Pëllumb Vula: Ansambli Muzikor i Gjakovës
Një Institucion I rëndësishëm kulturor jo vetëm për Gjakovën
Institucioneve kulturore të komunës së Gjakovës i është shtuar edhe një tjetër: Ansambli Muzikor, që do të mbledh instrumentistët profesionist për të kultivuar vlerat muzikore artistike dhe për ti sjellur ato para atdashësve. Me vendimin e Kuvendit Komunal u miratua statuti i Ansamblit dhe për ushtrues detyre ëtë drejtorit është zgjedhur Pëllumb Vula, magjister i artit muzikor- interpretimi në klarinetë me të cilin zhvilluam një bisedë të gjërë rreth Ansambli.
Si lindi ideja për themelimin e Ansamblit Muzikor të Gjakovës?
Me fillimin e punës së shkollës së mesme të muzikës “ Prenk Jakova “, u krijuan kushtet për avancimin e artit muzikor në Komunën e Gjakovës, nga niveli gjysmë profesional, në nivelin profesional, e në veçanti u angazhuam për hapjen e seksioneve të veçanta, të cilat kishin me qenë bazë për ngritjen e kualitetit dhe mbarëvajtjen e punëve të kësaj shkolle .
Në muajin prill të vitit 2010, me përkrahjen e drejtorit të shkollës Astrit Pallaska dhe të donatorëve Georg dhe Dorothea Fankhauzer, u vendos që të formohet orkestra e shkollës së muzikës, ndërsa përgjegjësia për punë me orkestër mu ngarkua mua.
Prej kësaj kohe filluam me prova intensive me ç ‘rast u përgatit dhe u shfaq Mjuzikli “ Oliveri Kosovar”, të cilin e ndoqën së paku 10.000 qytetarë të qendrave të mëdha të Kosovës. Në vazhdim orkestra ngriti kapacitetet profesionale, duke u plotësuar me instrumentistë të tjerë dhe gjatë këtyre 4 viteve ka shfaqur afër 50 koncerte dhe prezantime të ndryshme në kuadër të aktiviteteve të shkollës ,të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe është prezantuar me program artistik edhe në qytete të tjera . Kurorëzimi i punës me këtë orkestër dhe vlerësimet më të larta profesionale u arritën me shfaqjen e Mjuziklit të dytë Arjeta dhe Gëzimi dhe me koncertin solemn të shfaqur më datë 24.05.2013 ku erdhi në shprehje përgatitja artistike dhe vlerat e ekzekutimit të instrumentistëve.
Me qëllim të ruajtjes të këtij formacioni muzikorë dhe vazhdimit të traditës së kulturës muzikore në komunën tonë, e duke u bazuar në interesimin e vazhdueshëm të qytetarëve për kultivimin dhe shfaqjen e programeve artistike, si dhe duke u bazuar në dispozitat ligjore me të cilat mundësohet themelimi i orkestrave të ansambleve komunale, incizova kërkesën tek Kryetari i Komunës së Gjakovës Dr. Pal Lekaj që organet e Komunës të shqyrtojnë mundësinë e mbështetjes institucionale për themelimit të Ansamblit – Orkestrës së Komunës së Gjakovës.
Cila është rruga e kaluar deri më tash rreth vënies në funksion të kësaj iniciative?
Pas inicimit të propozimit për themelimin e orkestrës, u krijuan kontaktet e punës me Kryetarin e Komunës dhe menaxherët e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ku kam prezantuar projektin ideor për themelimin dhe funksionimin e Ansamblit, i cili është mirëpritur nga zyrtarët përgjegjës të komunës dhe ata janë zotuar se do të ndërmarrin veprimet përkatëse për marrjen e vendimeve për themelimin dhe funksionimin e Ansamblit, dhe iniciativa u kurorëzua në mbledhjen e Kuvendit të komunës, në të cilën anëtarët e Kuvendit në mënyrë unanime e përkrahën propozimin e Kryetarit të Komunës Dr. Pal Lekaj për themelimin e Ansamblit muzikor të Komunës së Gjakovës, me c ‘rast u vendos edhe për emërimin tim si u.d. së drejtorit të Ansamblit në themelim.
Çfarë potenciale të instrumentistëve ka Gjakova?
Fatmirësisht pas hapjes së shkollës së mesme të muzikës, dita ditës Gjakova po i ngrit kapacitetet e saja me kuadro të reja, dhe këta instrumentistë së bashku me instrumentistët e angazhuar si profesor në këtë shkollë janë bërthama e Ansamblit. Përveç këtyre instrumentistëve janë pranuar në audicion edhe profesor dhe instrumentistë të tjerë nga qytete të tjera, të cilët kanë shpreh dëshirën të jenë pjesë përbërëse e orkestrës.
Si do të funksionojë?
Ansambli është institucion komunal i kulturës, i themeluar me vendim të Kuvendit të Komunës, në bazë të Ligjit Nr. 04/L – 164, dhe do të funksionoj në bazë të Statutit të Ansamblit, me të cilin rregullohet themelimi, veprimtaria, organizimi, përgjegjësitë, financimi, statusi i artistëve dhe objekti i punës, si dhe në bazë të rregulloreve të punës.
Çka tregoi audicioni I mbajtur për zgjedhjen e anëtarëve të Ansamblit?
Interesimi për pjesëmarrjen në audicion ishte mjaft i madh dhe nga kandidatët e paraqitur komisioni vlerësues përzgjodhi 37 instrumentistë të cilët do të jenë anëtarë të orkestrës së Ansamblit.
Sa anëtarë do të ketë profesionistë ansambli dhe si do të sigurohen të ardhurat për anëtarët?
Nga 37 anëtarë që janë përzgjedhur në audicjonin e mbajtur më datë 26.08.2013 Ansambli janë 23 instrumentist profesionistë, ndërsa financimi i Ansamblit do të sigurohet nga buxheti i Komunës së Gjakovës, donacioneve të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Republikës së Kosovës si dhe nga burimet e tjera financiare në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Cila do të jetë struktura e instrumentistëve?
Struktura e instrumentistëve është e përbërë nga seksioni i harqeve, i frymës dhe perkusioneve.
Ku do të zhvillohen ushtrimet?
Ushtrimet do të zhvillohen në ambientet e pallatit të kulturës “ Asim Vokshi “ të cilat do të lejohen për plotësimin e nevojave të Ansamblit, e sipas rastit dhe nevojës do të shfrytëzohet edhe salla koncertale e shkollës së muzikës.
Cili do të jetë program që do të kultivojë ansambli dhe kush janë anëtarët e këshillit artistik?
Programi që do të kultivojë Ansambli do të jetë program i muzikës profesioniste që në vete do të përmbajë muzikën nga koha Barokut deri në Modernizëm, muzikën e filmit, muzikën e kompozitorëve shqiptar si dhe at qytetare dhe të lehtë të orkestruar për orkestër dhe solist vokal.
Ndërkaq Këshilli Artistik i Ansamblit është i përbërë nga instrumentist profesionist dhe profesor anëtar të Ansamblit e ata janë : Meriton Ferizi , profesor i fagotit; Mrika Hoxha profesoreshë e violinës ; Genta Hoxha violiniste në Filarmoninë e Kosovës dhe Adonis Gjini profesor i violonçelit.
Kur pritet prezantimi parë para publikut?
Prezantimi i parë nëqoftëse çdo gjë shkon në rregull pritet të shfaqet ne fund të muajit Nëntor ose në dhjetëditëshin e parë të muajit Dhjetor.
Cilat janë synimet e Ansamblit për të ardhmen?
Synimet tona janë që Ansambli përveç orkestrës të kompletohet edhe me seksionet tjera që janë kori dhe trupa e baletit dhe besoj që në rast se vazhdohet me këtë përkrahje institucionale dhe të artdashësve, Gjakova do të pasurohet me një institucion të mirëfilltë të kulturës dhe artit muzikorë.
Të dhënat për biografinë artistike dhe pedagogjike
I lindur në Gjakovë më dt.12.05.1987, mësimet e para për klarinetë i mori në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, në klasën e ped. Frrok Seli. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Prizren, në shkollën e mesme të muzikës “Lorenc Antoni” në klasën e ped. Fitim Rexhepi dhe e përfundoi me rezultat të shkëlqyeshëm.
Në vitin 2005 është regjistruar në Akademinë e Arteve në Tiranë, Fakulteti i Muzikës – dega speciale klarinetë, në klasën e Prof. Ass. Kiço Dako dhe diplomova në vitin 2009, duke fituar titullin Klarinetist.
Në vitin 2010 është regjistruar për studime postdiplomike ne Fakultetin e Artit Muzikor – Universiteti “Shen Kirili dhe Metodi” në Shkup në klasën e Prof. Mr. Stojan Dimov, ku diplomoi në vitin 2011, duke fituar titullin Magjistër i artit muzikor – Interpretim në klarinetë.
Gjatë kësaj periudhe ka ndjekur mësimet masterclass me Prof. Doc. Piero Vincenti nga Perugia – Itali , Prof. Jerome Laferryere nga Parisi – Francë, Prof. Spyros Mourikis – Greqi , Prof. Bashkim Barbullushi – Shqipëri.
Pëllumbi ka një veprimtari të pasur artistike. Aktivitetin si solist në instrumentin e klarinetës e ka filluar në koncertet e mbajtura gjatë shkollimit të mesëm në Prizren, pastaj i ka vazhduar në Tiranë, me paraqitjet si solist, në ansamble dhome dhe në orkestrat e Akademisë së Arteve (Banda frymore dhe Big Band) ku ka qenë klarinetisti i parë i tyre .