Parku i Biznesit shans për zhvillim ekonomik të Gjakovës
Zyrtarë të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Gjakovë presin ditë më të mira për ekonominë gjakovare me implementimin e Parkut të Biznesit, i cili do të ndërtohet në krahun e majtë të daljes nga qyteti i Gjakovës drejtë Prizrenit.
Sipas Shpëtim Rezniqit, drejtor në këtë drejtori, projektet për Parkun e Biznesit janë në fazën përfundimtare sa i përket anës procedurale. Është përcaktuar vendi ku do të ndërtohet ky park, pastaj është marrë edhe pëlqimi nga Asambleja Komunale për 15 hektarë tokë. Ndërkaq përmes Avokatit Publik lënda është në procedurë në Agjencionin Kosovar të Privatizimit meqë kjo sipërfaqe është e sektorit shoqëror. Drejtroi Rezniqi shpreson se këtë vit do të nisin punimet dhe aty të sistemohen të gjitha bizneset të cilat do të merren me prodhimtari. Sipas tij, me funksionalizimin e Parkut të Biznesit në Gjakovë interesi është shumë i madh sepse të gjitha bizneset e interesuara do të kenë kushte të favorshme pune, pastaj do të jenë të liruara nga të gjitha tatimet, ndërkohë që do të punësohen një numër i madh i punëtoreve e me këtë papunësia do të zbutet. Kur është fjala për zhvillimin ekonomik të Gjakovës, drejtuesit komunal .
vazhdimisht kanë përsëritur faktin se si sfidë kryesore mbetet mungesa e pronësisë, përkatësisht tokave komunale të cilat do t’iu jepeshin në disponim investitorëve të interesuar. Sipas drejtorit Rezniqi ka shumë investitorë të jashtëm të cilët janë të interesuar që të investojnë në Gjakovë, por komuna, për shkak të moszgjidhjes së statusit të disa pronave shoqërore që janë nën përkujdesjen e Agjencionit Kosovar të Privatizimit , nuk është në gjendje që të sigurojë. “Kërkesat e komunës drejtuar viteve të para AKM-së e tash AKP-së kanë hasur në vesh të shurdhër.” ka thënë Shpëtim Rezniqi duke shpresuar në një azhuritet më të madh nga menaxhmenti aktual i AKP-së. Me Parkun e Biznesit dhe projektet tjera investive, sic është ai i Fabrikës për riciklimin e mbeturinave bashkë me përpjekjet e përbashkëta me investitorët e jashtëm synohet që Gjakovës ti kthehet shkëlqimi ashtu siç e meriton, sepse të gjitha parakushtet ekzistojnë në Gjakovë për një Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik.