Friday, April 5, 2024
AktualeLajmet e shpejta

Në Kosovë më 2015 me kancer 920 raste, me kancer gjiri 210 veta

kanceriNë kuadër te muajit Tetor – Muaji Ndërkombëtar i Luftës kundër kancerit te Gjirit me qëllim te informimit dhe te vetëdijesimit të grave për rrezikun nga sëmundja e kancerit të gjirit si dhe për gjetjen e mundësive për zbulimin e hershëm,  të hënën në Gjakovë u organizua një punëtori informuese . Sipas ligjëruesve, në këtë punëtori,  në Kosovë gjatë vitit 2015 me kancer janë identifikuar 920 veta, ku prej tyre me kancer gjiri janë identifikuar 210 veta.

Nafije Latifi, kryetare e OJQ-së Jeta/Vita është shprehur falënderuese ndaj Komunës së Gjakovës për mbështetje në organizim të kësaj punëtorie.

Ajo ka theksuar që shoqata Jeta/Vita është themeluar me qëllim që të bëj informimin dhe ndërgjegjësimin e grave për këtë sëmundje duke organizuar aktivitete të ndryshme në mënyrë që mesazhi të arrij tek gratë që zbulimi i hershëm është shpëtim.

Sipas njoftimit për media, ajo ka folur për përvojën e Institutit Onkologjik si dhe për mundësitë më të mira që janë krijuar për gratë duke ofruar personel të kualifikuar dhe mbulueshmëri me barëra falas.

Në këtë takim ka folur edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila, e cila është shprehur se Komuna e Gjakovës ka përkrahur gjithmonë aktivitetet rreth vetëdijesimit të grave për sëmundjet e kancerit, më konkretisht kemi realizuar një ndër investimet më të mëdha që janë bërë në Gjakovë duke ofruar mamografinë statik për kontrolle falas, ku për një kohë të shkurtër janë bërë 350 vizita në këtë mamografi.

Ajo më tutje ka theksuar domosdoshmërinë e kontrollit të hershëm mjekësor duke apeluar tek gratë që të bëjnë vizita të rregullta për shëndetin e tyre si dhe të kujdesen për stilin e jetesës sa më të shëndetshme.

Ndërsa Vildane Gogu, onkologe, ka shpjeguar format e parandalimit të kancerit në gji duke dhënë detaje për simptomat më të shpeshta dhe llojet e ndryshme të kancereve që janë paraqitur në Kosovë.

Punëtoria u mbajt me organizimin e Komunës së Gjakovës dhe Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit Jeta/Vita si dhe në bashkëpunim me Shoqatën e Onkologëve të Kosovës.