Thursday, April 11, 2024
Sporti

Ndërroi jetë Bajram Bardhi, punëtori sportiv që kontribuoi në pavarësimin e futbollit të Kosovës

Bajram Bardhi
Në moshën 72 vjeçare, të premten në Gjakovë ka ndërruar jetë dhe është varrosur, veterani I futbollit dhe  punëtori I vyeshëm sportiv Bajram Bardhi. Ai, krahas punës së palodhshme në Stacionin e autobusëve Kosovatrans në Gjakovë,  tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe afirmimit të futbollit gjakovar dhe kosovar. Ishte njëri nga personalitet që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në pavarësimin e futbollit të Kosovës dhe u bëri ballë gjithë stuhive në një kohë shumë të vështirë .
Në vitet e 60-ta barti fanelen e Vëllaznimit e pjesën më të madhe të angazhimit sportiv e pati si anëtarë I kryesisë dhe kryetar I Klubit të Futbollit Vëllaznimi dhe pjesë e kryesisë së Federatës së Futbollit të Kosovës.
Me rastin e vdekjes së Bajram Bardhit , kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i shprehu ngushëllime familjes së tij. “Lajmi për vdekjen e Bajram Bardhit na ka prekur thellë gjithë komunitetin sportivë e në veçanti të futbollit,  pjesë e të cilit ishte gjatë gjithë jetës së tij , ndaj ju lutem që në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve dhe futbolldashësve të Kosovës pranoni ngushëllimet tona më të thella e të sinqerta. Bajram Bardhi ishte njëri nga personalitet që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në pavarësimin e futbollit të Kosovës dhe u bëri ballë gjithë stuhive në një kohë shumë të vështirë. Ai do të na mungojë shumë sepse ishte i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Kontributi dhe virtytet e tij do të jenë shembull për brezat që vijnë.
Në këto çaste të vështira për juve, të gjithë ne jemi pranë jush që dhembjen dhe humbjen e Bajramit ta përballoni më lehtë”, thuhet në letrën e Vokrrit.