Saturday, April 27, 2024
FejtoneKulturë

Qamili i Vogël zë që nuk shuhet

Qamili i Vogël  zë që nuk shuhet – Monografi nga Demir Krasniqi

Shkruan : Shaban Cakolli

Pavarësisht situatave të disfavorshme politike dhe ekonomike, kur pushtuesi po bënte krejt çka arrinte të shëmtonte përmbajtjen kombëtare kulturore të diturisë sonë, Qamili i vogël po rezistonte me dinjitet, për të ruajtur frymën kombëtare të kulturës sonë, pa përfillur pasojat që mund të binin mbi të. Ai e deshi atdheun, këngën dhe diturinë kombëtare dhe në moshën e tij njomake krijoi, kompozoi dhe këndoi shtatëdhjetë e tri këngë motivesh të ndryshme, suksesi i të cilave më pas i zgjoi ëndrrën e zjarrtë, për të u bërë këngëtar i dashur i popullit, këngëtar i qëndrueshëm i kohërave. Ai përherë e më shumë e përvetësoi mjeshtrin e këtij arti të dashur popullor dhe nga artdashësit e kombit u stolis me shumë epitete, si: Bilbili i Kosovës, Babai i këngës shqipe, veteran dhe doajen i këngës. Epitete këto që kanë arritur pak personalitete të kulturës dhe këngës sonë kombëtare.

Qamili Vogel kopertina
Kopertina e librit Qamili i Vogël nga Demir Krasniqi

Qamili i Vogël u gjend gjithherë në stërvitje, nuk pushoi së vepruari, fitoi simpati te dashamirët e artit, bashkoi rreth vetes grupe këngëtarësh e këngëtarë dhe u bë nismëtar i shumë shoqërive kulturore, jo vetëm në Kosovë, por edhe në treva tjera shqiptare.

Në situatën jo të favorshme politike, por edhe ekonomike nxori mbi tetëdhjetë audiokaseta, tridhjetë videokaseta dhe afro pesëqind këngë të veta me motive të ndryshme. Atë botë Qamili i Vogël para masave artdashëse u bë i dashur dhe këngëtar i pa zëvendësueshëm.

Qamili i Vogël atë kohë ishte ndër këngëtarët më të ngrohtë, që artdashësit më së shumti kanë vjelur nga shpirti i tij artistik. I lindur në Gjakovë, Qamili i Vogël, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Prishtinë. Ai ka punuar në” Rilindje” deri në pension, kurse ka kontribuar dhe pasuruar TVP, tani RTK, ku ka lënë shumë gjurmë nga veprimtaria e tij kulturore. është për t’u habitur se si sot nuk janë në gjendje së paku një herë në vit ta përkujtojnë me një emision këtë personalitet të madh të kulturës sonë kombëtare! !

Këngëtari popullor, Qamili, quhet i Vogël, sepse qysh si fëmijë ka filluar të këndoj nëpër dasma dhe tubime të ndryshme. Prandaj sa herë që shpërthente hareja në Gjakovë, të pranishmit thonin:”Thirreni Qamilin e Vogël të këndojë”, gjë që ishte normale, sepse ende ishte fëmijë.

