Thursday, March 28, 2024
Aktuale

Pas festës dhe borës, i vjen koha punës

1425731_584533075034233_7219719706608853225_n

Atmosfera festive  dhe e pushimit me rastin e  kremtimit të vitit të Ri që ka zgjatur për disa ditë, dalëngadalë po kthehet në atmosferën e përgatitjes për fillim të mbarë të punës në vitin e ri 2016. Përgëzimet me dollitë festive për shëndet, lumturi e begati nga dita e martë marrin rrugën e jetësimit. Prandaj,  që nga dita e nesërme,  kur institucionet shtetërore dhe shërbimeve publike si dhe bizneset e bashkë me to  edhe  shkollat kur nxënësit e mësimdhënësit fillojnë mësimet në gjysmëvjetorin e dytë, kërkohet një mobilizim dhe përkushtim më i madh.

Pas festës studentët dhe punonjësit tjerë që punojnë jashtë Gjakovës kanë filluar ti kthehen qendrave të ndryshme të studimeve dhe punës, e kryesisht Prishtinës. Kompanitë transportuese megjithë borën nëpër rrugët e Kosovës,  kanë mbajtur edhe sot linjat e rregullta lokale e nderurbane të autobusëve, kuptohet me vonesa të theksuara.

Ngrohtorja e qytetit edhe gjatë festës ka punuar me potencialin ekzistues të rrjetit termofikues. Kush e ka pasur këtë fat të jetë i kyçur me ngrohtoren, gjatë këtyre ditëve të ftohta ka   pasur ngrohje cilësore.

Bora e parë e këtij dimri ka gëzuar prodhuesit bujqësorë sepse do të shërbejë si një jorgan mbrojtës i grunajave nga ngricat. Gjatë vjeshtës në komunën e Gjakovës janë mbjellë rreth 5 mijë hektarë me grurë dhe kultura tjera bujqësore.  Bora me lagështi mundë të sjellë telashe vetëm për pemëtarët të cilëve pemishtet u rrezikohen nga pesha e borës me lagështi, ndaj ata këshillohen që të bëjnë shkundjen e pemëve që janë të mbuluara nga bora.

Bora që ka rënë gjatë natës dhe ditës së djeshme ka vështirësuar trafikun në komunën e Gjakovës. Mirëpo për ndryshim nga dita e djeshme, në mëngjesin e sotëm gjendja paraqitët më e mirë. Shkumbin Kastrati, drejtor i Drejtorisë komunale për Shërbime Publike në Gjakovë, i ka thënë Radio Gjakovës se  kompania private Vemor nga Peja e cila e ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit në sezonin e dimrit, gjatë natës ka pastruar rrugët kryesore të qytetit, ndërkohë që është hedhur kripë në tatëpjetat kryesore.

Situata më e vështirësuar paraqitët në rrugët dytësore, të cilat janë planifikuar të pastrohen gjatë fazës së dytë të intervenimit. Pastrimi në këto rrugë  ka nisur në mëngjesin e hershëm të ditës së sotme. Ndryshe, kur është fjala tek qarkullimi pa vështirësi i qytetarëve,  aktualisht kërkohet  një angazhim i të gjithë faktorëve për pastrimin e trotuareve të cilit janë të mbushur me akull dhe e vështirësojnë ecjen e këmbësorëve.