Monday, June 10, 2024
AktualeLajme

Gjakova nga grunajat siguron 80% të nevojave për bukë

korrje

Nëse merret mesatarja e rendimentit nga gruri i korrur prej 3.700 kilogramëve për një hektarë, del se janë grumbulluar rreth  16 milion e 317 mijë kilogram grurë . Kjo i bie që Gjakova me 94,158 banorë, nga grunajat e veta ka siguruar bukën në sasi mesatare prej  173 kilogram grurë për kokë banori. Sipas këtyre të dhënave, del se komuna e Gjakovës ka plotësuar nevojat e veta në masën prej rreth 80%. Sipas disa të dhënave të organizatave ndërkombëtare thuhet se nevojat konsumuese për kokë banori sillen 205 kilogram në vit.

Janë hartuar raportet e para për përmbylljen e fushatës së korrje shirjeve në komunën e Gjakovës. Sipas ketij raporti të Drejtorisë së Bujqësisë , këtë fushatë e kanë ndjekë edhe vështirësi. 10 %  nga sipërfaqet e mbjellura nuk janë korrur sepse gruri ishte i dëmtuar dhe  shtrirë përtoke  nga lagështia, si dhe nga mostrajtimi i grurit nga barojat e këqija. Sipërfaqja e dëmtuar është 441 hektarë , ndërkohë që kanë qenë të mbjellura 4 mijë e 851 hektarë, për korrjen e të cilës sipërfaqe ishin angazhuar 52 autokombajna. Ndryshe, rendimenti mesatar në 4 mijë e 410 hektarë gjatë kësaj fushate ka qenë 3 mijë e 500 deri në 3 mijë e 800 kg/ha.  Me thekër ishin  mbjellur 120 hektarë, ku është realizuar e tërë sipërfaqja ndërsa rendimenti ka qenë 2 mijë e 800 deri në 3 mijë e 100 kg/ha. Me trokal ishin  mbjellur 50 hektarë, ndërkohë që rendimenti ka qenë 3 mijë e 800deri në 4 mijë kilogram për një hektarë. Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural thekson se përgatitjet për realizimin me sukses të   fushatës së korrje- shirjeve i ka filluar me kohë dhe ato i ka përcjellë  shtabi i posaqëm dhe një komision për kontrollimin  teknik të autokombajnave. Fushata ka filluar me 4 korrik dhe për çdo ditë ka kontrolluar ecurinë e   korrje – shirjeve. Është konstatuar se  fushata e korrje shirjeve nuk është realizuar sipas parashikimeve të drejtorisë për arsye të motit të papërshtatshëm kishte shira me stuhi që  nuk kanë lejuar dinamikën e korrjeve duke ndikuar negativisht në rendiment.