Qamili vOgel
Qamili Vogel- legjendë e muzikes

Prandaj mbiemri i Vogël është një epitet i bukur që ia ka dhuruar populli. Kështu falë përkëdheljes së popullit “Qamili i Vogël”, këngëtari i lavdishëm me zërin e tij artistik që ushtonte në Kodrën  e Çabratit u bë i njohur në mbarë Shqipërinë Etnike Ai u bë sinonim i këngës popullore me melodinë e tij, prej të cilit kënduan shumë gjenerata. Një dhunti tjetër e këtij solisti të mirënjohur është se Qamili i Vogël kurrë nuk këndoi këngë për qoftëlargun J. B. Tito, siç vepronin disa këngëtarë, (ani me sharki e çifteli dhe kostum kombëtar shqiptar), siç ishin vargjet “Marshall Tita n’ kali t’bardhë”. meithëse ai ishte shtatgjatë dhe personalitet i madh. Ai ishte kultivues i kulturës sonë kombëtare, duke i shpallur tërë jetën e tij luftë të pa kompromis antivlerës, nga se donte një kulturë kombëtare të pasur dhe unike. A duhet të lihet në harresë ky personalitet i madh i kulturës sonë kombëtare?! Ndoshta të hutuarit pas shundit dhe kiçit, mendojnë se kjo ikonë e kulturës sonë do të mbulohet me pluhurin e harresës, por jo ne nuk do të lejojmë pluhurosjen mbi personalitetet madhështore të historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Vlerat më të themelta të së kaluarës që kanë mbajtur gjallë popullin tonë janë: Historia, kultura dhe tradita kombëtare, të cilat do t’i hulumtojmë, ndriçojmë dhe do i bëjmë të njohur e të dashur për çdo dashamir të kulturës dhe kombit. Ata që e njohën Qamilin e Vogël si dhe e deshën kulturën kombëtare nuk do ta harrojnë kurrë këtë veteran të këngës, por edhe ata që nuk e njohën do të mësojnë dhe do të mbjellin simpati shpirtërore për të. Pse? Sepse ai u mor me karakteristikat simbolike të këngës, i këndoi Rilindjes Kombëtare dhe figurave të etapës së saj, vlerave më të rezistueshme kombëtare, që do të nxitin kureshtjen e të rinjve të e njohin verën e tij, dedikuar së kaluarës sonë historike. Veprimtaria e tij dedikuar shtigjeve të historisë sonë kombëtare, ka vlerë reale-historike për të kaluarën tonë. Padyshim tani mbi 22vjet të vdekjes së tij, ka gjurmë se ai ka lënë këngë dhe krijimtari poetike, me të cilat nuk është marrë asnjë studiues intelektual, për të hedhur ndriçim mbi to, e që mundësitë më të mëdha për këtë dhe përkujtimin e figurës së tij kanë pasur “Rilindja” ku ai punoi dhe RTK, ku ai derdhi kontributin e tij. Nga ky borxh nuk mund të lirohen as disa intelektual të Gjakovës artdashëse, në gjirin e së cilës lindi dhe hapëroi Qamili i Vogël, të cilës i këndoi tërë jetën. Gjeneratat e tij dhe gjeneratat tona në vazhdim, duhet të jemi ballëlartë që nga gjiri i popullit tonë doli ky personalitet që e deshi atë dhe i këndoi tërë jetën. Të rinjtë tanë duhet të njohin dhe kanë nevojë për të njohur këtë veprimtari të kulturës sonë kombëtare dhe historike. Ata duhet të e mësojnë në mënyrë që ta njohin, ta përkujtojnë me shënime kulturore kalimtare dhe të emërojnë institucione kulturore me emrin e krijuesit popullor – Qamili i Vogël.

Qamili vOgel 1Ka pasur etnomuzikolog, të quajtur miq të tij, njohës të mirë të tij,njerëz që kanë vjelë nga shpirti i tij, që u ka lënë vepra të begatshme, të cilët pas vdekjes së bacës Qamil, treguan shpirtngushtësinë e tyre dhe nuk u treguan të gatshëm së paku njëherë në vit,të përkujtojnë këtë ikonë të çmuar të kulturës sonë kombëtare! Po, kjo ikonë, ky veteran i këngës shqipe nuk mund të mbetej në pluhurin e harresës si mendonin disa. A do të donin disa që në një farë mënyre të përvetësonin punën e begatshme të këtij veterani të madh, duke ia vjedhur autorësinë këtij mjeshtri të madh,duke i përdorur këngët e tij si të vetat, duke dalur kështu pa fije turpi autorë të këngëve, autorë të rrejshëm të teksteve dhe melodive të tij, madje edhe bastardim i teksteve të tij, madje shumë nga këngëtarët incizuan produkcionet e tyre, duke shtrembëruar realitetin, duke i regjistruar këngët që i krijoj dhe kompozoi baca Qamil, si këngë pa autorë, të shënuara si popullore, duke ua shtrembëruar edhe melosin!!! Po,baca Qamil kishte edhe miq të mirëfilltë, të cilët e donin, bashkëvepronin me te, që duanin vlerat kombëtare, që çmuan dhe ruajtën veprimtarinë e tij. I tillë ishte Demir Krasniqi, një këngëtar e krijues i madh, që diti të krijoj e ruaj vepra, një etnomuzikolog, një këngëtar i çmuar,  që vet dha gjitha nga vetja për kulturën e kombin, shoqëroj Qamilin në këngë e krijimtari, por edhe ia ruajti me kujtim e respekt, krijimtarinë e tij të frytshme muzikore,  këtij këngëtari të spikatur popullor. Duke pasur parasysh miqësinë e ngrohët me bacën Qamil, kontributin dhe veprat që i ka lënë në dispozicion baca Qamil, rëndësinë e shumëfishtë të tyre për etnomuzikologjinë Kosovare dhe shqiptare në tërësi, për të njohur brezat e rinj me punën kulturore të këtij veterani të madh, Demir Krasniqi i hyri një pune aspak të lehtë dhe me shumë përgjegjësi, duke pasur shumë fakte për te si bashkëpunëtorë e mik, duke hulumtuar edhe shënime tjera,hartoj një monografi për bacën Qamil, duke e titulluar atë ”QAMILI I VOGËL ZË QË NUK SHUHET”.

Demir Krasniqi
Demir Krasniqi , autor i monografisë për Qamilin e Vogel

Këtë monografi Demir Krasniqi e nisi për hartim në baza vullnetare,nga vullneti dhe dëshira të jep kontributin për ndriçimin e jetës dhe veprimtarisë së Qamilit të Vogël. Kjo monografi shquhet ndër monografitë më të mira që ka mundur të hartohet ndonjë nga monografitë te ne. Aty jepen burime të pasura ,të drejtuara nga respekti, malli dhe dashuria e madhe që pati Demir Krasniqi ndaj këngëtarit dhe krijuesit të madh Qamili i Vogël. Kjo monografi e vullnetit të mirë ka bërë që brezat që nuk e kanë njohur bacën Qamil,të e njohin hollësisht punën e tij,të ua ofrojnë atyre një pasqyrë komplete rreth tij,të ua rikujtoj dashamirëve të artit që veprat e tij të mos harrohen,por edhe atyre që luajnë me autorësinë e tij të heqin dorë nga ai veprim i shëmtuar. Demir Krasniqi, si muzicient dhe krijues i madh,si mik i bacës Qamil,me këtë monografi kapi dy ngjarje të mëdha. E para,monografia u botua në shenjë respekti për një përvjetor të ndarjes së tij nga ne,si dhe njohja e dashamirëve të artit tonë me jetën dhe veprimtarinë e bacës Qamil, kultivimi dhe mbrojtja e krijimtarisë së tij. Tani ne këtë punë të madhe monografike të Demir Krasniqit, edhe po deshëm nuk mund të e përmbledhim në një vështrim tonin,por ka disa çështje të zbardhura, që janë shumë të rëndësishme për ne dhe lexuesit tanë kudo që janë.

E para,na e bënë të mundur të njohim hollësisht jetën dhe veprat e tij.E cekëm më lart në shënimin tonë,përse populli e quajti Qamil Muhaxherin-Qamili i Vogël, tani po japim përse quhej Muhaxheri? Demir Krasniqi,mik dhe bashkëpunëtorë i baces Qamil ,na mëson:

Qamili i Vogël, sipas rrethanash historike, me rastin e shpërnguljeve të mëdha të shqiptarëve nga fshatrat e rrethit të Jabllanicës,të parët e familjes së tij ishin ardhur në Gjakovë nga një fshat i komunës së Medvegjës,u ku të gjithë ardhacakët quheshin ”Muhaxhir”, kështu mori mbiemrin edhe familja e baces Qamil.Kjo është një e dhënë shumë e ndritshme rreth figurës së tij,nga që deri më tani shumëkush nga ne nuk e kemi ditur.

Qamili i Vogël-Muhaxheri, u lind me 1923 në një familje bujqish, në mëhallën e Gecës në Gjakovë. Në kushte të vështira kishte arritur arsimin elementar,pasi gjendja dhe kushtet atëbotë ishin të tilla, ka qenë pjesëmarrës i LNÇ,së,ku më vonë u kualifikua si punëtor grafik në shtypshkronjën”NGB+Rilindja*Prishtinë, ku punoi deri në pension. Autori i monografisë Demir Krasniqi,na njofton se:Talenti i rrallë i Qamilit, u vërejt shumë herët kur ai ishte fëmijë. Ai kishte mjeshtri dhe zë karakteristik,kështu mjeshtri i madh, pedagogu i këngës popullore Ymer Riza, e mori në mesin e vet nga fëmijëria dhe punoi me te cilin punoi gjatë tërë jetës. Që nga ajo kohë Qamili filloi të le gjurmë në këngën popullore dhe krijoi emër këngëtari i cili nëpër kohë fitoi famë të madhe. Të flasim për veprën dhe jetën e bacit Qamil.

