Saturday, March 23, 2024
Gjakova Presss

Prof.dr. Masar Rizvanolli: ÇARSHIA E MADHE  E GJAKOVËS

Para 21 vitesh, më 24 Mars 1999 filluan bombardimet e NATO-s ndaj forcave dhe caqeve serbe që po ushtronin dhunë ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Represalja e kriminelëve serb,  si hakmarrje ndaj fushatës së NATO-s,   ishte e tmerrshme, duke vrarë, burgosur, djegur e shkatërruar gjithçka shqiptare në Gjakovë. Prof. Dr. Masar Rizvanolli në librin e tij ÇARSHIA E MADHE  E GJAKOVËS, ka pasqyruar dëmet që iu bënë monumenteve të trashëgimisë kulturore e në veçanti Çarshisë së madhe  të Gjakovës duke filluar nga 24 Mars 1999. Shkëputem një pjesë nga ky libër.

…….

Më 24 mars 1999, menjëherë pas bombave të para që hodhi NATO-ja në Kosovë kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në Gjakovë filloi djegia e pamëshirshme e Çarshisë së Madhe dhe e të gjitha përmendoreve kulturore historike dhe fetare që gjendeshin në te. Kjo sjellje vandale ishte pjesë e realizimit të planeve të errëta, kundër-qytetëruese, të përgatitura që herët për zhdukjen e të gjitha gjurmëve kulturore historike, që dëshmonin identitetin kombëtar të shqiptarëve në Kosovë. Me këtë rast dogjën edhe Kompleksin “Xhamia e Hadumit”, simbolin dhe krenarinë e qytetit të Gjakovës, bërthamën rreth të cilës u themelua Çarshia e Madhe, qendrën fetare, arsimore dhe kulturore gjatë gjithë historisë së qytetit. Dogjën bibliotekën e saj me gjithë atë fond librash dhe dorëshkrimesh orientale dhe shqipe, të shkruara edhe nga autorë gjakovarë. Dëmtuan të gjitha ato ornamente, me të cilat e zbukuroi këtë xhami gjeniu anonim dhe që e renditën atë në radhën e përmendoreve më të bukura islame. Për fat nga flaka që kishte përfshi të gjithë kompleksin shpëtoi vetëm xhamia me minaren e dëmtuar, me hyrjen e djegur dhe me arabeskat e dëmtuara, të cilat u restauruan me ndihmën e shoqatave ndërkombëtare[1].

Për vlerat e pamohueshme shumë-dimensionale të kësaj xhamie profesori i Universitetit të Harvardit, Ridelmajeri, ndër të tjera, deklaroi: ”Xhamia e Hadumit monument unik në të gjitha trojet shqiptare … nuk ishte vetëm xhami, por ishte qendër kulturore. Pranë xhamisë gjendej biblioteka, e cila ishte më e madhe se vetë xhamia. Pranë bibliotekës gjendej mejtepi, ndërsa aty pranë Çarshia e Vjetër me dhjetëra dyqane, të cilat ishin vakëfe të xhamisë. I tërë kompleksi, pra, përbënte një qendër edukative e fetare. Kompleksi ishte i ndërtuar e zhvilluar nga ana e vet gjakovarëve. Kjo qendër nuk ishte importuar nga jashtë. Ky është monument i kulturës shqiptare”[2]. Qysh më 1838, J. Mylleri, duke bërë fjalë për madhështinë e Xhamisë së Hadumit, shkruante se kjo xhami “në qendër të qytetit mund të bënte gara lirisht me xhamitë në Stamboll”[3].

Foto: Më 24 Mars 1999, porsa ranë bombat e para të NATO-s në pozicionet e forcave ushtarrake, policore dhe paramilitare serbe, filloi djegia sistematike e Çarshë së Madhe. Foto: O. Gojani. Koleksioni i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Gjakovë.

Të njëjtat forca të errëta përsëritën sjelljen vandale të vitit 1912, kur, pasi pushtuan Gjakovën, plaçkitën Çarshinë e Madhe, dhe, pastaj, ia vunë zjarrin  me ç’rast, pos fondit të pasur të bibliotekës së Xhamisë së Hadumit, me libra dhe dorëshkrime shumë interesante, dogjën edhe sixhilin, kronikën e qytetit me rrethinë, në të cilën ishin shënuar të gjitha ngjarjet më interesante që nga themelimi i Gjakovës e deri në momentin e djegies së tij (kryengritjet kundër pushtuesve osmanë dhe austriakë, rapresaljet në formë djegiesh, vrasjesh, internimesh; epidemitë, tërmetet, thatësira, vërshimet, etj). Prandaj, me të drejtë myderrizi i Medresesë së Madhe, Iljaz efendiu deklaroi me lot në sy para xhematit të xhamisë: ” Vllazen ma mirë t’na kishin kallë krejt Gjakovën se sa sixhilin. Na edhe ata qi vin mas nesh e marojn ni sheher edhe ma t’mir, po sixhil nuk ka me pas mo”[4]. Zhdukja e sixhilit, si burim i rëndësishëm jo vetëm për të kaluarën e Gjakovës, paraqet “një humbje të  pazëvendësueshme për historinë dhe kulturën shqiptare”.

Sixhili “dëshmon se ky qytet radhitet ndër më të zhvilluarit e vendit”[5]. Po këto forca shkatërruan, asokohe, edhe Medresenë e Madhe, të cilën e shndërruan në stallë për vendosjen e kuajve, të cilëve, në vend të kashtës, iu shtronin fletët e librave, të bibliotekës së saj jashtëzakonisht të pasur me botime të sjella nga Stambolli, Aleksandria dhe qendrat e tjera të kulturës islame, ku studiuan dhe mbajtën leksione myderrizët e kësaj medreseje[6].

Foto: . Çarshia në flakë. Foto: O. Gojani. Koleksioni i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Gjakovë

Në kompleksin e Çarshisë së Madhe, më 7 maj 1999, u dogj Teqeja e Bektashinjve e bashkë me te edhe biblioteka shumë e pasur e saj, në të cilën ruheshin, pos tjerash, të gjitha veprat e Shoqërisë së Stambollit, veprat e vëllezërve Frashëri dhe shumë dorëshkrime të krijuesve fetarë e letrarë që ishin në krye të saj.

Më 12 maj 1999 u dogj Medreseja e Madhe si pjesë e Kompleksit të Çarshisë së Madhe, njëra nga vatrat më të vjetra të arsimit fetar dhe kombëtar për Gjakovën me rrethinë, Malësinë e Gjakovës, Sanxhakun e Jeni Pazarit e më gjerë, ku mbajtën leksione në shqip dhe mësuan patriotë të njohur, veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilët bënë përpjekje për të shkruar shqip me alfabetin osman[7].

E vetmja përmendore që i shpëtoi valës së parë të flakëve që e shndërruan Çarshinë në gërmadhë ishte Lapidari kushtuar luftëtarëve të rënë në luftë kundër Maxharr Pashës në fillim të shtatorit 1878. Por, në një ditë të bukur maji, pikërisht të enjten, më 13 maj 1999, njësitë e xhenios së Ushtrisë Jugosllave, minuan në mesditë edhe këtë përmendore, të cilën arritën ta rrafshojnë me tokë vetëm pas minimit të dytë në ora 14.

Lajmi për këtë ngjarje të hidhur tronditi të gjithë gjakovarët kudo që jetonin. Piromanët serbë bënë atë që qysh në sistemin e skllavërisë iu mohohej edhe perëndive. Të kujtojmë, sa për ilustrim, fjalët e autorit antik grek, Agathonit: ”Një gjë e vetme i është mohuar edhe Perëndisë: Pushteti për të zhbërë të kaluarën”.

 

Materialet e shfrytëzuara:

[1] Sipas një raporti të Entit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Gjakovë në Kompleksin “Çarshia e Madhe”u dogjën 423 dyqane, 246 shtëpi, 7 objekte zyrtare, 6 punëtori – ordinanca, 4 objekte të shoqatave dhe të partive politike, objekti i Entit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe shumë objekte të tjera të djegura apo të dëmtuara pjesërisht.

          Në Kompleksin “Xhamia e Hadumit” u dogjën xhamia, mejtepi, avdeshaneja, biblioteka me 2 mijë libra, nga të cilat 150 ishin dorëshkrime origjinale-unikate. U granatua minareja .

          Në Kompleksin “Medreseja e Madhe” u dogjën mesxhidi, mejtepi, objekti i arsimtarëve, medreseja me 8 njësi dhe u granatua shatërvani.

          Në Kompleksin “Teqja e Bektashinjve” u dogjën biblioteka me 1700 libra, nga të cilat 180 ishin origjinale-unikate,  samahaneja, tyrbja dhe objektet e mysafirëve.  

[2] Profesor Ridelmajeri, drejtor i Qendrës Dokumentare të Artit Islam dhe Arkitekturës Islame pranë Universitetit të Harvardit bashkë me kolegun e tij, Andru Hersher, profesor i Arkitekturës Islame në të njejtin universitet, gjatë tetorit 1999, qëndruan një muaj për evidentimin e shkatërrimeve dhe djegieve të thesarit kulturor në Kosovë. “Dituria islame”, nr. 125, 126, nëntor, dhjetor, Prishtinë, 2000. 39-40. 

[3] B. Shehu, Një raport i J. Müllerit. 68. Z. Shkodra, Qyteti shqiptar. 410.

[4] Deklarata të Fahri efendi Iljazit, të Xheladin Komonit, të Baba Qazim Bakallit etj. 

[5] J. Bajraktari, Gjakova me rrethinë. 19.

[6] Deklaratat e Fahri efendi Iljazit, Baba Qazim Bakallit, Xheladin Komonit, etj.

          Medreseja e Madhe punonte sipas programit të Fakultetit Teologjik “Fatih” të Stambollit, ku dhanë mësim myderizët e kësaj Medreseje: Hasan efendi Shllaku, Ali efendi Fikriu el Jakovi, Tahir efendi Lluka etj., Dr. Jashar Rexhepagiq, Zhvillimi i arësimit dhe i sistemit shkollor të kombësisë shqiptare në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918. Enti i teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Prishtinë, 1970. 120.          

[7] Cf. J. Rexhepagiq, Zhvillimi i arësimit. 121, 136, 137 etc.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *