Muaji Dhjetor jo vetëm që ka ardhë me temperatura të ulëta, mjegull dhe brymë dimërore, por ka sjellë me vete edhe ftohjet sezonale. Një nga bisedat e para të këtyre ditëve janë ankesat për teshtitje, temperaturë, ethe, dhimbje koke e tj, gjitha simptoma të gripit. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë dhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare bashkë me farmacitë e qytetit, është rritur në mënyrë tejet të madhe numri i pacientëve të cilët janë të atakuar nga ftohjet e gripit sezonal.
Dr. Viloleta Xërxa-Thaqi, thotë se për shkak të numrit të madh të pacientëve është kërkuar edhe të rritet numri i mjekëve për të përballuar këtë fluks të pacientëve.
Derisa gjatë javës së parë të muajit nëntor numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka qene mbi 4 mijë, gjatë javës së parë të muajit dhjetor ky numër është rritur për 1 mijë e 500 përsona, duke arritur në 6.150 .
Ftohja e zakonshme dhe gripi janë gjendje të cilat japin simptoma lokale nga hunda, fyti dhe veshi, si edhe simptoma të përgjithshme, temperaturë dhe ethe. Ftohja e zakonshme dhe gripi mund të paraqiten në disa forma, duke filluar nga ato më lehtat deri te format e rënda. Te ftohja e zakonshme, simptomat e para paraqiten në fyt dhe mbesin si simptoma kryesore. Ndërsa te gripi dominojnë: ethet, dhimbja e trupit, mundimi në stomak, plogështia, si edhe simptomat tjera të përgjithshme.
Ftohja shkaktohet nga viruse të ndryshëm, të cilët e ndryshojnë formën e tyre gjatë shumimit. Ftohja e zakonshme mund të transmetohet me anë të teshtitjes apo kollitjes, kur spërklat nga personi i sëmurë pranohen dhe thithen nga personi i shëndoshë.