Provimit të Maturës Shtetërore rreth 1.956 maturantë gjakovarë

Nesër, më  1 qershor 2013 do të mbahet pjesa e parë e Provimit të Maturës Shtetërore për rreth 1.956 maturantë  të cilët do të testohen në 19  qendra të vendosura në 9 objekte shkollore.

Testi fillon në orën 10:00 në të gjitha qendrat dhe zgjatë 180 minuta. Nxënësve iu lejohet që të kenë me vete vetëm laps grafit HB dhe një shishe ujë të pijes.

Në nivel vendi për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar mbi 2500 administrues dhe mbi 900 anëtarë të komisioneve në Qendrat e Testimit. Ndërsa, të gjitha Qendrat e Testimit do të jenë të mbuluara me së paku 2 përfaqësues nga tri universitetet publike të Republikës së Kosovës (mbi 600), njofton MASHT përmes një kumtese.

Për të monitoruar procesin nga afër, KQShM ka ftuar edhe deputetët – anëtarë të Komisionit Parlamentar për Arsim si dhe ka certifikuar 19 anëtarë të OJQ “Këshilli Rinor i Kosovës”, të cilët kanë kërkuar që të monitorjnë procesin e administrimit të testit.

Policia e Kosovës edhe këtë vit do ta mbështesë organizimin e Testit të Maturës duke siguruar transportin e testeve nga Ministria në Qendrat e Testimit dhe anasjelltas, si dhe do të sigurojë këto qendra gjatë kohës sa mbahet testi.