishme në shoqërinë tonë?

Femra ka shumë role në jetën e saj. Së pari,  të jesh nënë është një ndër sfidat kryesore që ke për rritjen dhe edukimin cilësor të fëmiut. Rrugëtimin e ke të vështirë, por kur diçka synon në jetë atëherë mundë të arrish. Femrat janë treguar në vazhdimësi të zonja në shumë detyra. Nënat tona shqiptare janë dëshmuar si themeli i familjes dhe shoqërisë.

Edhe nënë edhe mësuese. Sa po arrini të përmbushni obligimet e çdoditshme profesionale?

E,  po çdo gjë e organizuar me kohë të drejton kah i realizimi i synuar më parë. Unë këtë, besojë se ia kam arritur me një planifikim të mirë të kohës.

Si nisi rrugëtimi juaj drejtë arsimit të brezave të rinj. Pse u përcaktuat për këtë profesion?

E desha këtë profesion dhe motivim kryesor ishte se unë kam jetuar në një familja arsimdashëse ku vajza e xhaxhait tim Florije Myha ishte ndër mësueset e para ne Gjakovë , e më pastaj gjitha vajzat në këtë familje zgjodhën këtë profesion duke arsimuar gjenerata radhazi për një gjysmë shekulli. Ma thuaj a s’është e bukur kjo?!

40 vjet me ditar në dorë dhe ende ndjejeni e palodhshme. Ku është fshehtësia?

Nuk ka ndonjë fshehtësi, thjeshtë është punë e lodhshme të punosh me karaktere të ndryshme,  por kur ke rezultate të sjellë kënaqësi.

 Sa është i vështirë profesionin i mësimdhënëses?

Është punë sfiduese, e ndërlikuar dhe vërtetë duhesh të jesh pedagog, aktor hulumtues, psikolog, pra duhesh ti posedosh të gjitha për të mbizotëruar procesin mësimor, dhe kur nxënësi mëson , ti çlirohesh shpirtërisht, rinohesh dhe mendon me vete : ja , po më shpërblehet puna,  sa kënaqësi!.

 Cilat janë vështirësitë dhe cilat janë kënaqësitë që merr mësimdhënësi duke ushtruar këtë profesion?

Po,  jam e lidhur ngushtë me gjimnazin dhe për asnjë çast nuk kam menduar ta braktisë atë, edhepse mundësi tjera më janë ofruar, sepse aty fillova hapat e parë, u mishërova me nxënësit, kam koleget e mi të shkëlqyer që kalojmë kohën së bashku, konsultohemi dhe punojmë për të arritur rezultate të larta.

Jeni e lidhur ngushtë me Gjimnazin. Pse?

Secila shkollë ka rendësin dhe specifikat e saja, por gjimnazi duhet të rrezatoj edhe me    dukshëm nga të tjerat për të mbajtur traditën 60 vjeçare që nga themelimi i tij në vitin  1953 .

Keni punuar në kushte të vështira ndërsa tash keni objektin e ri. Sa është kjo motivuese  për nxënës dhe mësimdhënës?

Objekti i ri natyrisht se është motivues për të gjithë në, nxënës dhe arsimtar,. Kushtet janë më të mira por akoma duhet bërë dhe kjo me ndihmën e drejtorisë se shkollës,  që po punon pareshtur në këtë drejtim,  për ti plotësuar ato.

Gjimnazi gjithmonë ka qenë vatër e brezave të dijes, e të rinjve të suksesshëm, sepse është punuar me kritere të larta. Si ta mbajmë këtë traditë?

Vetëm me punë të përbashkët të gjithë neve. Për një shkollë të suksesshme duhet të funksionojnë të gjithë: Nxënësi me vijueshmëri të rregulltë në mësime dhe disiplinë, mësimdhënësi me përkushtim pune, prindi duke nxitur fëmijët, shoqëria duke krijuar infrastrukturë të nevojshme shkollore…pra të gjithë bashkërisht.

Si ta ngrisim cilësinë e arsimit?

Cilësia e procesit mësimor rritet gjithnjë e me tepër duke organizuar gara në lëndë të ndryshme si brenda shkollës ashtu edhe jashtë saje, gjë që i largon nxënësit nga dukurit negative.

Ligjëroni gjuhën angleze. Sa e kanë në “qejf” nxënësit këtë gjuhë?

Po, unë ligjëroj gjuhen angleze dhe nxënësve u pëlqen shumë kjo lëndë sepse vet natyra e lëndës dhe rëndësia e sajë në fushën e teknologjisë dhe shkencës u sjellë kënaqësi  dhe i stimulon ata që të studiojnë me thellë gjërat.

 Cila do të ishte porosia juaj për 7 dhe 8 Mars?

Ju uroj  7 Marsin të gjithë mësimdhënësve, dhe u them ta zgjedhin këtë profesion vetëm nëse vërtetë e donë, kurse të gjitha nenave ju uroj 8 Marsin.  Bëhuni aktive në çdo fushë jetësore se kjo do të ju sjellë kënaqësi, begati dhe miqësi në jetën tuaj.( zeki vehapi)