Sunday, September 1, 2024
Lajme

Pas 6 muajve shkollave iu kthye gjallëria

Sot  filloi viti i ri shkollor 2020/2021, i cili për shkak të pandemisë Covid 19 ndryshon nga e kaluara. Procesi mësimor ka nisë në dy faza. Faza e parë është paraparë të fillojë  në institucionet parashkollore, klasat 1, 2, 3, 6, edhe klasat 10 në shkolla. Edhe klasa 4 dhe 5 do të fillojë sipas skenarit A, mësim të kombinuar ose prani në shkollë. Ndërsa më 21 shtator do të fillojnë mësimin klasat 7, 8, 9, 11 dhe 12. Këto klasa do ta fillojnë mësimin e kombinuar me prani dy ditë në shkollë dhe tri ditë mësim në distancë. Drejtues komunal dhe të shkollave të Gjakovës thanë se vatrat shkollore i kanë bërë përgatitjet e nevojshme për fillim të mbarë në kushte pandemie.

Më të gëzuarit sot padyshim se ishin 1 mijë e 75 nxënësit fillestar të cilët ulen për herë të parë në bangat shkollore e të cilët nisin rrugëtimin e dijes.  Në të gjitha shkollat fillore të Gjakovës sivjet do të mësojnë 1 mijë e 418 nxënës, ndërkaq në procesin e mësimit  parafillor, sipas drejtuesve të Arsimit në Gjakovë,  këtë vit shkollor janë një mijë e 20 nxënës. Ndërkaq sa i takon nxënësve që sivjet nisën rrugëtimin e shkollimit të mesëm, pra në klasën e 10-të  janë një mijë e 20 nxënës.

Drejtues komunal të arsimit thanë se, Viti i ri shkollor 2020-2021 ka nisur mbarë në shkollat e komunës së Gjakovës, duke respektuar të gjitha rekomandimet e institucioneve qendrore, për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe stafit të shkollave.  Këtë proces e monitoruan zyrtarët e Drejtorisë Komunale të Arsimit.

Në bazë të udhëzuesit të MASHT-it, nga e premtja e kaluar, DKA në Gjakovë ka themeluar taskforcën, me qëllim të mbikëqyrjes së mbarëvajtjes së vitit të ri shkollor.

“Sot po fillojmë një vit të ri shkollor, i cili urojmë të jetë i mbarë dhe i suksesshëm për të gjithë ju. Veçanërisht, urojmë fëmijët që sot për herë të parë ulen në bankat e shkollës, “ thanë drejtues të arsimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *