Një shkrim në “Zëri” për tjetërsimin e pronave plot reagime
“Zëri”-pjesë nga shkrimi I sotem
Janë më shumë se 130 prona të paluajtshme në Gjakovë e rrethinë që dyshohen se janë tjetërsuar që nga paslufta në Kosovë. Shumica nga ato prona që dikur i kanë takuar ish-ndërmarrjes banesore BVI dhe shumë Ndërmarrjeve tjera Shoqërore të Gjakovës, dyshohet të jenë tjetërsuar tek persona privatë apo në emër të Komunës së Gjakovës.
Tërë këto parregullsi dyshohet se janë bërë nga zyrtarë të lartë komunalë të Gjakovës e të ndihmuar edhe nga ndërmarrja e tashme “Fondi”, ose ish-ndërmarrja banesore BVI, të cilët kanë poseduar vulat e paraluftës dhe kanë vulosur së fundi kontrata kinse ato prona janë shitur para luftës.
Për të zbardhur tërë këtë që ka ngjarë në vitet e pasluftës, hetuesia e krimeve ekonomike në Pejë ka vënë në listën e të dyshuarve të parin e Komunës së Gjakovës, Pal Lekajn, avokatin publik të kësaj komune, Afrim Radoniqin, Zyrtarin e BVI-së, Qazim Axhemin, që njëherazi është edhe zëvendësavokat i komunës, zyrtarin tjetër i BVI-së, Adem Jetishin, dhe dy ish-drejtorët e Drejtorisë Komunale të Kadastrës, Xhevat Rraci dhe Ali Selimaj.
Ky i fundit aktualisht është në detyrën e prokurorit në Prokurorinë komunale të Gjakovës. Por, hetimet pritet që listën e të dyshuarve ta zgjerojnë edhe më me ish-zyrtarët e Gjakovë, që kanë udhëhequr në këtë qytet që nga paralufta.
Ndonëse zyrtarë nga Departamenti i Krimeve Ekonomike nuk kanë dhënë detaje për hetimin e nisur disa muaj më parë, gazeta ka siguruar dokumente të cilat tregojnë për parregullsi në Komunën e Gjakovës, parregullsi këto të bëra kryesisht nga avokati publik Afrim Radoniqi, i cili njëkohësisht përveç në postin publik, ka punuar edhe si avokat privat i regjistruar në Odën e Avokatëve të Kosovës. Ky avokat, që tashmë për shkak të konfliktit të interesit është larguar nga lista e avokatëve të OAK-ut, për kontratat e nënshkruara në emër të komunës apo edhe si avokat privat mësohet se e ka pasur përkrahjen e të parit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj. Por, vetë Lekaj mohon se ka gisht në tjetërsime të pronave.
“Që nga 2007-ta kur unë udhëheq me këtë komunë, nuk është marrë ndonjë vendim i tillë për tjetërsimin e pronës”, ka thënë Lekaj, duke mohuar e mund të jenë bërë tjetërsime në vite paraprake por pa aluduar në ndonjë ish-zyrtar që ka qenë i përfshirë në këto parregullsi. Sido që të jetë, zyrtarët tjerë komunalë, në një mënyrë apo tjetër pranojnë tjetërsimet e tokave, që janë bërë pavarësisht se nuk etiketojnë kryesit e mundshëm të veprimeve joligjore.
Reagon Komuna
Një shkrim në të përditshmen “Zëri” ku thuhet se zyrtarë të lartë komunalë të Gjakovës e të ndihmuar edhe nga ndërmarrja e tashme “Fondi”, ose ish-ndërmarrja banesore BVI dyshohet se kanë tjetërsuar më shumë se 130 prona të paluajtshme në Gjakovë e rrethinë që nga paslufta në Kosovë tek persona privatë apo në emër të Komunës së Gjakovës, ka reflektuar të hënën me një konferencë për gazetarë me sqarimet e zyrtarëve komunal të cilët këto akuza i kanë quajtur politike në prak të zgjedhjeve.
Kryetari komunës së Gjakovës Pal Lekaj theksoi se është i befasuar me këtë shkrim dhe se këtë e ka quajtur fushatë politike kundër kryetari të komunës, përkatësisht shkrim si Pamflet politikë me të dhëna të pavërteta.
