Thursday, April 3, 2025
Gjakova PresssKulturë

Rreth standardit të folmes së Gjakovës

 Besim Kepuska 2Shkruan:  Prof. Besim Këpuska

Sot kur po flitet me të madhe rreth standardit të gjuhës shqipe,  m’u kujtua një punëtor i palodhur i gjuhës sonë D.Jakova,  i cili më 1902 u shpreh kështu: “E dhashtë Zoti që të vijë shpejt ajo ditë,  në të cilën nji libër,  shtypë në gjuhë shqype të mujë m’u këndue pa vishtirësi në tanë Shqypninë”.

Askurrë gega i kulturuar ose jo,  nuk ka pasur nevojë për përkthyes për ta kuptuar Naimin,  as toska Fishtën. Kur nëna gjirokastrite e lexoi “Lahutën”,  i tha të birit: Bir,  ky libër qenka shkruar shqip. Po kështu edhe gega kur e lexon Naimin,  e kupton. Është fryma mbarëshqiptare që i bën të kuptueshëm që të dytë.

Prof.Çabej shprehet: Pa u studiuar më parë mirë dialektet e shqipes,  unë shoh punën e pazgjidhshme. Është mirë të dimë se kur është bërë ndarja dialektore e sotme e shqipes. Këtë ne nuk mund ta ndjekim historikisht,  sepse shqipja është e dokumentuar vonë,  por mund të themi që ndarja e sotme nuk është shumë e vjetër. Me gjithë ndryshimet,  gjejmë prapëseprapë mjaft afri në mes tyre. Ndryshimi është “aq i madh” sa ai në mes amerikanëve dhe anglezëve. Ne po kuptohemi jo si italiani i jugut me atë të veriut ose francezi i jugut me atë të veriut që nuk kuptohen në mes veti.

Shtrohet pyetja: A u fol mjaft për standardin?

Unë mendoj se jo. Kjo është detyrë mbi detyra,  është edhe akt patriotizmi. Mos t’ia hudhim “topin” njëri tjetrit,  mos t’i shikojmë teket e disave,  le të sundojë logjika e shëndoshë,  arsyeshmëria,  mirëkuptimi,  shtruarja hapur e problemeve etj etj. Gjuhëtarët të bashkohen,  të polemizojnë dhe këto polemika mos të jenë shterpe. Të jemi të sinqertë. Ky problem s’është i vogël,  por është një problem shumë madhor bile. Pak jemi vonuar,  kaluan 42 vjet. Pati të drejtë Konica kur tha: “Ne,  shqiptarët,  gjithmonë vonohemi”.

Vilfrid Fidler shprehet: “Baza e gjuhës letrare shqipe nuk duhet të preket,  sepse do të vihej në gjendje si te gjuhët sllave kur secili grup pretendon të jetë gjuhë më vete dhe kjo popullit shqiptar,  i cili ka një prejardhje,  një kulturë,  nuk i konvenon”. Gjuha letrare nuk është një kazan ku mund të futen e të shkrihen të gjitha dialektet e të folmet-shprehet Qemal Murati dhe vazhdon: “Mos prekni standardin e gjuhës letrare,  sepse as vendet më të pasura nuk kanë dy variante të gjuhës së shkruar”

Standardi është gjuhë normative,  e përcaktuar,  e koduar.  Nuk ka gjuhë në botë që standardi është I lirë dhe mund të përdoret me forma të ndryshme. Mjaft më me ndasi gjuhësore sipas dialektit,  sepse këto janë shumë të rrezikshme për jetën e kombit-shprehej Çabej. Gjatë bisedave secili le të përdorë të folmen dhe dialektin që ai e do,  e dëshiron,  e pëlqen. Ata që mendojnë se standardin duhet ta përvetësojnë të gjithë plotësisht-janë shkurtpamës. Atij duhet t’i afrohemi sa më shumë që është e mundur (Halim Hyseni).

S’ka shqiptar që mund të thotë se e di tërë shqipen. E vetmja gjuhë,  mos gabofsha, është ajo islandishte që flitet pa asnjë ndryshim. Përderisa të realizohet një gjuhë mbarëkombëtare,  ajo gjithmonë do të dehë zemrat,  por jo kurrë arsyen(F.Xharra).

 

Gegë e Toskë,  Malci,  jallija(fushë pranë detit)

Janë nji komb m’u daë s’duron

Fund e maje,  nji a Shqypnija

E nji giuhë t’gjith na bashkon.

                                             (Ndre Mjeda)

 

Thamë se standardi është gjuhë normative, një përmbledhje e sistemuar rregullash e udhëzimesh,  është një akt kulture. S’kemi gjuhë shqipe e gjuhë kosovare. Një gjuhë letrare e përbashkët për të gjithë shqiptarët ishte kërkesë që në kohën e Rilindjes Kombëtare.

