Tuesday, April 2, 2024
AktualeGjakova Presss

Pershendetje prej Gjakove!

gjakova obekti identifikues persh internet– Ndërtesa e parë shumëkatëshe e ndërtuar në qendër të qytetit para më shumë se 5 dekada e gjysmë, çuditërisht, u bë “shenj identifikues” e Gjakovës, pasi shumë njerëz, në foto ku shihej kjo ndërtesë, e kuptonin se është fjala për këtë qytet

Çdo mjedis, çdo qytet i ka karakteristikat e veta që e dallojnë nga mjediset e tjera dhe që bëjnë që të tjerët ta njohin përmes këtyre shenjave. Nuk flas këtu për karakteristikat njerëzore, përkatësisht sjelljet dhe veset e tyre, por për objektet identifikuese të mjediseve të ndryshme. Në foto ku shihet shtëpia ku është mbajtur Lidhje Shqiptare e Prizrenit, nuk ka nevojë të shkruhet legjenda se bëhet fjalë për qytetin e bukur të Prizrenit, pasi këtë të gjithë e kanë të qartë. Ngjashëm është edhe me monumentin e Pavarësisë në Vlorë, por edhe me Grykën e Rugovës në Pejë apo me kalatë ne Berat ose Shkodër. Këto janë disa nga objektet identifikuese për këto qytete, sikurse janë disa objekte të tjera, përmes të cilave identifikohen mjedise e qytete të tjera.

Shumëkatëshja e parë në Gjakovë

Nëse prezantimi i shpeshtë në fotot nga një qytet, janë kriter që një objekt, natyror apo i ngritur, të konsiderohet si shenj identifikues i atij qytetit, atëherë për Gjakovën mund të thuhet se janë disa objekte të tilla. Çarshia e Madhe, Xhamija e Hadumit apo objekti o hotelit “Pashtriku”, vlerësohet se janë objektet që më së shpeshti shihen në foto nga Gjakova dhe përmes të cilave shumëkush e kupton se është fjala për këtë qytet. E para (Çarshia e Madhe) pasqyron traditën e gjatë dhe të pasur të këtij mjedisi në zejtari dhe trashëgimi kulturore, e dyta (Xhamija e Hadumit) kohën e fillimit të ndërtimit të këtij qytetit dhe të sundimit turk ndërsa i treti (hoteli) simbolizon arkitekturën karakteristike e cila më shumë i përshtatet një vendi malor me shumë të reshura të borës se sa një qyteti. Megjithatë, ekziston edhe një objekt, i cili nuk i takon kategorisë së këtyre tri objekteve paraprake, por përmes të cilit shpesh identifikohet Gjakova. Fjala është për një ndërtesë “të thjeshtë” banimi të ngritur në qendër të qytetit.

Kjo ndërtesë nuk është edhe aq e thjesht, pasi është e para shumëkatëshe që është ngritur në Gjakovë, meqë është ndërtua para më shumë se 5 dekada e gjysmë. Në fakt, askush nuk di të thotë saktësisht vitin se kur është ndërtuar ajo, por të gjithë pohojnë se kjo është bë para vitit 1960, që dëshmohet dhe me foton tonë të vitit 1961.

“Pos pjesës ballore që është në formën harkore, e që për atë kohë kishte raste të rrallë që aplikohej kjo arkitekturë, kjo banesë nuk ka ndonjë element tjetër të veçantë. Gjithsesi e veçanta kryesore e saj është se ka qenë e para shumëkatëshe në qytetin e Gjakovës” ka thënë arkitekti i njohur gjakovar, Skënder Këpuska.

“Nismëtare” e kultivimit të kulturës së banimit kolektiv

“Bashkëkohanikët” e kësaj godine, e mbajnë atë në mend për shumë detaje interesante.

“Pikë së pari, për faktin se ishte shumëkatëshja e parë në Gjakovë, banuesit e asaj godine shikoheshin disi me sy tjetër. Shpesh dëgjohej dilema se si mund të jetohet me dhjetëra metra mbi tokë, kur gjakovarët ishin mësuar të jetojnë në shtëpi me oborr e me lule. Nga ana tjetër, ata e kishin një përparësi sepse mund t’i gjenim shumë lehtë. Mjaftonte të thuhej, filanin kërko te ndërtesa harkore, dhe ai gjendej pa problem” i kujtohet sot profesorit të nderuar të historisë, dr.Masar Rizvanollit. Profesori e ka veçuar edhe një segment tjetër të rëndësisë së kësaj ndërtese.

“Në atë godinë, për një kohë të konsiderueshme, ka banuar edhe miku im i mirë, poeti ynë shumë i njohur, i ndjeri Din Mehmeti. Ai, shumë herë më ka rrëfyer, se, të pamësuar që, sa herë të dalësh nga shtëpia (apartamenti) duhet ta mbyllësh derën me çelës, ka ndodh që shpesh ta lë derën hapur, sepse ishte mësuar që në shtëpinë e prindërve të vetë, asnjë herë të mos e mbyll derën me çelës, siç vepronin edhe shumica e gjakovarëve asokohe. Në këtë mënyrë, konsideroi se, kjo ndërtesë, në Gjakovë, ka filluar gradualisht të instaloi kulturën e banimit kolektiv, i cili, në shumë detaje ndryshon nga banimi individual nëpër shtëpi” shpjegon profesor Rizvanolli.

Karakteristikat dalluese të kësaj ndërtese, kishin bërë që ajo të shërbej edhe si vend takim për të rinjtë.

“Në përdhese të kësaj ndërtese ishte hapur vetëshërbimi i parë në Gjakovë. Mjaftonte dikujt t’i thuash “takohemi te vetëshërbimi” dhe nuk kishte nevojë për më shumë shpjegime pasi vendtakimi ishte plotësisht i qartë për të gjithë. Aty ekzistonte edhe një strehë e volitshme ku mund të strehoheshim në rast shiu” i kujtohet Zeki Bakiut. Ajo strehë, më nuk ekziston, çuditërisht është “tretur”, por ndërtesa identifikuese vazhdon të jetë mu në atë vend, në qendër të Gjakovës, me pamje fare pak të ndryshuar, por që për shumë kë edhe më tej është shenj identifikuese e këtij qyteti.

Gjakovapress Nr. 74