Wednesday, March 27, 2024
AktualeLajme

Në Ditën e Flamurit Gjakova nderon dëshmorët

shoket e liriseKontributi dhe sakrifica e të gjithë të rënëve të komunës së Gjakovës në luftën e fundit, është jetësuar në 102 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në lapidarin e ngritur në qendër të qytetit. Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila dhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj me 28 Nentor, e kanë zbuluar bashkarisht lapidarin e quajtur “Shokët e Lirisë”, i cili u dedikohet të gjithë dëshmorëve të komunës së Gjakovës.

“Para këtij lapidari ne do të vijmë në çdo ditë të shënuar të historisë tonë kombëtare; do të vijmë për t’u çmallur, për t’i kujtuar nga afër dhe për t’u përkulur para jetës, veprës, sakrificës dhe lavdisë së tyre. Do të vijmë në të gjitha moshat, edhe si fëmijë, edhe të rinj, edhe në moshë të mesme dhe të moshuar e flokëthinjur, për të vendosur kurora e tufa lulesh pranë lapidarit, se të lavdishmit e kanë merituar falënderimin tonë për jetë të jetëve”, ka thënë në fjalen e saj kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila.

Nga ana tjetër, ish – komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, ka thënë se kontributi i djemve të Gjakovës gjatë luftës në Kosovë është kontribut që çmohet lartë dhe që meriton respekt maksimal. “Ashtu siç është i lavdishëm 28 Nëntori në Krujë për faktin se të tillë e ka bërë Kastrioti, ashtu siç është 28 Nëntori i lavdishëm në Vlorë për faktin se të tillë e bëri Ismai Qemajli dhe shumë burra tjerë, ashtu i lavdishëm 28 Nëntori është edhe në Gjakovë. Këtë e them sepse bijtë tuaj ishin të përmasave të luftëtarëve më të zotë që kanë dhënë shqiptarët ndonjëherë. Gjakova vazhdon të jetë në ato përmasa dhe në ato përmasa do të mbetet edhe në të ardhmen, do të jetë shqiptare, do të jetojë shqip dhe do të jetojë kuq e zi”, ka thënë Haradinaj, për të shtuar se për të është nderë që 28 Nëntorin po e shënon pikërisht në Gjakovë.

E përveç Kusari – Lilës dhe Hardinajt, në këtë inaugurim kanë folur edhe Gëzim Zherka, babai i dëshmorit Elton Zherka si dhe veteranët e luftës së UÇK-së Sadri Hoxha e Shpend Lleshi.