Disa karakteristika rreth të folmes së Gjakovës

Ahmet Ymer Zherka - GjakovaAsnjë gjuhë nuk flitet kudo njësoj,  sepse kemi të bëjmë me dialekte-vetëm në Indi janë mbi 600 dialekte (gr.dialektos-e folme). Dialekt quhet gjuha që flitet në një vend a në një territor të caktuar që ndryshon nga gjuha letrare,  nga gjuha e përbashkët. Në të folmen e Gjakovës ndryshimet më tepër vërehen në fushën e fonetikës e morfologjisë,  më pak në atë të sintaksës .

 

Në fonetikë

Monoftongimi i diftongjeve ( dyzanoreve)

UE(sot:UA): U psh.gru,  kru,  ftu, prru,  msu, lexu, tregu, këndu, mu etj në vend:

grua, krua, ftua, përrua, mësuar, lexuar, treguar, kënduar, mua etj

YE:  Y    psh.fylli, dyrt, shky, ly, thy, ngjy, përkry, përly, përkthy….në vend…

fyelli, dyert, shkyer, lyer, thyer, ngjyer, përkryer, përlyer, përkthyer

IE:  I       milli, qilli, dilli, zij, shti, përzi në vend: mielli, qielli,  dielli, ziej, shtie, përziej    .

Zanorja e fundit e dyzanoreve është reduktuar për shkak se ka ngelur e patheksuar.

a-ja nazale (hundore) shqiptohet o: nona,  ondrra,  osht,  bona,  i ronë, zoni etj në vend:nëna, ëndrra, është, bëra,  i rëndë, zëri etj.

Grupi i bashkëtingëlloreve tsh në të shumten e rasteve nuk shkrihet në ç:

e përditshme, i mërzitshëm, shetitshe, qitsha (pushkë) gjetsh (belanë) etj por ka raste që bëjnë përjashtim, si:t’mirmeçi(të mirë mbetshi),  i lezeçëm, sa vjeç je? etj

Te grupi I bashkëtingëlloreve mb e nd ndodh reduktimi i tyre. Këtu sforcohet elementi i parë m:   grumlli,  kumlla,  themra,  mesa,  pllumi,  shkomi,  koma,  dhomi,  e marova,  u trema,  u musha,  meta,  (djal) i marë,  nimdhetë,  dymdhetë…grumbulli,  kumbulla,  thembra,  mbesa,  pëllumbi,  shkëmbi,  këmba,  dhëmbi,  e mbarova,  u tremba,  u mbusha,  mbeta,  (djalë) i mbarë,  njëmbëdhjetë,  dymbëdhjetë…Këtu edhe b është alternuar në p:

hupi (humbi),  promja(mbrëmja),  u pshteta(u mbështeta) etj

nd:n: menja,  nima,  reni,  seni,  veni,  huna,  e ronë,  shnosh e mirë,  anej e knej,  po menoj,  ma kona,  në kry të non mujve e boni djalin…në vend: mendja,  ndihma,  rendi,  sendi, vendi, hunda,  e rëndë,  shëndoshë e mirë,  andej e këndej,  po mendoj,  ma ka ëndja,  në krye të nëntë muajve e bëri djalin…

 

Fjalët pyetëse: ç’(çka­) shqiptohen sh(shka)

     Shka ki qi i ki fry huntë?

Të gjithë shqipfolësit na “zbulojnë” se jemi nga Gjakova.

S’janë vetëm këto karakteristika në fushën e fonetikës në të folmen e Gjakovës, kemi edhe shumë e shumë të tjera. I zura këto në gojë meqë janë më specifike në këtë trevë.

Është me shumë rëndësi dhe e shoh të arsyeshme të ndalem pak më tepër në këtë të folme në fushën e foljeve, sepse këtu vërejmë shumë dallime karakteristike.

E tshmja e dëftores

Foljet e diatezës vetvetore mesore në vend të mbaresës –em(në vetën e parë njëjës) e ndërtojnë me –na

psh. po tregona,  po skuqna,  po menona,  po përgatitna etj në vend: po tregohem,  po skuqem,  po mendohem,  po përgatitem etj.

E pakryera

Në vend të mbaresës vetore të vetës III njëjës-nte,  përdoret –jke (ai, ajo) msojke,  shkojke,  tregojke,  vijke,  flejke,  blejke etj në vend: mësonte,  tregonte,  vinte,  flinte,  blinte etj.

E kryer e thjeshtë

Te kjo kohë duhet ndalur më tepër. Duhet veçuar përdorimin e gabueshëm të foljes së parregullt jap (në të tri vetat e njëjësit dhe të shumësit) që është karakteristikë jo vetëm në këtë të folme,  por edhe më gjerë psh.

Ni herë e japa fjelen

E japi çikën në ni van t’mirë

Na e japëm menimin tone          në vend:

Njëherë e dhashë fjalën

E dha qikën në një vend të mirë

Ne e dhamë mendimin tonë.

