Perfundon vjelja e mollëve
Në komunën e Gjakovës është në përfundim e sipër vjelja e mollëve në rreth 70 hektarë pemishte. Edhe pemëtarët kishin një sezon të vështirë për shkak të motit me breshër që ka lënë pasoja në rendimentin e mollëve.
Sipas ekspertit të pemëtarisë, Pjetër Frrokaj i cili njëkohësisht është edhe drejtues i Shoqatës së pemëtarëve “Saturn” në Gjakovë, shumë kultivues të mollës këtë vit janë dëshpëruar me prodhimin e dëmtuar nga breshëri. Sipas tij mollët kanë qenë të piketuara nga kokrrat e breshrit që e kanë dëmtuar atë, prandaj shumica janë detyruar që këtë prodhim ta shfrytëzojnë për përpunimin industrial.
Megjithëkëtë ka zona ku rendimentet janë të kënaqshme. Është pozitive fakti se në plantacionet e mollëve në komunën e Gjakovës, që nga paslufta kanë filluar të kultivohen varietete cilësore dhe produktive që japin rendimente të larta. Në pemishten mbi një hektarë të Armend Stojkut nga Skivjani këtë vit janë kultivuar rreth 15 varietete të mollëve që kanë dhënë rendimente të mira. Stojku gjithë prodhimin e mollës së sivjetme e ka shitur në tregun e Gjakovës ndërkohë që mollët e llojit “Saturn” dhe “Redfestaf” kanë qenë më të kërkuarat. Çmimi i një kilogrami të mollës varësisht nga varieteti kushton nga 30 deri në 70 cent.
Ndryshe mollët vendore, nga plantacionet e pakta të fermerëve gjakovarë qysh kur kanë filluar të dalin në treg e kanë zbritur dukshëm çmimin e lartë të importit që na shoqëron pothuajse në pjesën më të madhe të vitit. Dikur komuna e Gjakovës ka qenë e njohur për qindra hektarë me plantacione të mollës në kuadër të kombinatit bujqësor industrial “Ereniku”.(gjakovapress.info)