“Ligji nuk jep mundësi që një kryetar të lëshoi vendime për prona. Të gjitha janë të pabaza dhe nëse gjendet një dokument i nënshkruar nga unë për tjetërsim të pronës,unë do të jap dorëheqje të parevokueshme”, tha Lekaj duke përgënjeshtruar shkrimet se ka qenë i ftuar ndonjëherë nga ndonjë zyrtarë i Euleksit.
Kryetari i Komunës l Lekaj, ka deklaruar se që nga momenti i dhënies së betimit për të qeverisë komunën e Gjakovës, nuk ka marrë ndonjë vendim, apo nuk ka ndërhyrë për asnjë rast ku ka pas të bëjë me çështje pronësie.
“Nëse gazetarja apo edhe institucionet hetimore dhe të prokurorisë gjejnë vetëm një fakt apo të dhënë për ndërhyrje të kësaj natyre apo që ka marrë masa për tjetërsimin e pasurisë, jam i gatshëm të dal para drejtësisë” thkesoi ai , ndërsa shkrimin me të dhëna të pa vërtetë por vetëm me shpifje nga ata të cilët nuk ia donë të mirën Gjakovës, e vlerëson si presion jo vetëm politik por edhe moral qytetar.
Fushatë politike dhe për interesa të grupeve të ndryshme , këtë shkrim e kanë konsideruar edhe Xhevat Rraci, ish Drejtor i Kadastrit në Gjakovë dhe Afrim Radoniqi, avokat publik,që të dytë të apostrofuar për tjetërsim pronash.
Në konferencën e sotme për gazetar u bë e ditur se do të ngritët kallxim penal ndaj redaksisë dhe autores së shkrimit, ndërsa në pyetjen e gazetarëve për të vërtetën e blerjes masive të gazets “Zëri”, kryetari Lekaj e ka mohuar,duke thënë se : “këtë po e dëgjon për herë të parë”.
Reagon Forumi Rinor I AKR_së
Artikull i gazetës “Zëri” mbi tjetërsimin e 130 pronave publike në Gjakovë, ka bërë që numri i sotëm i gazetës “Zëri” në tregun e Gjakovës të zhduket,me dyshimin se eshte mbledhur qëllimisht dhe per për këtë kanë reaguar edhe forumi i të rinjve të Aleancës Kosova e Re në Gjakovë. “Forumi Rinor i Degës së AKR-së me shqetësim të thellë ka ndjekur veprimet e ulëta dhe jo njerëzore të Komunës së Gjakovës të cilat i ka ndërmarrë menjëherë pas publikimit të artikullit në gazetën Zëri në lidhje me krimin që është bërë dhe vazhdohet të bëhet në lidhje me pronat e Komunës”, thuhet në reagimin e tyre.
Reagon Lëvizja Vetvendosje
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ndërmarrë sot një aksion në Gjakovë, duke shpërndarë qindra kopje të fotokopjuara të gazetës “Zëri” qytetarëve nëpër rrugët e këtij qyteti.
“Ne si qendër e Lëvizjes Vetëvendosje! Gjakovë shpërndajmë këto kopje të gazetës sepse mendojmë që Komuna e Gjakovës ka bërë me qellim pengimin e informimit të qytetarëve, duke mos dashur t’i informojë qytetarët lidhur e korrupsionin e bërë nga kjo komunë. Pasi që nuk u gjend në asnjë pikë të shitjes gazeta ‘Zëri’ ne vendosëm që qytetarët të mos mbesin të painformuar dhe shpërndamë kopjet e gazetës”, thuhet ne njoftimin e VV-së.
Gazeta Zëri ka raportuar sot për më shumë se 130 prona të paluajtshme në Gjakovë e rrethinë që dyshohen se janë tjetërsuar që nga paslufta në Kosovë.
Shumica nga ato prona që dikur i kanë takuar ish-ndërmarrjes banesore BVI dhe shumë Ndërmarrjeve tjera Shoqërore të Gjakovës, dyshohet të jenë tjetërsuar tek persona privat apo në emër të Komunës së Gjakovës. /Zëri/