Thursday, April 4, 2024
Kulturë

PSE NJË TURIST DUHET TA VIZITOJË GJAKOVËN?

 

 Gjakova nga larg

 

Shkruan: prof.dr. Masar Rizvanolli

 

                   Gjakova është atraktive për turizmin kulturor dhe fetar.Ndër objektet kulturore historike dhe fetare më të rendësishme janë:

 

1.      Tërësia  urbanistike e Çarshisë së Madhe.

Çarshia e Madhe paraqet njerin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe jasht saj. Shtrirja e saj nga veriu në jug arrin në afro 1000 m., ndërsa sipërfaqja e gjithëmbarshme  e saj është 34.000 metra katrorë. Ajo ishte vatër e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të rajonit të atëhershëm të Gjakovës.. Në te u zhvilluan të gjitha zejet e   mundshme

Ka vlera shumë të mëdha jo vetëm  kulturo-historike, por edhe shkencore.

Në pikëpamje urbanistike, Çarshia paraqet një shembull të gjallë të planit urbanistik oriental me ato elemente të pasura arkitekturore që frymëzojnë sot çdo arkitekt, paraqet një muze të vërtetë të veshur me mozaikun e larmishëm  të zejeve të lloj llojshme në arkitekturen specifike të enterierëve të pasur, paraqet një laborator të madh shkollor  me modele të panumërta të krijimtarisë popullore në të cilin pasqyrohet kreativiteti i pashoq i ndërtuesit në përpunimin e drurit dhe latimin e tij sa më të përsosur për nevojat e veta.

Në pikëpamje arkitekturore Çarshia paraqet një shkollë të modeleve më të bukura të arkitekturës popullore dhe të shkathtësisë ndërtimore, duke filluar nga detajet më të imta e deri të tërësitë, prej objekteve e deri në ambiente, prej ambientit deri në urbanizëm, duke mos humbur në asnjë çast masën e vërtetë, të cilën mjeshtri gjenial anonim dhe me përvojë të gjatë e ka gjetur në jetën dhe në shprehitë e zejtarëve, në hapësirën e nevojave të domosdoshme, në dimenzionet njerëzore.

Është një rast i rrallë kur një tërësi urbane ruhet plotësisht dhe jeton gati e paprekur nga jeta moderne, ështe shembull i rrallë i bashkëjetesës së harmonishme të të vjetrës me të renë  në një qytet.

Më 1999 u dogj me të gjitha përmendoret kulturore historike në te, por u ringjall pas luftës së fundit, falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare USAID, CORDAID etj..

 

2.      Shtëpia e Abdullah pashë Drenit.

       Banesë trekatëshe në formë kulle prej tullash me frengji, që bënte pjesë në selamllekun e  sarajit të Abdullah pashë Drenit. Sot kati i parë nuk dallohet nga jashtë për shkak të ngritjës së nivelit të rrugës kryesore, e cila, nëpërmjet të urës së Islam Begut, lidhte dy pjesët e qytetit.

Pos vlerave arkitekturore ka edhe rëndësi të madhe historike. sepse në te u vra mareshali osman Mehmet Ali pashë Maxharri, i cili kishte arritur në Gjakovë në rrugë për dorëzimin e tokave shqiptare Malit të Zi dhe Serabisë në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit më 1878.

Dega e Lidhjes Shqiptare në Gjakovë ftoi forcat e veta prej mbi dhjetë mijë luftëtarësh, nëpër shtëpitë e qytetit, i cili u shndërrua në gazermë ushtarake. Për ushqimin e tyre qytetarët  hapen hambarët dhe koshat; mullinjët e qytetit bluanin pa ndërpre për të siguaruar miell, ndërsa furrtarët piqnin bukë pa u ndalur për luftëtarët e lirisë. Armëtarët punonin natë e ditë për të siguruar armë e municion, ndërsa për sistemimin e të plagosurve u caktuan shtëpi të veçanta, ku berberët dhe mjekët popullorë kujdeseshin për tua shpëtuar jetën të plagosurve.

