Friday, November 17, 2023
Gjakova PresssKulturë

Na ishte dikur shoqëria “Gajreti”

Kujtime nga Ali Juniku

Qyteti i Gjakovës me shekuj ka kultivuar muzikën. Grupe e këngëtarë të shquar kanë kultivuar këngën e mirëfilltë qytetare, ndërsa ahengjet familjare kanë qenë vendet më të përshtatshme ku ata kanë prezantuar talentin e tyre për këngën. Një nga shoqëritë muzikore që ka lënë gjurmë në muzikën gjakovare është edhe shoqëria “Gajreti”. Veprimtari i shquar i muzikës dhe këngëtari Ali Juniku ka ruajtur kujtimet për këtë grup muzikor. Bashkë me kujtimet për shoqërinë ai ka sjellë edhe foto të asaj kohe.

shoqeria Gajreti 2 Ali JunikuKush ishte shoqëria muzikore “Gajreti”?

Ishte një shoqëri, muzikore autoktone gjakovare, ndërsa përveç kësaj,  shoqërie ka pasur edhe disa grupe të tjera me instrumentalistë të vetë të cilët në atë kohë kanë bërë muzikë vetëm nëpër  lagjet e veta, kurse shoqëria “Gajreti”, ka qenë shoqëri dominuese e muzikës burimore gjakovare, asaj elbasanase (të  Isuf Myzyrit) dhe këngëve shkodrane të asaj kohe. Kjo shoqëri ka vepruar në kohën kur  ekonomia gjakovare dhe kosovare ka qenë fare në nivel të ulët. Një numër i gjakovarëve janë marrë me ndonjë zeje, kurse pjesa më e madhe, janë marrë kryesisht me bujqësi, blegtori, njëkohësisht edhe me pylltari,  me bartjen e druve prej pyjeve dhe shumica kanë punuar në pesë muajt e verës për të mbijetuar në shtatë muajt e dimrit, sepse  ka qenë varfëri e madhe.

Si organizoheshin dasmat në atë kohë?

Deri në vitet 1960, dasmat më së shumti në Gjakovë janë bërë gjatë sezonit të vjeshtës, atëherë kur janë mbledhur të lashtat verore. Synetit, martesat apo ndonjë lindje e djalit, është shoqëruar me muzikën e  shoqërisë “Gajreti” pasi është ftuar  prej të  zotit të shtëpisë. Kjo shoqëri ka pasur rregullat e veta. Kur ka nisë kënga të këndohet qetësia ka qenë në nivel të lartë se muzika është bërë në dhoma si verës apo dimrit më së shumti se nuk ka pas kurrfarë lloj teknike për zmadhimin e zërit. Muzika është bërë nëpër sofra të mëdha gjakovare në të cilën sofër, pos mezes së atëhershme d.m.th, pjata  djathi apo speci turshi , rakia ka qenë e kufizuar për këngëtarët dhe instrumentalistët dhe nuk ka pasur mundësi që të ngritën gotat (filxhanët) aq shpesh sepse një rend këngësh ka zgjatë një orë e gjysmë apo dy orë. Çdo këngë ka pas shtatë deri në tetë strofa, ndërsa kënga është dëgjua me vëmendje dhe me ëndje. Shumica kanë qenë të interesuar që ta dinë historinë e këngës si asaj të trimërisë, dashurisë apo të këngëve të  mjerimit.

Kush ishin këngëtarët e shoqërisë “Gajreti” të asaj kohe?

Më kujtohet shumë mirë se edhe unë si i ri kam shkuar nëpër ndeja. Prijës i këngëve ka qenë i ndjeri Ahmet Pylla, maestro i violinës të asaj kohe, Musa Peja, Halim Sahatqia, Hamëz Kaqi, Xaj Gola, Qamili i vogël, Ush Katona dhe Malush Stublla. Me instrumenta kanë qenë Ahmet Pylla, Ymer Riza, Myftar Qaushi (Gjoki), Sadik Murat Kola, Ahmet (Malushi) Stublla, Ahmet Kola. Këta ishin gjatë viteve 1958/59, 60 deri në vitin 1961. Kur në atë kohë vdesë mjeshtri i madh i sharkisë Ymer Riza. Shoqëria “Gajreti” i ka pasur edhe valltarët e vet që i luajshin vallet me traditë të mediumeve shqiptare, kanë qenë si Lah Shyti, Ahmet Llapaqi dhe Ahmet Kola i cili luante valle me shishe të mbushur me ujë të vendosur në kokë. Meqenëse në atë kohë ka pas edhe komik, siç kanë qenë Shefqet Koci, Ban Zhubi dhe Myftar Qaushi.

Si ishte e organizuar Shoqëria Muzikore  “Gajreti” dhe si janë mbajtur sofrat gjakovare ?

Shoqëria “Gajreti” kishte stafin e vet në krye me të ndjerin Sadik Bedra, si “Qehajë”, i cili  ka pasur për detyrë që të kujdeset për mirëvajtjen e ndejës, që të  mbahet qetësia gjatë ekzekutimit të muzikës, pastaj ka përcjell të gjithë anëtarët e shoqërisë jo vetëm ata që kanë bërë muzikë por edhe ata anëtar të tjerë të cilët kanë qëndruar  nëpër mindera dhe kanë dëgjuar muzikën. Se,  përveç dasmave janë organizuar edhe ndeja prej sezonit të vjeshtës e deri me 21 mars për çdo të shtunë. Në ato ndeja i zoti i shtëpisë i cili e ka pas rendin,  ka pas për detyrë, dy litra raki për meze si ju thash më lartë pak djathë, kos apo speca turshi. Sa i përket mezes me mish rrallë herë ka pas e më shumë jo.

Mbrëmjet muzikore që janë mbajt në atë kohë (renat) aty është mbledhur fondi nga  anëtarësia prej çdo anëtari të grupit “Gajreti”. Shoqëria  e ka pas arkëtarin e vet të ndjerin Hamid Xhehnemi. Ato të holla janë mbledhë gjatë atij sezoni kështu që më 21 mars natën e sulltan Nevruzit janë kujdes te disa familje gjakovare të cilat kanë qenë në kushte të vështira ekonomike apo ata djem kanë qenë jetimë pa babë, i kanë marrë e i kanë bo synet. Përveç synetisë i janë blerë rroba si pizhame, këmishë e kapuç të synetisë të asaj kohe. Përveç këtyre që i përmenda vlen të theksoj se me rastin e synetisë është marrë ashqija (kuzhinieri) ku atë natë është përgatitur diçka më tepër për meze se me anëtarësi që është mbledhur janë blerë dhe prerë deshë në emër të kurbanit prej anëtarëve të shoqërisë dhe janë thirrur si mysafirë më tepër kuptohet eminent pleq burra gjakovar të asaj kohe, qe përgatitur darka prej paqe, tavë me oriz, pite e deri në bakllavë.

Shoqëria muzikore “Gajreti”, kurrë në karrierën e vet nuk ka marrë të holla për muzikë që ka bërë, vetëm ju ka dalë në ndihmë me muzikë jo vetëm popullit gjakovar, por edhe në Pejë, Prizren, Rahovec e ku i kanë kërkua nëpër Kosovë e gjerë në Shkup, pa kurrfarë kompensimi përpos atyre mjeteve apo anëtarësisë së vet. Kur kanë fillu muzikën në ora 21.00 e deri në ora 5.00 h të mëngjesit kanë bërë muzikë. Intervalet e muzikës (pushimet), kanë qenë diçka fantastike. Për atë kohë radio ka pas shumë pak, ndërsa televizori as që ka ekzistuar. Ajo kohë kalonte me humoristin e ndjerë gjakovar Shefqet Kocin (Qetin), apo me violinistin e madh të asaj kohe njëkohësisht humoristin Ahmet Pyllën, si dhe me Myftar Qaushin, Ban Zhubin e të tjerë.

Në shoqërinë “Gajreti”, ka pasur shumë këngëtarë të asaj kohe që kujtohen mu si këngëtar si: Dan dhe Xajë Morina të cilët si trashëgimtar të vetin kanë lënë Mazllom Morinën me të bijën Ermirën, Lah Gashi, një këngëtar me një melankoli tipik gjakovar të gjithë nga mëhalla e Gecës. Që fëmija të rritet e ka traditë prej tyre që të këndoj ashtu. Si të rritet e ka traditë prej tyre që të këndoj ashtu si këndohet kënga e jo ti preferohet me ndonjë stilizim ndryshim teksti apo melodie që ja humb efektin e historisë këngës apo që krejt muzika gjakovare po bastardohet dita më ditë.