Tuesday, April 2, 2024
AktualeLajme

Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjakovë synon zhvillimin e bizneseve të reja

Qendra Inovative_Gjakove 210Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizoi sot një takim me ndërmarrësit nga Gjakova, në të cilën u diskutua për rëndësinë e hapjes së Qendrës së Inkubatorit të Biznesit, si dhe iniciativat tjera të kësaj ministrie, për të fuqizuar dhe promovuar ndërmarrësinë në Kosovë.

 Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Kusari-Lila foli për sfidat e fuqizimit të sektorit privat, zhvillimit të ndërmarrësisë, përmirësimin e ambientit të biznesit, si dhe investimet, me theks të veçantë në komunën e Gjakovës. “Ministria që unë e drejtoj është e përkushtuar të mbështesë ndërmarrësinë dhe inovacionin në mënyrë që vendi ynë të ketë sa më shumë biznese të suksesshme, që janë financiarisht të qëndrueshme dhe që mund të mbijetojnë në tregun e hapur vendor, rajonal dhe global”, theksoi ajo, duke treguar rëndësinë e fillimit të ndërtimit të Inkubatorit të Biznesit në Gjakovë: “Përmes Qendrës Inovative të Gjakovës, së bashku me katër inkubatorët e tjerë nëpër Kosovë, ne synojmë të mbështesim hapjen dhe zhvillimin e bizneseve të reja, duke iu ofruar mbështetje administrative dhe këshillëdhënëse” tha ajo.

 Më tutje zëvendëskryeministrja Kusari – Lila tregoi se pas shumë studimeve është parë se për zhvillimin e bizneseve qasja në financa është një nga sfidat kryesore. Për të adresuar këtë çështje, ajo i informoi dhjetëra biznese dhe ndërmarrës të pranishëm se tani ka filluar projekti, i mbështetur nga Qeveria Austriake, i cili do t’u mundësojë bizneseve të vogla dhe të mesme qasje më të lehtë në financa dhe me kushte më të favorshme, -pra marrjen e kredive me kushte shumë të volitshme.

Pjesë e rëndësishme e këtij takimi ishin 5 përfituesit e bursës së ndarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Universitetit Dartmouth, të cilët pas trajnimit dymujor, u rikthyen në Gjakovë për ta zbatuar idenë e tyre në praktikë.

Ajo prezantoi pese  studentet – ndërmarrësit e rinj nga Gjakova, të cilët kanë qenë përfitues të trajnimit në Universitetin e Dartmouth në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Ata janë: Hana Hoxha, Ardi Ponosheci, Abetare Domi dhe Flaka Pasha nga Gjakova dhe Dardan Lajqi nga Peja.

Ata së bashku mbajtën një prezantim të përvojës së tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të prezantimit të plotë të idesë së bizneseve të tyre që do të vendosen në Qendrën Inovative të Biznesit. Pesë ndërmarrësit do të shërbejnë edhe si këshillues dhe inkurajues për ndërmarrësit e tjerë që të jenë pjesë e kësaj qendre.

 Ndërtimi i Qendrës Inovative në Gjakovë ka për qëllim zhvillimin ekonomik, uljen e papunësisë dhe në veçanti përkrahjen e bizneseve fillestare.  Kjo qendër – inkubator do të jetë një hapësirë e punës, që do të ofrojë shërbime për bizneset fillestare dhe do të krijojë lehtësira për fillimin e bizneseve.