Pas bisedimesh  të pasuksesshme, në sarajin e rrethuar të Abdullah pashës, kryetarit të Degës, filloi lufta (1-6 shtator), në të cilën u vranë nga të rrethuarit, Mehmet Ali pasha, Abdullah pashë Dreni, Bajram agë Rrustemi etj. dhe shumë ushtarë osmanë, ndërsa nga ana e Lidhjes u vranë 400 vullnetarë.

Në këtë kullë është i vendosur Muzeu i Degës së Lidhjës Shqiptare në Gjakovë, i pasur me eksponate nga të gjithë arkivat dhe organet e shtypit botëror, muze unikat në të gjitha trojet shqiptare, i cili i kushtohet ekskluzivisht veprimtarisë së bujshme të kesaj dege .

 

3.      Shtëpia e Rexhep Haxhi Ismailit.

          Është ndërtuar kah viti 1830. Paraqet një arritje kulmore të banesës qytetare me qoshk në Kosovë. Si objekt shumë interesant arkitekturor përmban të gjitha karakteristikat e arkitekturës së vjetër banesore qytetare.

Ka dy kate dhe dy qoshqe interesante. Ka sistem interesant ngrohjeje.

Për kah bukuria shquhen tavanat e zbukuruar me drugdhendje.

Në këtë ndërtesë është i vendosur Muzeu Rajonal i pasur me eksponate interesante që paraqesin veglat e punës dhe prodhime të zejtarëve  të Çarshisë së Madhe dhe Çarshisë së Vogël të Gjakovës.

 

4.      Ura e Terzive.

Urë me njëmbëdhjetë harqe në formë gjysmëharku dhe me dhjetë dritare shkarkuese midis tyre.

Është ndërtuar me material guri mbi lumin Erenik më 1730 nga Esnafi i Terzinjëve të Gjakovës për t’i forcuar lidhjet tregtare me Prizrenin.

Gjatësia e saj është  192,8 m., ndërsa gjerësia 5,1 m.

Sipas një eksperti “është i vetmi objekt monumental e gracioz i këtillë i ndërtuar në truallin e Kosovës”, ndërsa sipas disa të tjerëve përmban vlera të larta historike, sociologjike, artistike, urbanistike dhe kulturore.

 

5.      Ura e Tabakëve .

                         Është ndërtuar mbi lumin  Erenik më 1790 nga Esnafi i Tabakëve të Gjakovës për të lidhur Gjakovën me Shkodrën.

Është e gjatë 127 m. dhe ka shtatë qemerë gjysmërrethorë dhe shtatë dritare shkarkuese.

Në te janë të gdhendur shumë reliefë. Në njerin nga qemerët e urës është e gdhendur një pëllembë dore me gishta, një rozetë e vogël me një sferë në mes dhe me rreze në mes të saj me një figure në trajtë gërshere, vegël pune e esnafit që e ndërtoi urën.

Edhe për këtë thuhet se ka vlera historike, sociologjike, artistike, urbanistke dhe kulturore.

 

6.      Mejtepi Ruzhdije.    

                       Ruzhdija (progjimnazi apo gjimnazi i ulët) u themelua në Gjakovë më 1867, si shkollë shtetërore në frymen e reformave të tanzimatit, kur u themeluan edhe shkolla të tjera fillore (iptidaije).

Meqë nxënësit nuk e kuptonin gjuhën turqishte që nuk flitej në Gjakovë, mësuesit vendës i përkthenin tekstet gjysëmilegalisht në gjuhën shqipe, duke shfrytëzuar dobësitë e pushtetit, që njihej vetëm formalisht në këtë hapësirë.

Në këtë ndërtesë u hap shkolla e parë shqipe 1915-1918.

Në vitet 1918-1941 punoi shkolla serbe, ndërsa prej vitit 1941-1944 mësimet zhvilloheshin vetëm në gjuhën shqipe. Prej vitit 1944 e deri para luftës së fundit mesimet zhvilloheshin në shqip për nxënësit shqiptarë dhe në serbisht për nxënësit serbë.

Së shpejti këtu do të vendoset Muzeu i Arsimit Shqip në Gjakovë.

 

  7.     Kisha e Shën Ndout.          

                    Gjakova kishte një traditë fetare katolike, që lulëzoi në kohën e Gjon Nikollë Kazazit, arqipeshkvit të Dioçezës së Shkupit. Por me zvoglimin e numrit të katolikëve Famullia e Gjakovës shpesh pushonte së vepruari.

Më 1703 ripërtërihet kisha e Shën Pjetrit në Gjakovë, ndërsa më 1851 ripërtërihet Famullia e Gjakovës. Në luftën e vitit 1999 kisha e Shën Palit dhe Shën Pjetrit rafshohet tërësisht. Në të njejtin vend u ndërtua katedralja e re.

Shënjëtorja e  Shën Antonit të Padovës ( Shën Ndout) quhej dikur edhe kisha e Patër Miles (Emilio a Cles), i cili e kishte ndërtuar më 1882, por që u shkatërrua më vonë. Më 1931, Patër Loenc Mazrreku e ndërtoi në të njejtin vend kishën e sotme, e cila u rinovua disa herë me ç’rast iu bashkangjitën edhe konaqet, zyret dhe nyjet sanitare, por duke iu përmbajtur konceptit të saj arkitekturor.

Gjatë luftës së fundit (1999) serbët e shndërruan në spital ushtarak, ndërsa personelin e saj e mbajtën peng deri në fund të luftës.

 

8.      Xhamia e Hadumit.  

                        Kompleksi i Xhamisë së Hadumit (1594/1595), simbolit të qytetit të Gjakovës, me të cilin, sipas traditës, lidhej edhe fillimi i jetës qytetare, paraqet qendrën kulturore, arsimore dhe fetare të këtij vendbanimi. Pranë saj gjendej biblioteka më e madhe se vet xhamia, pranë bibliotekës, shkolla. Sylejman Hadim aga, pos këtij kompleksi, ndërtoi, në afërsi, një muvakit-hane (objekt për matjen e kohës dhe për caktimin e kalendarit me ndihmën e kuadrantëve astrolabikë), një han, një hamam dhe disa dyqane që përbëjnë bërthamëm e Çarshisë së Madhe. Të huajt e konsideronin “monument i kulturës shqiptare…monument unikat në të gjitha trojet shqiptare…që ishte ndërtuar e zhvilluar nga ana e vet gjakovarëve…që nuk ishte importuar nga jashtë…” (Profesor Ridelmajer, Drejtor i Qendrës Dokumentare të Artit Islam dhe të Arkitekturës Islame pranë Universitetit të Harvardit), që “mund të bënte gara lirisht me xhamitë në Stamboll” (Dr.Myller, 1838).

Planimetria e saj përbëhët nga salla e lutjeve, hajati dhe minareja. Salla është e mbuluar me kube të konstruktuar drejtpërdrejt mbi te nëpërmjet të trompeve në këndet e mureve konstruktive. Ky konstruksion specifik paraqet të vetmen zgjidhje të këtillë ndërtimore në Kosovë.

Enterieret janë të zbukuruara me arabeska, me pikturë murale, me pejsazhe të stilizuara, në disa raste me motive të arkitekturës popullore ( të kullave të Dukagjinit), pastaj me selvi, natyra të qeta, ornamente bimore, figura gjeometrike, citate të kuranit.

Përreth saj gjendeshin varret me nishane të realizuara në plastikë guri të personaliteteve të njohura të Gjakovës me rrethinë.

Më 1999 u dogj ky kompleks (biblioteka, shkolla, shatërvanii etj), nga i cili shpëtoi vetëm xhamia me minarenë e granatuar, me hyrjen e djegur dhe me arabeskat e dëmtuara.

 

                               9.      Teqeja e Madhe Autoqefale Ballkanike.

Është teqeja më e vjetër e saadive jo vetëm në Gjakovë, por në tërë Rumelinë. E themeloi Shejh Sulejman Axhiza Baba (1537-1652), me prejardhje nga familja e bushatlinjve të Shkodrës, i cili qëndroi në Gjakovë, për një kohë,  me tre djemt e tij Danjoll efendiun, Lutfullah efendiun dhe Abdylvehabin.

Punën e tij në Gjakovë e vazhduan Danjoll efendiu që ishte imam ii pare  i Xhamisë së Hadumit dhe Lutfullah efendiu, myezini i pare i saj, ndërsa ai kaloi me djalin e tij më të vogël në Prizren, ku themeloi, në Marash, ghithashtu, Teqenë e Saadive.

Në pikëpamje artitekturore  teqeja përbëhët nga samahaneja, tyrbja, shtëpia dhe varrezat.

 

                                10.       Teqeja e Shejh Eminit.

                        Teqeja i takon Tarikatit Saadi. Është ndërtuar më 1730, ndërsa është rindërtuar më 1856 nga vetë Shejh Emini, arkitekt i njohur i Gjakovës, i cili projektoi shumë objekte dhe komplekse të ndryshme arkitekturore.

Kjo përmendore pëbëhet nga një kompleks objektesh me teqe, tyrbe, samahane kroje, shtëpi dhe objekte të tjera përcjellëse si abdeshaneja, oda për pritjen e mysafirëve, qoshku ( dhoma për diskutime), mejdan oda (dhoma e mexhlisit), mesxhidi (vendi për falje dhe lutje), biblioteka me librat e trashëguar, arkivi, kuzhina etj.

Si në enterier ashtu edhe në eksterier është e pasur me  elemente dekorative druri të gdhendur.

Shquhet për dhomën e mysafirëve në kat që ka formën e tetëkëndëshit.

Në konceptin arkitekturor objekti i takon arkitekturës popullore qytetare. Paraqet ekzemplar të rrallë të arkitekturës sakrale që do të shërbejë për studimin e përmendoreve të këtij lloji.

Këtu ruhen dokumente origjinale që nga themelimi i teqesë e deri në ditët e sotme..

 

11.                Teqeja e Bektashinjve.

                          Kompleksi i vjetër i Teqesë së Bektashinjve përbëhej nga dy objekte. Aty ekzistonte një bibliotekë e pasur me libra të rrallë dhe me dorëshkrime në gjuhët shqipe, arabishte, persishte, osmanishte etj. Disa sosh ishin vepra të shkruara nga baballarët e kësaj teqeje si Adem Haxhi Babai që shkruante me pseudonimin “Vexhhi”, Baba Hanza, Baba Qazimi etj.Aty gjendeshin veprat e Shoqërisë  së Stambollit dhe të vëllezërve Frashëri.

Objekti tjetër në lagjen e Hadumit, ku ishte tramsferuar teqeja u dogj nga paramilitarët serbë më 7 maj 1999 bashkë me bibliotekën me 1700 libra, 180 nga të cilat ishin vepra origjinale-unikate.

U rindërtua tërësisht më 2007.

 

                             12.            Medreseja e Madhe.

Qendër e rendësishme e arsimit fetar islam, që u ndërtua më 1707.

Përbëhej nga mesxhidi, nga dhomat e mësimit, nga salla e arsimtarëve, nga biblioteka shumë e pasur me libra dhe dorëshkrime të ndryshme, ndër të tjera, edhe të arsintarëve të saj, që ishin, më parë, pedagogë të Fakultetit Teologjik “Fatih” të Stambollit, nga menza, nga dhomat e fjetjes të studentëve, nga shatërvani etj.

E vetmja medrese ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe.

Më 1912 u shndërrua, nga ushtria malazeze, në shtallë kuajsh, të cilëve iu shtruan fletët e librave në vend të kashtës.

Më 1999 u dogj tërësisht nga focat paramilitare serbe.

U rindërtua me ndihmën finansiare të Shejh Muhamed El-Id Thani nga Katari.