Saturday, August 31, 2024
Gjakova Presss

Opinione:Dhjetori që na skuqi dhe na zbardhi faqen

agimi jakaShkruan: Agim Jaka

Edhe njëherë, si shumë herë të tjera gjatë historisë sonë, më saktësisht të qytetit tonë, Gjakova tregoi se mbetet ende ndër qytetet më të emancipuara, sepse qeverisjen e vet në katër vitet e ardhshme ia besoi një zonje, bijës së vet – Mimozës.

Kjo zonjë që më 1 dhjetor do të hyjë në librin e ‘Genisit’ shqiptar. Të lumtë Gjakovë! Se nuk je gabuar. Se vërtet nuk është gabuar Gjakova, na japin garanci fjalët e saj të para, fill pas kumtimit të rezultateve preliminare, kur u publikua fitorja e saj. Ajo u tha qytetarëve, edhe atyre që nuk e kanë votuar, edhe atyre që kanë votuar kundër saj: “Do t’i qëndroj besnike secilës pikë të programit tim dhe do të punoj në të mirë të të gjithë qytetarëve”.
Fjalë burrash, se femrat jo ndonjëherë, por shpeshherë gjatë historisë sonë kanë ditur të jenë më burrëresha se burrat. Ne duam të besojmë se e tillë luaneshë do të jetë kryetarja e komunës sonë. Mirëpo, një fjalë e urtë thotë: Trimi i mirë me shokë shumë. Prandaj i urojmë që rreth vetes të ketë sa më shumë shokë trima, edhe shoqe trimëresha, se ka mjaft në komunën tonë.

Në këtë rast dua ta shtjelloj titullin e këtij shkrimi të parë në ‘demokraci’. E vura në thonjëza fjalën demokraci, për të shprehur mendimin tim, në këtë rast tepër ‘të guximshëm’, për të treguar se pse na skuqin dhe na zbardhin faqen këto fitore nëpër komuna. Kur të gjithë thonë se ishte një shprehje e vullnetit të lirë, një ngritje e shkallës së demokracisë dhe dëshmi e vetëdijesimit të popullit për të zgjedhur ata dhe ato që duan në krye të komunave të veta, unë e them të kundërtën! Me siguri dikush do të thotë se ka rrjedhur plaku, po në fakt, po t’i lexoni me vëmendje rreshtat në vijim, ndoshta, dikush edhe do të më japë të drejtë, qoftë edhe fare pak.

Nga të gjitha mediat na u tha me mburrje (!) se për ruajtjen e votës janë angazhuar mbi 5000 forca policie! Gjysma e më shumë e tërë efektivit të policisë së Republikës së Kosovës! Përse? Për të ruajtur votën! Prej kujt?! Në një shtet ku ka liri, demokraci dhe votë të lirë e demokratike, nuk angazhohen aq policë për të ruajtur votën, përveç atyre që janë në shërbim të rregullt. Kurse te ne, që kemi ‘demokraci’, janë ngritur në këmbë edhe 60 prokurorë! Dhe këta prokurorë mburren para kamerave se “i kemi gati prangat dhe gjyqtarët për të burgosur dhe dënuar secilin që provon të cenojë demokracinë” – pra, votën e lirë!

Askund në botë, vetëm në ato shtetet ku ka ‘demokraci’, nuk marrin pjesë me qindra e qindra, për të mos thënë mijëra, vëzhgues të të gjitha ‘ngjyrave’, edhe ambasadorë që rrinë me syrin katër dhe me orë të tëra për të vëzhguar nga afër dhe për ta duartrokitur pastaj ‘demokracinë’ tonë!

Përse paska nevojë ‘demokracia’ jonë për kaq shumë sy e vesh, vendorë e ndërkombëtarë?

Natyrisht, me këtë rast unë në emrin tim të vogël, të parëndësishëm, i falënderoj nga zemra dhe me sinqeritetin më njerëzor për mundin, sakrificën, kohën e tyre të shtrenjtë të humbur për hir të asaj që ‘demokracia’ jonë të duket edhe më ‘demokratike’ se ç’është. Por mua si qytetar i këtij shteti të ri, të krijuar me shumë gjak në tokën tonë të lashtë, i cili, duke u falënderuar gjyshërve, baballarëve dhe fëmijëve të vet, që dje torturoheshin e vdisnin burgjeve, përgjakeshin rrugëve, vriteshin e digjeshin të gjallë natën përrenjve, nënçmoheshin,…dhe ndihmës së demokracive perëndimore, u çliruam, fituam lirinë e shumëpritur, ndërtuam shtetin, e shpallëm të lirë, të pavarur e demokratik…Sot, të njëjtët apo shokët, miqtë e pjesëtarët e fisit të tyre, po na skuqin fytyrën duke mos qenë në gjendje që vetë, pa polici e prokurorë, të shkojmë lirisht në kutitë e votimit, pastaj t’i numërojmë votat pa kërcënim e drojë se dikush do të na bëjë kështu e ashtu, këtë e atë…dhe kështu ‘të dalim me faqe të bardhë’’, siç thotë populli, e jo me fytyrë të skuqur.

Dhe Mimoza, që çel në fund të dimrit lule të imëta me ngjyrë të verdhë e me erë të mirë, në këtë prag dimri, përveç për ngrohjen e nxënësve nëpër shkolla,  dhe të banorëve të tjerë nëpër banesat akull në këto ditë të ftohta, duhet të sjellë edhe pak demokraci (pa thonjëza), e cila që nga paslufta na ka munguar në këto mediat tona lokale të pakta në numër.

Se kur e pengojmë fjalën e lirë, kur e luftojmë mendimin e lirë, kur e vrasim mendjen si ta pengojmë lajmin e keq të mos dalë në popull, e kemi shkelur demokracinë me të dy (zet) këmbët.

Pra, pa e harruar zhvillimin ekonomik, punën dhe përmirësimin e jetës së njerëzve, pak më shumë demokraci, pak më shumë frymëmarrje, pak më shumë cilësi në arsim, pak më shumë kulturë, që qyteti të frymojë lirshëm, e mos të gulçojë; që fëmijët dhe të rinjtë të rriten më të shëndetshëm, të bëhen më të guximshëm,  të edukohen dhe do të mësojnë se për lirinë e vendit, të shtetit e të popullit, për lirinë e fjalës dhe për votën e lirë ia vlen të prishësh rehatinë personale, ia vlen të luftosh dhe të sakrifikosh dhe, që ajo të triumfojë, kurrë nuk do të jetë mjaft.

Po nëse Mimoza hyri si burrneshë në garë dhe fitoi, fytyrën e këtij procesi zgjedhor e zbardhën edhe burrat si Ali Berisha në Pejë, dhe ish-kryetarët në Ferizaj, në Prishtinë, në Mitrovicë,…Pra, kemi edhe burra, megjithëse jo të gjithë. Po, ani, ky është një fillim i mbarë dhe çdo fillim është i vështirë, kurse në të ardhmen jam i bindur se rastet e këtyre burrave do të jenë diçka e zakonshme dhe jo e çuditshme në politikën tonë. Të shpresojmë!

Pra, jo gjithçka na skuqi faqen.