Po kështu edhe në mënyrat e pashtjelluara: japë (pjesore),  me japë (paskajore),  tu japë (percjellore),  pa japë (mohore) në vend :dhënë,  për të dhënë,  duke dhënë,   pa dhënë.

Vlen edhe për kohët e shkuara(në të tri vetat e njëjësit e shumësit).

E kryer: kam japë…,  më se e kryer :kisha japë….,  e kryer e tejshkuar: pata japë….

Te disa folje në këtë kohë nuk ndodh palatalizimi e apofonia (në të tri vetat e njëjësit e të shumësit e në të dy diatezat:veprore e joveprore) psh:

E djega,  e heka, e pjeka, u përpjeka, e njeka,  etj në vend: e dogja,  e hoqa,  e poqa,  u përpoqa,  e ndoqa,  digjem,  hiqem,  piqem etj.

Po në këtë kohë disa folje të zgjedhimit I në vetën e tretë njëjës e zgjerojnë temën me një v (epentetike ose antihiatizuese) psh:

I lavi petkat me ….

E thevi dorën ….

E previ gishtin….

E pëlkevi komën …             në vend:

I lau petkat me….

E theu dorën…

E preu gishtin….

E pëlkeu këmbën… si dhe te disa emra: vllavi,  thivi …shivi …në vend: vëllai,  thiu,  shiu.

Përdorimi i gabueshëm i disa foljeve të parregullta në këtë kohë psh: dredha,  bredha, hedha, ose ato që përfundojnë me l e ll (në kohën e tashme) :vjela, mjela, sjella, mbjella, vjella në vend: drodha, brodha, hodha, vola, mola, solla, mbolla, volla (dmth. këtu nuk ngjet zhvillimi fonetik i apofonisë.

Është karakteristikë përdorimi I foljes vë (në të tri vetat e njëjësit e të shumësit në të tri kohët themelore).

                                                                                     në vend:           

E tashme: vanoj…                                                            vë,  vë,  vë,  vëmë,  vini,  vënë

E kryer: kam vanu…                                          kam vënë…

E pakryer: vanojsha…                                         vija…

Më se e kryer: kisha vanu…                              kisha vënë…

E kryer e thjeshtë: vanova (vnova)…              vura…

E kryer e tejshkuar: pata vanu…                     pata vënë…

E ardhme: do të vanoj…                                   do të vë…

E ardhme e përparme: do të kom vanu…      do të kem vënë…

Interesante është edhe mënyra habitore ­(koha e kryer ­- veta I njëjës)

Forma e drejtë e foljeve: kam e jam (në kohën e tashme) është: paskam e qenkam. Këtu kjo shprehet (përdoret):

Paskna harru me …      Paskna menu se …                 në vend:

Paskam harruar …       Paskam menduar se …

Kokna vonu …     Kokna plakë …            në vend:

Qenkam vonuar …     Qenkam plakur …

Duhet ndalur edhe te përdorimi i pavend i foljes bëj në shprehje të ndryshme si:

X po bon pite (gatuan)

Kur e boni djalin (lindi)

Po boj ni shpi t’re (ndërtoj)

Bon vaki që … (ndodh)

Me foljen ndihmëse “jam” ndërtohen kohët e kryera në diatezën veprore në vend të foljes kam (në të tri vetat e njëjësit e të shumësit) p.sh.

Jom ardhë,  jom dalë,  jon ra me flejtë,  jini kon ni herë e s’kini gjetë kërkon,  ish kon e qysh ish konë… Kjo shpjegohet nga ndikimi i sllavishtes.

Mënyra paskajore në këtë të folme përdoret me të madhe.  Akademik Besim Bokshi thotë se problemi te paskajorja përbën nyjën kryesore të dallimit të të dy dialekteve,  presionin më të fuqishëm të gegërishtes ndaj gjuhës standarde. Për këtë do të flasim një herë tjetër.

Nuk janë vetëm këto karakteristika që e veçojnë të folmen e Gjakovës,  sepse këtu kemi të bëjmë edhe me kumbueshmëri (sonoritet),  alternime e reduktime të ndryshme tingujsh,  elizion,  metafoni,  metatezë etj.  Padyshim se ka hapësirë për të diskutuar dhe “gërvishtje” të tjera më të thella e më detale nga kolegët e mi të nderuar.

Për fund. E vetmja gjuhë që flitet pastër e pa gabime është gjuha letrare dhe të gjithë e kemi për detyrë të interesohemi e të kujdesemi për pastrimin e lulëzimin e saj,  se:   Si flet shtëpia – flet fëmija!

 

Prej Tivarit e n’Preveze

                                                Nji a giuha e kombi nji

                                                Ku lshon dielli njato rreze

                                                Që veç toka e jote i di