Rrezik serioz për disa shtëpi skaj Krenes
Më shumë se 17 familje gjakovare që jetojnë skaj lumit Krena, përkatësisht skaj bregut të njohur si “Bregu i Perjucit” jetojnë nën ankth, pasi që vërshimet e fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha duke marr me vete dheun. Në gjendje më të rëndë ndodhet shtëpia e familjes Urumi ku vërshimet i kanë marrë dheun e bregut deri skaj themeleve të shtëpisë dy katëshe. Banorët e kësaj lagje, afër qendrës së qytetit, për shumë dekada janë të shqetësuar dhe po merren me këtë problem jetësor, porse deri më tash nga kompetentët ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap i qëndrueshëm. Para shumë vitesh, KFOR_i kishte ndihmuar me thasë rëre që ishin vendosur si barrikadë ndaj stuhisë së ujit, por që një mbrojtje e tillë nuk i përballojë vërshimeve të fundit. Ata kërkojnë që komuna të ndërmarrë masa të shpejta për eliminimin e rrezikut të madh që po iu kanoset, duke ndërtuar ndonjë mur mbrojtës derisa të bëhet ndonjë zgjidhje më afatgjate. Zyrtarë komunal kanë premtuar se në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Drejtorëve do ta kenë në shqyrtim edhe këtë brengë të banorëve të kësaj zone.