Thursday, April 4, 2024
KulturëLajmet e shpejta

Ritme folklorike e popullore  të Hysni Kelmendit 

imageKur e nisi karrierën e tij prej këngëtari qysh si 10 vjeçar,  kishte në vete dëshirën e zjarrtë  për këngën e bukur shqipe. Fillimisht tingujt e muzikës folklorike e kishin magjepsur, posaçërisht ato këngë që u këndohen trimave  që parakaluan nëpër historinë tonë të bujshme kombëtare. Kishte përpara edhe traditën familjare  për muzikën folklorike sepse me këngën ishin marrë edhe gjyshi dhe daja i tij, prej të cilëve ka trashëguar këtë pasion !

Me vitet, Hysniu, djaloshi nga Gjakova,  gërsheton me sukses muzikën folklorike dhe atë popullore që janë të një trungu. Zëri melankolik dhe repertori i gjerë i këngëve e bënë atë që me shpejtësi të depërtoi mes adhuruesve të muzikës. Interpretimi i këngëve të bukura shqipe u bënë pjesë e adhuruesve të shumtë. Tash,  është gjithnjë e më i kërkuar në tregjet muzikore të Kosovës dhe në mbrëmje muzikore gjithandej  nëpër Evropë !

hysen-kelmendi-facebookTematika e këngëve të Hysniut është e gjithanshme por me kënaqësi shpirtërore ju këndon bashkëluftëtarëve të vet , dëshmorëve dhe heronjve të kombit. Ai me dëshirë të madhe  ka marrë pjesë dhe ka organizuar  qindra akademi përkujtimore për dëshmorët  anë mbanë trojeve shqiptare.

E veçon dëshira për bashkëpunim me këngëtarët tjerë. Ka bashkëpunuar me shumicën prej këngëtarëve të estradës dhe  kompozitorëve shqiptar.

“Muzikën popullore e kam në shpirt dhe me tërë qenien i jam përkushtuar asaj. Kjo ka bërë që të më përcjellin  sukseset,  sidomos në mbrëmje muzikore dasma dhe ahengje të ndryshme” thotë Hysniu .

image-3Nga hitet e deritashme Hysniu veçon atë më të fundit.

“Në ketë vit, pos mbrëmjeve të shumta muzikore nëpër Evropë por edhe nëpër dasmat tona në Kosovë,  kam realizuar edhe një hit të ri. Fjala është për  këngën me titull  “Cakrrojmë gotat” që e interpretoi në duet me këngëtaren nga Shqipëria Mira Janji. Më gëzon fakti se kjo këngë që ka edhe videoklipin,  po pëlqehet nga publiku”, tha për “Gjakovapress” këngëtari Hysni Kelemendi.

Edhe këtyre ditëve i është përkushtuar këngës. Po planifikon që të realizoi edhe një këngë të re, ndërsa edhe festat e Vitit të Ri do ta sjellin në ekranet televizive me program të ri.

“Për festat e fundvitit në bashkëpunim me TV21 kam realizuar programin muzikor prej 9 këngëve i cili pritet te transmetohet në mbrëmjet e ndërrimit të motmoteve”, përfundoi Kelemendi, duke premtuar këngë të reja dhe duke i falënderuar adhuruesit e vet, për mbështetjen që i japin në çdo prezantim të tij.