Qarkaxhija: Të depolitizohet arsimi
Ndryshimet që erdhën në qeverisjen lokale kanë sjellë edhe emrat e rinj të drejtuesve të drejtorive komunale. Në krye të arsimit gjakovarë për vitet e ardhshme do të jetë Diana Çarkaxhija, punëtore e vyeshme me një përvojë 20 vjeçare në arsimin dhe edukimin e nxënësve por edhe eksperte e menaxhimit të arsimit. E njohur me sfidat e mëdha që ka arsimi në komunën e Gjakovës, drejtoresha është e bindur se me një bashkëpunim dhe përkushtim të gjithë atyre që janë të lidhur në procesin edukativo arsimor, duke depolitizuar shkollat dhe duke funksionalizuar trekëndëshin Nxënësi-shkolla-familja, do të arrihen suksese të pritshme.
Duke folur për këto çështje, drejtoresha e Arsimit, Diana Carkaxhija theksoi se këto mundë të arrihen vetëm me një bashkëveprim.
Më tutje Qarkaxhija ka potencuar edhe vënien e rregullit dhe respektimin e institucionit të konkursit për pranimin e mësimdhënësve nëpër shkollat tona. Sipas saj, në shkolla kanë vend vetëm ata mësimdhënës të kualifikuar dhe të përgatitur profesionalisht për kryerjen me sukses të punës.