NJË BIRRË E FORTË PËR NJË SHQIPTAR TË FORTË
Shkruan:
Prof .Masar Rizvanolli
Që në periudhën antike ilirët përdornin lloje të ndryshme birre e sidomos birrën e prodhuar nga mjalti. Krahas kësaj, sipas Shën Jeronimit, ata e përdornin edhe birrën, të cilën e prodhonin nga elbi dhe e quanin me emrin popullor S a b a i a. Pse sot në Kosovë nuk ka birrë me këtë emër?
Në shtator të vitit 2004 mësuam se birraria “Beer 2 go” në Angli kishte nxjerrë në treg një birrë me emrin “Skenderbeg”, në etiketën e të cilës paraqitej figura e heroit kombëtar shqiptar. Kjo ide i lindi rastësisht njërit nga drejtorët e “Beer 2 go”, Ginny Buchan-it, i cili kishte vizituar Shqipërinë, ku dëgjoi për 600 vjetorin e lindjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, që duhej të shënohej në ndonjë mënyrë. I entuziazmuar nga luftërat e tij heroike për çlirimin e popullit të tij nga pushtuesi mendoi se do të ishte një ide e mirë për të prodhuar një birrë me emrin e këtij fatosi legjendar. “Një birrë e fortë për një shqiptar të fortë”, kishte deklaruar ai.
Sipas një proklamate të kompanisë ky vendim u mor për arsye se viti 2005 shënonte 600 vjetorin e lindjes së Skënderbeut, një heroi të shek. XV-të, që çliroi vendin e tij nga sundimi i Perandorisë Osmane.
Nga ana tjetër, para sa vitesh, fill pas çlirimit të Kosovës, patëm lexuar nga një gazetar që “fare pak ishte adhurues i pijeve alkoolike, dhe se fare pak qëndronte nëpër restorante e kafene të ndryshme,” të cilit i kishte “rënë në sy një paradoks i kohës” se në Kosovë fare pak konsumohej birra e Pejës dhe se, madje, në disa kafene nuk e mbanin fare këtë birrë ngase ajo nuk kërkohej. Autori i sinqertë mendonte se kjo “bëhet nga një mendjemadhësi e tepruar e njerëzve dhe një nënçmim për prodhimet tona,” edhe kur ato për kah cilësia, janë në shkallë shumë më të lartë se ato të importit dhe për kah çmimi janë për gjysmë më të lira se sa ato që vijnë nga jashtë.
Midis vërejtjeve, një pjesë e të cilave shkonte edhe në adresë të birrarisë, autori i shkrimit e shtronte edhe një çështje, që në pamje të parë duket të jetë thjesht politike. Ndër të tjera ai shkruante:”Një diçka e tillë, sikur më shqetëson, dhe se ndoshta edhe këtu është një element sa ne jemi kombëtar, sa e duam vetveten dhe prodhimet tona.”
Ajo që na shtyri, asokohe, të merremi me këtë shkrim ishte pyetja që e shqetësonte autorin e përmendur dhe që ua shtronte konsumatorëve, por jo drejtpërdrejt edhe përgjegjësve të birrarisë :”Sa na jemi kombëtar, sa e duam vet veten.”? Por ne do të shtonim: a ishin etiketat me emërtimet Pils apo Extra simbole të vërteta të një pijeje vendëse, e cila nuk ishte, sipas disave, vetëm një pije e zakonshme tregu, por ishte një simbol jo vetëm i Pejës dhe lumit të Drinit, por, asokohe, në atë gjendje të rrënimit ekonomik, ishte edhe simbol i tërë Kosovës? A nuk patëm mundësi të gjejmë një emërtim më të përshtatshëm, i cili do të simbolizonte traditën mijëvjeçare të prodhimit dhe të shpenzimit, madje të tepruar, të birrës nga të parët tanë qysh në periudhën antike, madje edhe më herët se sa filluan ta prodhonin dhe ta konsumonin atë bartësit e vet emërtimeve Pils dhe Extra, nga të cilët i huazuam këto emërtime?
Sot çdo qytetar i rëndomtë që ka patur rastin të lexojë diç për kulturën dhe traditën ilire e din se të parët tanë ishin të njohur për ahengje, në të cilat merrnin pjesë edhe gratë dhe ku piheshin me të madhe lloj-lloj pijesh. Perëndia greke e verës – Dionisi te fisi ilir i peonëve quhej Dualos. Këtë emër filologjia bashkëkohore e lidhë me fjalën shqipe “dej,” i dehur dhe me atë gote “dëals”- i marrë. Këto dy fjalë, sipas tyre, kanë dalë nga po ajo rrënjë, nga e cila është formuar edhe emri i kësaj hyjnie peone.
Që në periudhën antike ilirët përdornin lloje të ndryshme birre e sidomos birrën e prodhuar nga mjalti. Krahas kësaj, sipas Shën Jeronimit, ata e përdornin edhe birrën, të cilën e prodhonin nga elbi dhe e quanin me emrin popullor S a b a i a. Perandori romak me prejardhje ilire – Valensi e donte aq shumë këtë pije saqë e quanin me emrin përqeshës “Sabaiarius.”
Sipas pohimeve të autorëve të vjetër, ilirët, siç përmendëm më parë, ishin konsumues të mëdhenj të pijeve alkoolike. Polibi pohonte se mbreti ilir Genci ishte i dehur ditë e natë, ndërsa Agroni vdiq pasi u deh mirë dhe, për këtë shkak, mori pleuritin.
Theopompi shënoi këtë episod të luftës midis keltëve dhe ardiejve : keltët të vetëdijshëm për grykësinë e ardiejve për ushqim dhe pije u tërhoqën nga kampet e tyre, duke lënë në vende të dukshme ushqim dhe pije, në të cilat, më parë, kishin hedhur barëra helmuese. Ardiejtë, posa arritën në kampin e braktisur, u lëshuan pas ngrënies dhe pijeve, duke harruar, me këtë rast, armikun, i cili u kthye shpejt dhe i mundi.
Pseudo Aristoteli flet për pijen e shkëlqyeshme me mjaltë të taulantëve, të cilët e prodhonin nga mjalti dhe uji në një proces, të cilin e mësuan edhe grekët prej tyre. Autori bizantin Priscusi, i cili, duke shkuar në vizitë te mbreti i hunëve, Atila, kishte vërejtur se banorët e Panonisë e përdornin këtë pije, të cilën, në gjuhën e tyre, e quanin “medos.”
Këto fakte i parashtruam jo për të bërë histori, apo për t’ua bërë qejfin bekrinjve tanë, të cilët do ta bindin veten se vetëm ata janë “trashëgimtarë të denjë” të ilirëve, por vetëm sa për të treguar se në prodhimin e birrës nuk na mungon tradita dhe se këtë duhet ta vazhdojmë e ta pasurojmë, na thotë mendja, jo vetëm me prodhime cilësore, por edhe nëpërmjet të ruajtjes së emërtimit të lashtë të saj.
Çudi e madhe është se si nuk marrim shembull nga popujt e tjerë, të cilët, në mungesë të një tradite kaq adekuate si kjo e jona, në etiketat e pijeve alkoolike dhe freskuese paraqesin figurat e personaliteteve të njohura historike me qëllim të afirmimit të të kaluarës së tyre jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë, aty ku arrijnë t’i eksportojnë ato. Me siguri këtë e bëjnë edhe për qëllime komerciale, duke e nxitur sedrën patriotike të konsumatorëve vendës, të cilët nuk vrapojnë pas prodhimeve të huaja, sidomos kur ato janë më të shtrenjta dhe të një cilësie më të ulët. Dikur konjaku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ishte dhurata më e çmueshme, të cilën e ekspozonim në një vend të veçantë në vitrinat e shtëpive tona dhe e ruanim vetëm për miqtë tanë më të dashur dhe më të rrallë. Madje, këtë konjak ua dhuronim kolegëve tanë, apo miqve afaristë nga të gjitha viset e ish Jugosllavisë, ua dhuronim mjekëve në shenjë mirënjohjeje për kujdesin që tregonin në mjekimin e suksesshëm të familjarëve apo të miqve tanë. Kjo nuk ishte një dhuratë e thjeshtë, sepse tregu ishte i mbushur, asokohe, përplot pije, nga më të njohurat në të katër anët e botës; ky ishte një mesazh që kuptohej spontanisht sapo të dorëzohej dhurata e që shprehej nëpërmjet pyetjesh të llojllojshme rreth personalitetit të Skënderbeut dhe luftërave çlirimtare të tij, rreth një figure të shquar historike, për të cilën, disa syresh, dëgjonin për herë të parë.
Në prag të Vitit të Ri 2000 shumë konsumatorë kërkonin nëpër shitoret e Prishtinës konjak Theranda, prodhim i NBI “Suhareka,” të gëzuar për rifillimin e punës së fabrikës së pijeve alkoolike, por edhe të shtyrë nga kureshtja për të parë si dukej etiketa që mbante emrin e një vendbanimi tanë të lashtë dhe për tu njohur me cilësinë e këtij prodhimi. Prandaj, nuk mund të thuhet se si konsumatorë nuk “jemi kombëtarë” sa duhet, por duhet edhe pak mjeshtri dhe mirëkuptim dhe përpjekje nga prodhuesit për të nxitur te konsumatorët sentimente të caktuara, të cilat paraqesin gjendje të ndërlikuara emocionale dhe motivuese për të vepruar me ndjenja të caktuara. E patriotizmi është një sentiment që ndikon fuqishëm te individi për të mbrojtur atdheun. Konjaku Theranda mendojmë se është një shembull pozitiv në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore historike në një segment të kufizuar që duhet përkrahur.
Këtë shkrim nuk ia kemi dedikuar vetëm birrarisë së Pejës, e cila me prodhimet e saja cilësore po tërheq gjithnjë e më tepër konsumatorët vendës e të huaj. Drejtuesit e saj dinin shumë më tepër për traditën ilire të prodhimit të birrës se sa patëm mundësi të flasim në këtë shkrim. Për këtë u bindëm në veren e vitit 1999 kur sapo kishte filluar prodhimi, kur në emër të Shoqatës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Historike Gjithëshqiptare dhe të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, vizituam fabrikën e sapolëshuar në prodhim për t’iu sugjeruar që emërtimin “Extra” ta zëvendësonin me “Sabaia.” Me këtë rast u befasuam për të mirë nga njohuritë e thella që kishte njeri nga përgjegjësit e fabrikës mbi mjeshtrinë e ilirëve për prodhimin e llojeve të ndryshme të birrës. Na befasoi për të mirë edhe më tepër e dhëna që dëgjuam për herë të parë se drejtuesit e fabrikës qysh herët, në fillim të prodhimit të saj, kishin kërkuar leje nga Shoqata e Birrarive të ish Jugosllavisë për ta emërtuar birrën e tyre Sabaia, por Shoqata e përmendur nuk e kishte lejuar këtë. U ndamë shumë të kënaqur me bindjen se në etiketën e re do ta lexojmë emrin Sabaia. Natyrisht se ata mund të kenë pasur arsye të thella, në radhë të parë, ekonomike, për të mos e pranuar sugjerimin tonë. Megjithatë besonim se do të ishte aktuale edhe më tutje pyetja :Pils, Extra apo Sabaia?
Por, si iu përgjigjën prodhuesit e birrës nga Peja sugjerimeve të ekspertëve vendës? Në etiketën e fundit atë e emërtuan me emrin e qytetit ku prodhohet sot kjo birrë. Nuk e dimë nga iu erdhi kjo ide! Nga motive lokaliste, nga ndikimi i Birrës së Nikshiqit, apo i Birrës së Tiranës? Dihet se pikërisht në lokalet e vet qytetit të Pejës konsumohet me të madhe Birra e NIkshiqit.
Prandaj, me këtë shkrim iu drejtohemi birrarive të reja, që do të ndërtohen në të ardhmen, ndonjëra nga të cilat mund të denjohet dhe ta pranojë sugjerimin tonë. Me siguri Shoqata e Birrarive të ish Jugosllavisë nuk do të këtë sot mundësi të ndalojë asnjë prodhues të Kosovës që ta realizojë një ide të tillë fisnike për çdo popull të qytetëruar.