Thursday, April 3, 2025
AktualeKulturë

Një këngë për Gjakoven, dhuratë e krijuesve gjakovarë

Vendit timKrijuesit muzikor të Gjakovës janë treguar produktiv edhe gjatë kësaj vere. Violinisti i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli ka treguar se nuk e harron Gjakovën. Në bashkëpunim me disa artistë tjerë të qytetit, kanë publikuar një projekt muzikor të përmasave botërore që është dhuratë për adhuruesit dhe dedikim për Gjakovën.

Kënga quhet “Vendit tim” me kompozim nga Artan Bakija, orkestrim të Shkëlzen Dolit dhe tekst të Ajet Bejiqit, ndërsa këndojnë, pos vet Bakisë, edhe Vesa Smolica, Ruzhdi Sadiku dhe Agron Peni.

“Kjo këngë është një bashkëpunim i ndërsjellët mes artistësh të përgjegjshëm për vlerat që ka qyteti i Gjakovës për kohën që jemi duke jetuar”, ka thënë Artan Bakija në promovimin e këngës në studion e Radio Gjakovës, e cila ka filluar transmetimin e saj që nga e mërkura.

Ndërsa solisti tjetër Ruzhdi Sadiku ka thënë se ky projekt është një tjetër kontribut i Shkëlzen Dolit dhe artistëve tjerë pjesëmarrës për qytetin e Gjakovës.

“Është një kontribut i radhës për Gjakovën nga gjithë ne si një ekip që u bë kohë që bashkëpunojmë. Veçanërisht kjo është një iniciativë dhe dëshirë e vazhdueshme e Shkëlzen Dolit, këtij njeriu që më të vërtetë nuk ndalet së kontribuuari për vendin e vet”, është shprehur Sadiku.

Ftesën për bashkëpunim e ka mirëpritur edhe Vesa Smolica, që për tre ideatorët e këngës Doli, Bakija dhe Sadiku e ka arsyetuar besimin që kishin me rastin e përzgjedhjes së këngëtares.

“Të marësh pjesë në një projekt si ky është privilegj ngaqë teksti i saj ka të bëjë për vendin tim, Gjakovën dhe kur bëhet fjalë për të unë gjithmonë jam e gatshme të marrë pjesë në projekte të tilla”, ka thënë Vesa.

Kënga është shoqëruar me videoklip xhirimet e së cilës janë bërë në Gjakovë, konkretisht në Çabrat, Teatrin e Gjakovës dhe Çarshinë e Jupave. Ana vizuale është punuar nga kompania “Fabrika” nga Shkupi.