Friday, April 5, 2024
Kulturë

Në nderim të veteranit: Mazllum M. Hoxha

Shkruan Ragip BALLATA 

Botuar në numrin më të ri të revistes Gjakovapress, 141 online

Mazllum Hoxha është njeriu që e vendosi bustin e heroinës Ganimete Tërbeshi në Beçiq (Mali Zi). I takon brezit të punëtorëve arsimorë të pas Luftës Dytë Botërore të cilët e patën fatin dhe guximin t’i shpallin luftë analfabetizmit dhe nuk e kursyen energjinë e tyre rinore për shpërndarjen e dijes dhe kulturës në të gjitha anët e Kosovës. Ata shërbyen jo vetëm pse ishin caktuar në këtë detyrë nga autoritetet arsimore, por këtë e bënë, para se gjithash, me vullnetin e madh dhe dëshirën për t’i dalë zot popullit të shumëvuajtur në çrrënjosjen e analfabetizmit i cili për mbi pesë shekullore ishte mbjellë në kohën e Perandorisë Otomane dhe kishte vazhduar edhe gjatë Jugosllavisë Monarkiste.

U lind me 15 prill të vitit 1928 në një familje gjashtëanëtarëshe gjakovare. Fëmijëria e Mazllumit nuk ishte aq e lehtë, ngase ai që në moshën 7 vjeçare ngel pa babanë, Malushin, i cili i vdes herët. Për ta përballuar më lehtë mungesën e babait, ndihmohet nga daja – Shejh Hakiu.

            Si shumica e fëmijëve e të rinjve të asaj kohe, 4 klasat e fillores i mbaron në gjuhën serbe, ndërkaq në v. shk. 1941/42, me hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, ai sërish e dëgjojë klasën e katërt për të mësuar alfabetin dhe shkrim – leximin shqip. Për mësues kishte Fadil Hoxhën i cili sapo kishte ardhur nga Shqipëria në Gjakovë me diplomën e degës normale të Liceut të Shkodrës. Më pas e vazhdon shkollimin në Gjimnazin e ulët i hapur më 1942. Si shumë të rinj, krahas shkollës, Mazllumi punonte edhe shegert në zejen e rrobaqepësisë për të ndihmuar familjen.

            Autoritetet e atëhershme komunale përpiqeshin që mungesën e madhe për mësues ta zbutnin duke i nxitur të rinjtë të regjistrohen në Normalen e posahapur të vitit 1946. Mazllum Hoxha e kujton me respekt të ndjerin Naim Zajmi, i cili në cilësinë e të besuarit të arsimit kishte agjituar te familja e tij që ta lirojnë nga punët e shegertit për vazhdimin e shkollës Normale. Në saje të atij angazhimi Mazllumi u regjistrua si nxënës i gjeneratës së dytë të këtij drejtimi i cili në fillim ishte planifikuar si dyvjeçar. Diplomën e kësaj shkolle e fiton në vitin shkollor 1948/49.

Bashkë me shokët e gjeneratës se tij, ky djalosh e mori ditarin në dorë jo në Gjakovë, por në Kastriot (Obiliq), sepse aty  kishte nevojë më shumë. Pas një vit shërbimi Mazllumi ra në sy të autoriteteve arsimore për qëndrimin dhe metodën e vet të punës, prandaj e transferojnë në Gjimnazin e ulët të Vuçitërnës (Vushtrri), ku një pjesë e banorëve flisnin turqisht. Aty do ta ligjërojë gjuhën shqipe dhe detyrën e instruktorit të shkollave fillore. Në këtë qytezë e gjen bashkëvendësin – mësuesin e mirënjohur Islam Spahiun me të cilin bashkëpunojnë ngushtë për shtrirjen e arsimit shqip në atë anë.

            Më vonë e vazhdon kontributin e tij në qytetin e Pejës, e më pas në Gjakovë, së pari në fshatin Bregkoc ku qe drejtor shkolle dhe punoj me mësuesit Masar Xërxa e Mikel Ndrecajn, pastaj në Bishtazhin. Më në fund në vitin shkollor 1956/ 57 kalon me punë në qytet në detyrën e arsimtarit të gjuhës shqipe, si dhe të zëvendësdrejtorit në shkollën “Emin Duraku”.

            Nga ish nxënësit e kësaj shkolle, të viteve 50-ta: Hasan Arllatit e Elhami Dautagës, tash të pensionuar, është kuptuar se arsimtari Mazllum e themeloi bibliotekën e parë shkollore me 250 libra personale të dhuruara, dhe rreth 100 libra të falura nga nxënësit. Këta nxënës e kanë në kujtesë pasionin e arsimtarit të tyre ndaj librit. Këtë pasion e ka të ruajtur edhe sot. Një ditë vere kur e vizitova në shtëpi (2015), e hasa në ballkon duke lexuar. I thash se më vjen mire që po të shoh duke lexuar. Ai m’u përgjigj me një thënie të prof. Sulejman Lleshit, që i kishte ngelur në mendje nga kur ishte nxënës:

 “Më mirë është të lexosh se sa të fitosh”.

Ndikimin dhe krijimin e shprehisë së leximit ai e kishte shtrirë në shumë gjenerata. Kishte ndër nxënës që gjatë një viti shkollor lexonin deri në 30 libra. Këta ish nxënës për arsimtarin e tyre flasin me admirim jo vetëm për qëndrimin parimor, por edhe për metodën dhe durimin e tij të palëkundur gjatë punës me nxënës e sidomos për ata “problemorë” apo hiperaktiv. Tash së voni pata rastin të lexoj “Librin e Gjakovës” ku autori, veterani i gazetarisë, Esat Dujaka shkruan: “Gjenerata jonë (Teki Dërvishi, Esad Cermjani, Hasan Arllati, etj.) i jemi mirënjohës Mazllum Hoxhës për mundin që ka bërë që ne ta duam gjuhën, ta mësojmë, ta kultivojmë si dhe shprehia e leximit të bëhet pjesë e jetës sonë. Ai (përmes gazetës së murit) mbolli në ne dashurinë që të krijojmë. Sikurse vetë ashtu dhe Tekiu (Dervishi), me M. Hoxhën kemi pasur një siguri në ecjen tonë si krijues”. Nga viti 1961 deri në vitin 1971 Mazllum Hoxhen e gjejmë në cilësinë e këshilltarit të arsimit në Entin për përparimin e mësimit në Prishtinë, ku është shquar për kontributin e dhënë në këtë institucion.

Vitet e përmendura ishin një periudhë kur nuk kishe mundësi të bësh zgjedhje për punë, por duhej dhënë kontribut në ato detyra, që kishe afinitet dhe aty ku kishte nevojë më shumë. Më 1971 Mazllum Hoxhën e emërojnë si Drejtor në Konviktin e nxënësve dhe studentëve “Sadik Stavileci” e më 1978 e angazhojnë për 8 vjet me radhë në një detyrë me shumë përgjegjësi. Kjo është detyra e Drejtorit të Pushimores së fëmijëve “Ganimete Tërbeshi” në Beçiq të Malit të Zi.

             Në shikim të parë, të jesh drejtues i një pushimoreje bregdetare duket detyrë e këndshme dhe si privilegj. Në fakt bëhej fjalë për një pushimore në të cilën në një ndërrim të sezonit veror pushonin 350 fëmijë, ndërkaq në të 7 ndërrimet e pushimit gravitonin 2450 fëmijë. Kjo ishte detyrë me shumë përgjegjësi në një institucion dhe vend turistik. “Ishte në pyetje shëndeti dhe siguria e fëmijëve, thotë zoti Mazllum, sepse deti fsheh rreziqe të ndryshme”, por ai ia ka arritur në saje të kujdesit, bashkëpunimit me edukatorë dhe ngritjes së disiplinës. Shkruesi i këtyre rreshtave pati rastin të jetë edukator në një ndërrim) në këtë pushimore, zoti Mazllum Hoxha ishte shembull i një punëtori, i një drejtuesi të zellshëm. Orari i punës i fillonte nga ora 6 e mëngjesit e i përfundonte në orën 24.

            Për 8 vjet rresht të drejtimit të tij, në këtë institucion (pushimore), nuk ka ndodhur asnjë lëndim apo humbje jete.

            Një meritë tjetër për t’u theksuar është ngritja e procedurës për emërtimin e këtij institucioni kosovar, i cili deri në vitin 1979 ishte pa emër. Ndonëse me shumë pengesa nga zyrtarët komunalë të Budvës, Mazllum Hoxha trokiti deri në zyrën e kryetarit të Republikës së asaj kohe të Malit të Zi për ta emërtuar pushimoren me emrin e heroinës gjakovare Ganimete Terbeshi dhe ngritjen e bustit të saj. Ky veteran i arsimit ka qenë nje aktivist i pasionuar që vullnetarisht është angazhuar në disa organizata për edukimin dhe kujdesin e fëmijëve. Njëri prej tyre ishte Këshilli për edukimin dhe kujdesin e fëmijëve në Kosovë.

             Për rezultatet e arritura ka marrë disa mirënjohje dhe dekorata. Me këto cilësi më 1988 e përmbyll kapitullin e tij në fushën e edukimit dhe kujdesit ndaj fëmijëve. Pensionohet në detyrën e Drejtorit të Qendrës për edukimin parashkollor “Ganimete Tërbeshi” në Gjakovë.

            Mazllum Hoxha ndahet nga jeta, familja dhe miqtë më 27. 09. 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *