Po vjen Mitingu i 59 i poezisë
Nuk është thënë kot për Gjakovën se është qytet i poetëve e shkrimtarëve. Që 59 vjet këtu mbahet Mitingu i Poezisë. Për këto gati 6 dekada nëpër këtë aktivitet unik të krijimtarisë letrare, kanë kaluar emra të shquar të letërsisë kombëtare por edhe ndërkombëtare. Sivjet, ndonëse në format me të vogël krahasuar me vitet e shkuara, në klubin letrar “Gjon Nikollë Kazazi” si organizator, janë angazhuar që ky manifestim letrarë me sukses të vazhdoj traditën e nisur para gjashtë dekadave. Pikërisht nismëtarëve të Mitingut dhe atyre që vazhduan më pas që ky aktivitet të bëhet organizimi më i madh letrarë në vend, do ti kushtohet ora letrare. Po ashtu gjatë mitingut do të prezantohet Antologjia së poetëve të Gjakovës” në shqip e greqisht e përkthyer nga poeti nga Shqipëria, Iljaz Bobaj.
Për ndryshim nga vitet e kaluara, mitingu këtë vit do të jetë më i varfër, pasi nuk do të mbahet aktiviteti tradicional, ku për çdo vit flitet për një temë të caktuar nga fusha e letërsisë. Po ashtu për shkak të mundësive materiale nuk do të ketë pjesëmarrës poet të huaj. Por këtë vit, sipas kryetarit Muharrem Kurti, do të ndahen çmimet tradicionale të mitingut, ndërsa ka ftuar adhuruesit e fjalës së shkruar që të jenë pjesë e Mitingut të 59 të Poezisë, të premten nga ora 18.00 në Sallën Teki Dervishi, në Biblioteken e qytetit Ibrahim Rogova.