Rrethanat dhe kushtet e vështira në të cilat ka vepruar, krijimtarinë e tij të madhe me plot vepra e respekt, asesi nuk mund të e përmbyllim në vështrimin tonë, lexuesi duhet të lexoj veprën e Demir Krasniqit ”QAMILI I VOGËL ZË QË NUK SHUHET”;ku do të njeh gjerësisht jetën dhe veprimtarinë e bacit Qamil.

Demir Krasniqi, njohës i mirë i muzikës, këngëtar i ëmbël, mik i bacës Qamil, bashkëpunëtorë i tij, bacën Qamil e quan: Qamili i Madh, Bilbili i Kosovës, Mbret i Këngës, Baba i këngës, Mësues i këngës, Ambasador i këngës, Shpirt i këngës, Mjeshtër i këngës, Pionier i këngës, Veteran i këngës, Doajen i këngës etj…….

Vet këto emërtime tregojnë se Qamili ishte njeri i madh, por jo vetëm kaq, tregojnë se edhe autori i monografisë Demir Krasniqi, është njeri i madh nga se njeh vlerën e artit dhe mikut, pa njohjen e të cilave nuk mund të ndihemi as vet se kemi vlerë.

Qamili i vogël del si këngëtari më i spikatur i gjysmë shekulli kënge. Në fillim të këngës së vet Qamili ka kënduar këngë me motiv nga jeta e tij personale, këtë e ka shty frymëzimi i rinisë së tij të përmbushur plot vuajtje. Më vonë me mjeshtri të rrallë e ka kultivuar këngën burimore gjakovare, duke e pasuruar më vonë me një vistër këngësh të zgjedhura nga rrethi i Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Beratit, Korqës.

Në moshën e pjekurisë Qamili iu është rrekur edhe këngës folklorike që i ka kënduar me mjeshtri, që ua ka ruajtur me shumë kujdes origjinalitetin. Qamili me sukses diti të thurë dhe kompozoj këngë të reja, me motive qytetare e fshatare, të cilat u mirëpritën gjithmonë nga publiku. Ato këndohen dhe dëgjohen me ëndje edhe sot e kësaj dite kudo,në ndejat shoqërore, ahengje e gazmende popullore, koncerte e mediume tjera publike e kulturore. Duhet cekur se veprat dhe këngët e Qamilit të Vogël i kanë qëndruar dhe u qëndrojnë të gjitha kohërave, kanë tërhequr dhe tërheqin vëmendjen dhe kërshërinë e lexuesit.

Këngët e tij:Vajtimi i Avdisë, Kënga e Rexhës, Krisi Pushka, Dah Polloshka, Met Isufi, Te shtunen nga içinija, Krisen Topat, Kadal dal po vjen Pleqnia, ishin karakteristikë e veçantë e këngëve të tij të cilat hynë në zemrën e popullit. Qamili,  veç si krijues i këngës dhe kompozitor, me vargjet e veta dhe figurat stilistike na bënë përshtypjen e një poeti të rryer. Se ishte poet i mirë ka dëshmuar me shumë nga poezitë e veta, por çuditërisht pesë vite para vdekjes e kishte shkruar epitafin për vdekjen,të cilin e kishte ruajtur në fshehtësi të titulluar”VJERSHA IME”,e cila tani thuaj është shumë e njohur për gjithë ne,unë po i jap vetëm një strofë,që lexuesi sapo të e vështroi do i kujtohet:

VJERSHA IME

O,ju shokë, miq dhe dashamirë
Kur t´kaloni ndonjëherë këtu pari
K´theni e m´këqyrni ku jam i shtrirë,
Ndoshta pak ju hiqet malli!

Se kush ishte Qamili i Vogël, këtë na e thotë gjerë e gjatë me disa analiza veç e veç, Demir Krasniqi, të cilin e falënderojmë për mundin e tij të madh,që bëri për të ruajt kujtimin dhe për të na njohur me veprën e tij.

