Thursday, January 2, 2025
Gjakova Presss

Prof. Ass. Dr. Alban Dobruna, një monografi shkencore për Ahmet Koronicën

Shkëputur nga numri më i ri i revistës Gjakovapress

Shkruan : Prof. Ass. Dr. Fitim Rifati

Recension për monografinë “Ahmet Koronica në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, të autorit Prof. Ass. Dr. Alban Dobruna

Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, më 28 Dhjetor 20, në kuadër të edicionit të botimeve të këtij viti, nxori nga shtypi veprën monografike “Ahmet Koronica në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, të autorit Prof. Ass. Dr. Alban Dobruna.

I caktuar nga Këshilli Shkencor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, për të dhënë mendimin e recensentit lidhur me monografinë në fjalë, paraqes këto rezultate si më poshtë.

Vepra “Ahmet Koronica në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, e autorit Prof. Ass. Dr. Alban Dobruna, është një studim monografik, i cili përfshinë një periudhë historike mjaft dramatike për shqiptarët, kur përpjekjet për copëtimin dhe aneksimin e trevave të tyre, shteteve ballkanike,  kishin kulmuar gjatë vitit 1878 dhe në vitet pasuese.

Ahmet Koronica është një personalitet kryesor i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), për të cilin historiografia shqiptare ka shpalosur momente interesante në kuadër të makro projekteve kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por ky personalitet nuk është trajtuar hollësishëm nga studiuesit e historisë. Në këtë kontekst, studiuesi Alban Dobruna ka konsideruar se duhet kushtuar vëmendje më e zgjeruar këtij personaliteti, duke realizuar kërkime të reja në arkiva dhe biblioteka, për të paraqitur të dhëna me interes, të cilat ndriçojnë segmente të caktuara të jetës e veprimtarisë së Ahmet Koronicës dhe viteve të para të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Autori e ka parë të arsyeshme që strukturën e kësaj monografie ta trajtojë, parashtrojë dhe ndërtojë në katër kapituj, duke ndjekur vazhdimisht renditjen kronologjike dhe pikëpamjen tematike.

Në kapitullin e parë “Të dhëna mbi origjinën dhe personalitetin e Ahmet Koronicës”, paraqiten  fragmente mbi origjinën dhe personalitetin e Ahmet Koronicës, mbi rrethanat politike e shoqërore në Kosovë gjatë gjysmës së parë të shek. XIX, mbi Krizën Lindore të viteve 1875-1878, përfshi Traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit. Në këtë kapitull hyrës, autori jep një pasqyrë të qartë mbi familjen, rininë, formimin e Ahmet Koronicës dhe rrethanat kombëtare e ndërkombëtare, të cilat e nxjerrin në pah aktivitetin e hershëm të Ahmet Koronicës në radhët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Në kapitullin e dytë “Roli i Ahmet Koronicës gjatë viteve 1830-1878”, autori ka e vlerësuar të arsyeshme të paraqesë të dhëna mbi formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, aktivitetin e Ahmet Koronicës në kuadër të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (1877), që kishte qendrën në Stamboll, mbi veprimtarinë e Ahmet Koronicës në Gjakovë e viset përreth në kuadër të fillesave të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit etj., duke vënë në pah pikëpamjet politike dhe ideologjike të Ahmet Koronicës, mbi objektivitetin dhe pragmatizmin e tij kombëtar, që në kuadër të Krizës Lindore çështja shqiptare të merrte zgjidhje të menjëhershme dhe të ruhej integriteti territorial i trevave shqiptare.

Në kapitullin e tretë “Veprimtaria e Ahmet Koronicës gjatë veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1879)”, autori vë në pah rolin dhe kontributin e Ahmet Koronicës në formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shtrirjen e aktivitetit të saj edhe në qytete të tjera shqiptare si në Gjakovë, ku Ahmet Koronica natyrshëm dhe në mënyrë të pakontestueshme mori rol udhëheqës. Është shtjelluar në trajtë të argumentuar ndikimi i Ahmet Koronicës në revoltën shqiptare kundër misionit të Mehmet Ali Pashë Maxharrit dhe vrasjes së tij në Gjakovë, në shtator 1878. Në këtë kapitull, autori ka arritur me sukses që të shpalos detaje interesante, të cilat argumentojnë personalitetin shumëdimensional të Ahmet Koronices, si politikan, si udhëheqës, si prijës luftarak dhe kategorik, që të ruhej paprekshmëria territoriale e trevave shqiptare. Orientimi i tij në krahun kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përbënte një kërcënim serioz për Perandorinë Osmane dhe Fuqitë e Mëdha që po punonin me ngulm për realizimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe, rrjedhimisht, për copëtimin e trevave shqiptare në favor të shteteve ballkanike.

Në kapitullin e katërt “Ahmet Koronica, një ndër udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, paraqiten të dhëna mbi jehonën e vrasjes së Mehmet Ali Pashës në trevat shqiptare dhe në arenën ndërkombëtare, sidomos reagimin e trupës diplomatike të Fuqive të Mëdha të akredituar në Shqipëri, për pikëpamjet e tyre mbi karakterin dhe rolin e Ahmet Koronicës ndaj zhvillimeve në Gjakovë e treva të tjera të Shqipërisë Veriore, mbi qëndrimin dhe aktivitetin e tij ndaj përpjekjeve të shqiptarëve për autonominë e Shqipërisë dhe formimin e Lidhjes së Re Shqiptare të Prizrenit në Gjakovë. Në këtë kapitull, autori ka arritur të evidentojë dy çështje themelore: pozicionin kombëtar të Ahmet Koronicës dhe vetëmohimin e tij për realizimin e aspiratave kombëtare të artikuluara në Programin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe internimin e Ahmet Koronicës, për të pamundësuar qëndresën e mëtejme shqiptare në Gjakovë dhe në vise të tjera shqiptare. Gjithashtu, bëhet përpjekje për të sqaruar rrethanat e vdekjes së Ahmet Koronicës.

Marrë për bazë strukturën dhe përmbajtjen brenda tekstit, autori i ofron lexuesit argumente të bollshme se kemi të bëjmë me një personalitet historik, i cili është aktiv në një periudhë historike të popullit shqiptar, siç është Lidhja e Prizrenit. Ai është një ndër figurat kryesore përkrah Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit etj., të cilat luajtën një rol të rëndësishëm dhe kontribuuan në përpjekjet politike, diplomatike dhe ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila ishte një organizatë politike-ushtarake për realizimin e të drejtave e aspiratave kombëtare, për mbrojtjen e tokave shqiptare nga copëtimi i huaj dhe për çlirimin e trevave shqiptare që ishin pushtuar nga shtetet ballkanike.

Për hartimin e kësaj monografie autori ka përdorur dokumente arkivore të pabotuara, të botuara, literaturë relevante historiografike, shtypin e kohës, memoaret etj. Të gjitha këto burime janë përdorur me kujdes dhe i janë nënshtruar kritereve themelore. Në pikëpamje metodologjike, autori e ka hartuar këtë monografi, duke respektuar kriteret bazë të shkrimit, duke bërë analiza, krahasime dhe duke dhënë interpretime logjike e të qëndrueshme në përputhje me kritikën shkencore. Në këtë kontekst, duhet përgëzuar guximin e autorit për t’i hyrë më thellësisht studimit monografik të një personaliteti historik kompleks, siç ishte Ahmet Koronica, për të cilin historiografia shqiptare ka prezantuar të dhëna të paplota. Prandaj, autori ka arritur të dallojë subjektin e monografisë dhe ta veçojë rolin e tij në rrethanat e kohës.

Marrë në tërësi, kjo monografi e autorit Prof. Ass. Dr. Alban Dobruna, është një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare në ndriçimin e mëtejshëm të personaliteteve të shquara shqiptare, të cilat presin akoma gjurmim e studim. Gjithsesi, rekomandohet që këtë vepër interesante ta kenë në duar studiuesit e historisë, institutet kërkimore-shkencore, qarqet akademike, katedrat e historisë, studentët dhe të gjithë të interesuarit e shkencave shoqërore, politike, diplomatike e ushtarake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *