Sunday, March 30, 2025
Kulturë

“Rrota e ujit”, roman i autores prof. dr. Resmije Kryeziu

Muaj më parë doli nga shtypi romani “Rrota e ujit”, botim i shtëpisë botuese “Dukagjini” Pejë. Edhe ky roman begatoi letërsinë tonë me zhanrin dhe rrëfimin e viteve të pas Luftës së Dytë Botërore. Ngjarjet ndodhin në qytetin e Gjakovës, ku lindi dhe u rrit autorja e romanit (Detja). Familja e saj, pasi që shtëpia i ishte shkatërruar nga bombardimi, vjen nga Peja për t’u strehuar në Gjakovë, aty ku kishte edhe lidhje familjare…

Me romanin “Rrota e ujit” Resmije Kryeziu përpiqet të depërtojë te vetë realiteti i kohës, sidomos në vitet ’50 e ’60 – ta të shekullit të kaluar, realitet i hidhur, i cili edhe për brezin e ardhshëm të kësaj kohe mbetet i freskët edhe pas më shumë se gjysmë shekulli. Në këtë prozë socio-shoqërore-politike përshkruhet dhe pasqyrohet kotësia dhe absurdi i jetës, duke spikatur thelbin e gjërave, pjesë e të cilave ishte edhe autorja, me të gjitha shpresat, pikëllimet, zhgënjimet që sillte me vete ajo kohë. Kjo tërësi e larmishme tregimtare e kësaj proze shpreh një individualitet të kompletuar artistik.

Ky roman socio-psikologjik përbëhet nga 24 kapituj, me personazhe nga më të ndryshmet, meshkuj, femra, mësues, klerikë, zejtarë, loparë, arixhinj, e pushtetarët dhe ndihmësit – hijet e tyre. Romani “Rrota e ujit” titulli i të cilit është huazuar nga një thënie e poetit Jalal al din Rumi: “Ne jemi rritur në këtë qoshe të zisë, duke rrotulluar rrotën e ujit me një rrëke lotësh”.

Çdo gjë e thënë, e shkruar, lidhet me Gjakovën, lagjet, çarshitë, rrugët, çdo gjë përcillet me gëzimet dhe hidhërimet – pikëllimet të kaluara nëpër prizmin e përjetimeve të autores,  apo më mirë të themi të infiltruara në ndërdijen e saj. Kjo shihet në rrëfimet dhe personazhet, për të cilat do të themi disa fjalë për më kryesorët nga ato.

Romani fillon me kaptinën – pjesën e parë: “Atë mes tetori ishte ditë me diell, e vranët, apo me shi”, ku tregohet gjendja sociale dhe kushtet kur lindi autorja dhe çfarë u desh të bëhet për ekzistencën e saj (zeja e babait për të mbajtur familjen…). “Tezja Saime dhe djemtë e saj pontaxhinj(bixhozxhinj)”, është kaptina tjetër në të cilën pasojnë përshkrimet për ekzistencën: sapuni, pulat, punëdorja e grave, gjëra të domosdoshme këto që ndihmonin për mbijetesën  e familjes, në mungesë të punës dhe infrastrukturës së duhur. Detja i sqaron në hollësi, duke përdorur fraza dhe shprehje origjinale (“…Rujna zot, po rrnojshin si thitë”, “Shyqyr, oj mesa jeme, që të qiti zoti ty me familje tonë me ardhë në Gjakovë se, mos e bon zot, si e morrën partizanët Gjakovën, bonë shka bonë, vranë, prenë e më në fund po shkepin caragor…nëpër shpija tona …Me kamiona pi bijnë pi dreqit mallkun…) etj.

“Shtëpia e Bacës Bahri në Rrugën e Çabratit dhe radioja e re” bën fjalë për jetesën e familjes së Detes në shtëpinë në të cilën banonin me qira. Por e veçanta e këtij rrëfimi është radioja “Kosmaj”, gjë e rrallë për shumë familje të kohës. Po për këtë të arritur kishte edhe një mori porosish: Kur dikush thoshte:”Këqyr çka po thonë valët e shkurta?” Vëllai thoshte: “Këto valë na s’bon m’i ngu! Kush i ngon e han…Një Zot e di çka thonë ato…”, “Ruejuni mos ma lëshoni tu fol serbisht, se ju këpus kryet si pulës…” E mira e kësaj radioje ishte kur vinte halla mysafire…(“E moj halla jeme, kur po mes vetëm, po boj muhabet me qet radion…”- pa e ndalur dorën nga  qëndisja.“) Ç’është e vërteta, hyrja e radios në shtëpinë e tyre, për Deten dhe vëllanë e saj të vogël, as i gëzoi së tepërmi e as i hidhëroi. Ata në lagje kishin shokë dhe shoqe… koha u kalonte nëpër oborret e fqinjve, të lagjes…Por për më të vjetrit, kjo ishte burim informimi dhe lidhje me botën.

“Piskavicat (shushunjat), lirat e Hallës dhe dynjaja”, është kapitulli i radhës ku flitet për vizitat të cilat nuk mungonin, edhe pse komunikacioni ishte i pazhvilluar…. (shkrimin e plotë me autor Hajrullah Hana e gjeni në numrin 122 Gjakovapress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *