Prof. Dr. Exhlale Dobruna-Salihu “Një Jetë Kushtuar Arkeologjisë”
Shkëputur nga numri më i ri i revistës Gjakovapress nr. 143-online
Nën organizimin e Instituti të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, nga data 14 deri më 22 nëntor 2020,u mbajt manifestimi shkencor dhe kulturor “Ditët e Alfabetit -2020”. Edhe pse rrethanat jo të përshtatshme për organizim, shkaku i pandemisë me të cilën po kalon globi e rrjedhimisht edhe vendi ynë, kjo qendër albanologjike që po forcohet me kuadro shkencorë dhe po merr vlerë kombëtare në të gjitha hapësirat shqiptare, në njërën nga ditët e këtij manifestimi, më datën 18 nëntor 2020 mbajti një tribunë shkencore për veprimtarinë shkencore dhe pedagogjike kushtuar prof. dr. Exhlale Dobruna-Salihut, të titulluar: “Një jetë kushtuar arkeologjisë”.
Ky tubim u mbajt në ambientet e bukura të këtij Instituti, përkatësisht në Sallën W. Wilson . Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i këtij Instituti, Dr. Skender Asani, i cili ndër të tjera tha: “Figurat të cilat kanë dhënë kontribut në ngritjen e arsimimit duhet çmuar. Dua të bëjë një retrospektivë, tha ndër të tjera z. Asani, të themelimit të arsimit shqip dhe universitete. Fillimisht Shqipëria për shkak të pavarësisë që mori më 1912 ajo ngriti sistemin arsimor. Pas Luftës së Dytë Botërore i mbeti Kosovës ta ngritë sistemin arsimor dhe ajo bëri shkolla fillore, të mesme edhe Universitetin e Prishtinës, pastaj mbetën vetëm shqiptarët e Maqedonisë të kenë arsimin tyre sipëror dhe kështu shqiptarët e themeluan Universitetin e Tetovës, si elementin më të ri të lëvizjes arsimore në Ballkan dhe kjo nuk do të ishte e mundur pa një kontribut të figurave të larta,të profesorëve me kalibër të lart dhe të njohur ndërkombëtarisht, të cilët u kyçën në këtë Universitet, ku në mesin e tyre ishte edhe prof. dr. Exhlale Dobruna-Salihu. Unë kam pasur fatin të jem gjenerata e parë dhe të kemi profesorët më elitar të Universitetit të Tetovës. Do ta ceki një fakt për kontributin e prof. Exhlale Dobruna-Salihu, e cila që nga dita e parë gjatë themelimit të Universitetit të Tetovës sidomos në katedrën e Historisë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me sakrifica, sepse në atë kohë vështirë ishte të ishe profesor në këtë Universitet në vitin 1994, sepse kishte barriera nga policia dhe nga shërbimet e ndryshme që pengonin profesorët nga Prishtina të vinin në Tetovë dhe të ligjëronin. Mirëpo, prof. Dobruna-Salihu i tejkaloi me guxim këto vetëm e vetëm që të mbjellë farën e dijes te gjeneratat e reja. Nga ligjërata e profesoreshës në sferën e arkeologjisë, jo vetëm në aspektin teorik por edhe atë praktik, na ka dërguar në lokalitetet arkeologjike dhe institucionet tjera, të cilat na ka dhënë orientim nga duhet të shkojnë shqiptarët e Maqedonisë dhe sidomos në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të tyre. Dhe, jo rastësisht, dijen që e kemi marrë na ka shërbyer si mbrojtje ndaj projekteve të ndryshme që janë bërë për përvetësimin të kulturës dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, ku mund të veçojmë projektin 2014, ku dëshirohej të zhbëhej trashëgimia jonë kulturore si ajo nëntokësore edhe ajo mbitokësore dhe pikërisht bazamentin kryesore e kemi marrë nga ligjëratat e prof. Exhlale dhe jo rastësisht kemi qenë më të zëshmit kundër këtyre projekteve që kanë tentuar zhbërjen e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në Shkup, andaj na ka ndihmuar kalitja e ligjëratave të prof. Exhlale dhe sidomos në mbrojtjen e kulturës materiale ilire që gjendet në Kalanë e Shkupit pastaj edhe studimet e saj i ka argumentuar sidomos në territorin e Dardanisë, prejardhjen ilire të Perandorit Justinan, i cili është hallka që e lidhë kontinuitetin iliro-arbëror-shqiptar. Sidomos Shkupi është elementi më argumentues se çdo qytet tjetër shqiptar në trevat e Ballkanit,për trashëgiminë e pandërprerë iliro-arbërore-shqiptare dhe jo rastësisht në ditët e alfabetit dhe sidomos për iluministët shqiptarë, profesoresha zë vendin e merituar për shkak të veprimtarisë së saj shkencore, sakrificës për arsim dhe për dije” – e përfundoj fjalën e tij drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Dr. Skender Asani.
Studiuesja Zana Hoxha nga Instituti Albanologjik i Prishtinës nderoi këtë tubim me anë të një komunikimi online, pasi për shkaqe objektive nuk mund të ishte e pranishme në sallë. Ajo lexoi recensionin e saj, ku çmoi shumë librin e saj “Saxa loquuntur” (Gurët flasin), Prishtinë, 2016. Sipas znj. Hoxha, ky libër “është një përmbledhje komplekse e punimeve të antikitetit, të botuara vetëm në gjuhën shqipe në revista të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe të simpoziumeve të mbajtura në trojet shqiptare e të botuara në publikimet e trevës përkatëse, të cilat për temë studimi kanë pikërisht monumentet e gurit të të gjitha tematikave dhe kategorive: mbivarrore, të kultit, të nderit dhe arkitetkturore të një treve të gjerë ilire. Si pjesë integrale e veprës janë tri harta dhe materiali i pasur fotografik i ndërlidhur me tekst si dhe përmbledhjet në njërën nga gjuhët botërore të secilit punim. Arsyeja e kësaj përmbledhjeje punimesh qëndron në ofrimin e mundësisë së studiuesve të arkeologjisë dhe të lexuesve tjerë të shkencës dhe kulturës të interesuar për këtë lëmi, që ta kenë këtë material sa më afër në një vend”. Ndërsa në vazhdim foli prof. assoc. dr. Bedri Muhadri nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, i cili ndër të tjera çmoi prof. Exhlale Dobruna-Salihu me një referat të bukur, ku ndër të tjera tha: “Veprimtaria shkencore e Exhlale Dobruna-Salihu në fushën e arkeologjisë së antikitetit, të cilën ia ka kushtuar dardanëve dhe trevës së Dardanisë gjatë periudhës romake, është e spektrit të gjerë, ku pos skulpturës, që e ka specializim të ngushtë, trajton edhe çështje të tjera arkeologjike nga kjo periudhë, si epigrafi, onomastikë, kulte, etnografi etj. Veprat e prof. Dobruna-Salihu janë fryt i një pune studimore të kujdesshme shumëvjeçare, ku na paraqet ndriçimin e shumë aspekteve të jetës ekonomike, shoqërore, etnike dhe të religjionit në trevat e Dardanisë. Ajo u ka bërë një shërbim të madh studiuesve të arkeologjisë shqiptare, pasi ka sjellë rezultatet e një pune të gjatë, sistematike e hulumtuese, ku lexuesit me anë të librave dhe shkrimeve të shumta të saj do të kenë mundësinë të pasurojnë njohuritë e tyre për artin skulpturor dhe të veprimtarisë kulturore-artistike në përgjithësi në Dardani gjatë kohës romake, por ajo mbi të gjitha vë në pah përmbushjen e një detyre morale ndaj shkencës shqiptare dhe atyre që do studiojnë më detajisht këtë periudhë kohore”, theksoi ndër të tjera prof. Muhadri.
Ishte me interes kumtesa e studiuesit nga Instituti të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Doc. Dr. Besnik Rameti, të titulluar “Një grua që flet dhe i shkruan nëntokës Dardane”. Këtu prof. Rameti i bëri ezaurim të tërë jetës dhe veprimtarisë kërkimore shkencore të prof. dr. Exhlale Dobruna-Salihu, ku ndër të tjera theksoi se: “Të shkruash për biografinë dhe bibliografinë e Prof. dr. Exhlale Dobruna-Salihu, është nder për mua, sepse të gjithë jetën e vetë të studimit dhe hulumtimit ia kushtoi arkeologjisë si shkencë dhe posaçërisht duke hulumtuar mbi lashtësinë e Dardanisë dhe Ilirinë gjatë periudhës romake. Prof. Exhlale punën shkencore e kryen me përkushtim dhe pasion. Çdo gjë që lidhet me arkeologjinë nga skulptura e deri te artefaktet të tjera, të cilat janë dëshmi e kërkimit sistematik në këtë fushë hulumtuese arkeologjike mbi territorin e Dardanisë”.
Në vazhdim të tubimit e mori fjalën asistenti i ri i Instituti të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup , Sali Islami, i cili u paraqit me kumtesën e tij, të titulluar: “Prof. Exhlale Dobruna-Salihu një jetë kushtuar arkeologjisë”. Islami potencoi se Exhlale Dobruna-Salihu si arkeologeja e parë e diplomuar në Kosovë, e cila në fushën e arkeologjisë së antikitetit pos studimeve dhe punimeve të shumta kushtuar dardanëve, si dhe pjesëmarrjes në simpoziume, me trajtimin që i ka bërë plastikes së gurit në Dardani është i rëndësishëm jo vetëm për studimin e artit skulpturor në veçanti dhe të veprimtarisë skulpturore-artistike-kulturore në përgjithësi duke kontribuar në zgjidhjen e problemit me rëndësi në fushën e artit dhe të plastikes së gurit të kësaj treve edhe për ndriçimin e shumë aspekteve të jetës ekonomike, shoqërore, etnike e të religjionit në këtë treve, e në këtë kuadër edhe raportet e dardanëve ndaj elementeve dhe ndikimeve të huaja. Në përfundim të fjalës së tij,studiuesi Sali Islami theksoi se “Prof. Exhlale Dobruna-Salihu me punën dhe përkushtimin e sajka bërë që për neve gjeneratat e reja të jetë pikë reference,sidomos mbi dardanët dhe Dardaninë dhe sidomos duke shpresuar se mësimet dhe puna e saj të vazhdojë të përmendet, të debatohet dhe të vlerësohet akoma më shumë në të ardhmen”.
Në fund të këtij tubimi ju dha fjala prof. dr. Exhlale Dobruna – Salihut, për të cilën ishte bërë ky organizimi, e cila ju drejtua auditoriumit duke i përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe duke shprehur gëzimin për nderin që po i bëhej. Ajo falënderoi Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, posaçërisht drejtorin Dr. Skender Asani. Prof. Exhlale Dobruna-Salihu përgëzoi këtë institucion shkencor për këtë ndërmarrje,duke u shprehur e befasuar me punën e mirë dhe duke shprehur dëshirën e saj që të ketë sërish organizime të këtij lloji për njerëzit e kulturës, shkencës, njerëzimit e me radhë.
Me anë të këtij organizimi, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, në kuadër të manifestimit të ditëve të alfabetit dëshironi të vë në pah kontributin e iluministeve të shumta shqiptare dhe për të gjitha femrat shqiptare, të cilat kanë kontribuar për zhvillimin e shkencës. Duke pasur parasysh kontekstin kohor në të cilin ka vepruar prof. Exhlale Dobruna – Salihu, u vlerësua se ajo ka qenë vërtetë një iluministe e kohës së saj.