Nga monografia mësojmë se Qamili ishte një krijues i begat muzikor,një mik i çmuar,një atdhedashës që shkruante dhe këndonte për atdheun,ëndërronte për lirinë shqiptare, nuk ishte materialist, gjithçka çka incizoj e botoj bëri me mjete të veta materiale. Qamili i Vogël , kohën kur shumë krijues muzikor,që turreshin mbas porosive me pagesa të majme,ai nuk kishte qëllim material, kishte synim në mbrojtjen e kulturës kombëtare, pasurimin e saj investoj tërë jetën potencialin e tij shpirtëror e material,, udhëtoj me shpenzime të veta nga oda në odë, nga fshati në fshat, nga qyteti në qytet, nga shkolla në shkollë, nga koncerti në koncert, nga një shoqëri në tjetrën,nga një shtet në tjetrin në çdo mes ku kanë jetuar e punuar shqiptarët, të përhap, kultivoj dhe mbjell dashuri ndaj këngës shqipe. Madje baca Qamil e kishte thënë haptas:

NËSE KËNDON PËR FYTYRË-NUK DO TË KESH PARA; NËSE KËNDON PËR PARA -NUK DO TË KESH FYTYRË!

Çka të shkruajmë më parë për këtë monografi të pasur:Na mëson se Qamili si ambasador i këngës, që i dha famë edhe Radio Prishtinës, pas vdekjes fatkeqësisht nuk u përkujtua as nga ata. Autori i monografisë na njeh: Qamilin e Vogël, si këngëtar popullor, si kompozitor i këngës popullore, formimi i tij si krijues popullor, na jep: Analiza dhe pasqyrën tabelare të këngëve të Qamilit të Vogël, Ambitusi në Këngët e Qamilit të Vogël, Veprat e tij muzikore, Qamili i Vogël si Poet Laik, Popullor, Qamili i Vogël-Amator i jetës kulturore dhe pedagog i këngës popullore, Qamili i Vogël si mbledhës i folklorit muzikor shqiptar, Qamili i Vogël si producent i parë shqiptar nga Kosova,Qamili i Vogël, ambasador i këngës shqipe në vende tjera….

Në fund muzicienti dhe këngëtari Demir Krasniqi, në monografinë e Qamilit, jep edhe disa shkrime që kanë shkruar të tjerët për Qamilin e vogël, SI QAMILI I VOGËL TEMË E KONGRESEVE FOLKLORIKE-Shefqet Pllana,

QAMILI I VOGËL NË LIRIKËN TONË QYTETARE-Rexhep Hoxha, SI DUKAT I VOGËL-Maksut Shehu, KRIJUES E RRAPSOD I PALODHSHËM- Vehap Shita, GJYSMË SHEKULLI KËNGË-Sylejman Dërmaku, U SHUA EDHE NJË YLL I KËNGËS”Fjala”, E HARRUAM SI SHPEJT QAMILIN E VOGËL ”Bujku”1993, I MADHI QAMIL I VOGËL-Esat Dujaka, BIE SHARKIA E YMER AGES; Poezi nga Esat Mekuli, dhe ne fund AUTO-EPITAF i Qamilit të vogël.

Të shtjellojmë tani këta tituj një nga një për lexuesin tonë, edhe pse duam, kjo duket e pa mundur, por secili që lexon monografinë Qamili i Vogël Zë që nuk Shuhet,nga Demir Krasniqi, do të njeh bukur jetën dhe veprën e Qamilit të Vogël. Do të mësojmë se Qamili i Vogël, si njeri i mençur e i urtë, si atdhedashës e këngëtar me famë, u bë udhërrëfyes i shumë këngëtarëve dhe grupeve muzikore, që lindën pas tij në Kosovë dhe viset shqiptare. Ai në zemrat e artdashësve u bë një qenie e shenjtë e cila nëse lindë, lindë shumë rrallë te ne. Figura e tij çmohej dhe do të duhet të çmohet kurdoherë, si për kah miqësia, urtësia,atdhedashuria e kënga, ai ishte që çdonjëri nga ne ia kishte lakmi, çdonjëri prej nesh veçmas këngëtaret,ëndërronin të ishin një Qamill, si ai.

Andaj këtë gjenerator burimi të këngëve sikur do të ishte mirë çdonjëri nga ne të e përkujtojmë më shpesh, ta nderojmë, respektojmë e çmojmë, punën dhe veprën e tij të pashoq. Edhe njëherë falënderojmë Demir Krasniqin, për monografinë e tij ”Qamili i Vogël zë që nuk shuhet”, mes të cilës patëm mundësi të njohim më mirë ambasadorin e këngës shqipe Qamili i Vogël