Monday, December 30, 2024
AktualeLajmeLajmet e shpejta

Normalja e Gjakovës shënon 70 Vjetorin

normalja-70-vjet-inteTradita e Gjakovës për arsimin daton me shekuj. Gjakova ishte fole e dijetarëve dhe prijësve në arsimin dhe edukimin e brezave të rinj gjithandej trojeve shqiptare. Kjo falë edhe vatrave të para të arsimit shqip në Gjakovë që nisën punën në këtë anë. Ishte normalja e Gjakovës e vitit 1946 që hapi dyert për nxënësit e trojeve shqiptare dhe i kaliti në mësues të popullit.  Gjeneratat e para të Normales së Gjakovës ishin lokomotiva e arsimit shqip, që asokohe shërbeu për krijimin e rrugës për gjeneratat e ardhshme deri në ditët e sotme. Ishin normalistët ata që i vunë themelet e universitetit të ardhshëm të Kosovës ndërkohë që swfundmi, në shënimin e 60 vjetorit të këtij brezi, normalistët e parë kishin kërkuar që edhe Gjakova të ketë Universitet. Kërkesa e tyre u bë realitet me fillimin e punës së Universitetit Fehmi Agani në Gjakovë. Pra, normalistët ishin kërkues dhe realizues të shumë projekteve e ideve që ngritën lartë arsimin shqip në Kosovë. Tw mwrkurwn  me  moton “Normalja e Gjakovës frymoi shqip në ndriçimin e rrugës së arsimit dhe edukimit të rinisë në Kosovë”, u shënua  jubileu i  70-të  vjetorit të  Normales së Gjakovës. Temë e Akademisë solemne, që u mbajt  në Shkollën e Muzikës “Prenk  Jakova”, ishte  “Normalja e Gjakovës-Tempulli i Mësuesisë shqiptare të Kosovës”.

Për këtë datë të shënuar të arsimit shqip në Kosovë dhe më gjerë, e gjithsesi dhe me interes të përgjithshëm kombëtar, kryetarja Mimoza Kusari – Lila, në fjalën e saj uruese ka theksuar ndër tjerash, se shtatëdhjetë vite më parë, u hap shkolla jashtëzakonisht domethënëse për themelet dhe ecurinë e arsimit shqip, jo vetëm në komunën e Gjakovës, por në mbarë Kosovën dhe më gjerë. “Gjakova, si një qendër zhvillimore, historike dhe atdhetare, në çdo kohë dhe proces ka ditur të jetë koherente, si dhe ka ditur të jetë prijatare, e këtë e bëri edhe me mbarimin e luftës së dytë botërore dhe në vitin 1946, kur u hap shumë e njohura “Normalja e Gjakovës”, ka thënë Kusari – Lila.

Kusari – Lila, ka  përmendur edhe kontributin që Gjakova dhe banorët e Gjakovës patën dhënë për themelimin e kësaj shkolle.

“Kur kujtojmë atë kohë, nuk kemi se si të mos kujtojmë thënien e mësuesit dhe hartuesit të abetares në Kosovë, të ndritshmit Mehmet Gjevori, i cili pohoi se: Është nder i madh e meritë e posaçme për çdo gjakovar që ka plot të drejtë të jenë krenar, sepse Gjakova është qyteti i parë që ka nxjerrë mësues e mësuese të kualifikuar, të ri e të reja kosovar, madje nga viset tjera”. , ka përfunduar Kusari – Lila.

Në nderim dhe respekt të themeluesve dhe kontribuuesve për zhvillimin e kësaj shkolle, kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka ndarë mirënjohje post mortum për të ndjerët Beqir Kastrati, Mehmet Gjevori, Fadil Hoxha dhe Xhavit Nimani, të cilat janë pranuar nga familjarët e tyre. Ndërkohë, mirënjohje është ndarë edhe për ish “Normalen e Elbasanit”.

Për historikun, motivacionin dhe rëndësinë e themelimit të kësaj shkolle kanë folur prof. dr. Mehmet Rukiqi, prof. dr. Isa Bicaj dhe prof. dr. Alban Dobruna.

Gjithashtu në këtë solemnitet përkujtues është lexuar edhe një pjesë e një shkrimi të Mehmet Gjevorit në pesëdhjetë vjetorin e themelimit të “Normales së Gjakovës”, që këtë institucion arsimor e ka vlerësuar si: ”Përmendore e paharrueshme”.