Tuesday, April 2, 2024
Aktuale

Pas vërshimeve edhe erërat e fuqishme

Mbrëmë banorët e komunës së Gjakovës janë ballafaquar me erëra të fuqishme të cilat u kanë sjellë telashe të reja duke shkëputur degë të drunjve dhe duke kërcënuar e rrënuar pjesërisht edhe pullaze të shtëpive, lokaleve afariste dhe banesave.

Gjatë natës së mbrëmshme, në shumë rrugë e lagje të qytetit dhe në lokalitete të fshatrave në masë të konsiderueshme është dëmtuar edhe rrjeti i tensionit të ulët të energjisë elektrike dhe ai telefonik.

Për pasojë sot shumë lagje të qytetit dhe të fshatrave kanë ngelë pa furnizim me energji elektrike.

Si bënë të ditur shërbimi teknik i distriktit të KEK-ut në Gjakovë, në teren tashmë ndodhen disa ekipe të këtij shërbimi për të intervenuar në sanimin e rrjetit elektrik. Aktualisht ende nuk është dhënë ndonjë raport për dëmet e shkaktuara, por supozohet se ato janë të konsiderueshme.